E PLOTË/ Rama intervistë për ERT: I angazhuar për zgjidhjen e paktit detar dhe ligjin e luftës! Besimplotë tek miqësia e Micotaqis

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median greke ‘ERT News’. Ai ka folur për çështjen Beleri si dhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë.

Intervista e plotë:

-Zoti kryeministër, sipas gazetës Kathimerini ju u ofruat vetë që t’i jepni një intervistë kësaj gazete dhe kjo menjëherë pas postimi të madh tuajin në llogarinë tuaj në facebook, disa ditë pas asaj darkës informale që thirri kryeministri Mitsotakis me liderët e Ballkanit dhe mungesa juaj atje. Tani pranuat, dhe ju falënderoj për këtë intervistë televizive tek kanali ERT news. Duket sikur keni dëshirë t’i thoni diçka mediave greke.

Kryeministri Edi Rama: Patjetër, sepse në momente si ky, kur ka një keqkuptim është e rëndësishme që të komunikohet dhe natyrisht është e rëndësishme që të dëgjohen të dyja kambanat, jo vetëm njëra. Kjo ishte arsyeja pse unë e kontaktova vetë gazetarin grek pasi pashë që çka kishte shkruar ishte vetëm jehona e një kambane dhe ai më dha mundësinë që të dëgjohet dhe jehona e një kambane tjetër.

-Kanë kaluar 80 vjet nga mbarimi i luftës së dytë botërore edhe janë nënshkruar disa traktate miqësie, janë rinovuar më saktë midis dy vendeve. Minoriteti grek në Shqipëri duket sikur trajtohet me një sy skeptik nga sistemi politik shqiptar. Dhe jemi në vitin 2023!

Kryeministri Edi Rama: Sipas meje, kjo është tërësisht e pavërtete në terrenin e fakteve. Ka 80 vite që ka mbaruar Lufta e Dytë Botërore dhe akoma sot Greqia ka në fuqi ligjin e luftës, gjë që është një arkaizëm i madh dhe gjë për të cilën ne jemi shumë të interesuar që ta shohim të largohet një herë e përgjithmonë nga rruga jonë e përbashkët. Ndërkohë që, unë besoj shumë tek miqësia, tek partneriteti strategjik dhe tek interesi i madh i përbashkët i yni, Shqipërisë dhe Greqisë për të forcuar sa më shumë këtë miqësi, ashtu sikundër besoj në faktin e thjeshtë që minoriteti grek në Shqipëri është një thesar i kulturës sonë të bashkëjetesës dhe një urë e pazëvendësueshme për ta ushqyer dhe për ta forcuar miqësinë mes të dy popujve, mes të dy shteteve dhe patjetër edhe mes dy qeverive, pavarësisht se kush qeveris në Tiranë dhe pavarësisht se kush qeveris në Athinë.

-Le të vijmë tek intervista juaj e fundit tek Kathimerini. Ju përdorët disa epitete, disa karakterizime të ashpra do të thoja për zotin Beleri, për të cilat ju vet thatë që jeni penduar që i thatë, veçse ka shumë nga ata që thonë, qe i përdoret qëllimisht për përfitime politike dhe u drejtuat me këto retorika paksa ekstreme ndaj një anëtari të minoritetit grek.

Kryeministri Edi Rama: Zotëria është një qytetar i Republikës së Shqipërisë, që duhet të jetë i barabartë përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, por njëkohësisht duhet të përgjigjet përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe nuk mund të ketë dy drejtësi, një drejtësi për qytetarët shqiptarë me kombësi shqiptare dhe një tjetër për qytetarët shqiptarë me kombësi greke. Ka vetëm një drejtësi dhe nëse kjo drejtësi nuk është e përsosur, nuk është e përsosur për të gjithë.

 -Po, por mbetem pak tek ky fakt sepse juve ju jeni drejtuar dhe disa anëtarëve të tjerë të komunitetit grek në Shqipëri duke përdorur shprehjen “përdorin flamurin grek si kartë krediti”. A nuk do të fyhej një minoritar?

Kryeministri Edi Rama: Unë kam thënë që janë njerëz këta që i fryjnë këtyre erërave dhe që mezi presin që të hedhin benzinë në këtë zjarr, që përdorin flamurin grek si kartë krediti pa asnjë diskutim, por kam thënë gjithashtu që këta nuk janë atipikë në aspektin që ka dhe shqiptarë që e përdorin flamurin shqiptar si kartë krediti. Por ndërkohë që, kur vjen fjala te shqiptarët. Ata nuk mund të ankohen sikur janë minoritarë që po iu shkelen të drejtat dhe po zhvishen nga pronat e tyre. Këta të tjerët e bëjnë këtë dhe të them të drejtën duhet të them e bëjnë me sukses, përderisa arrijnë ta manipulojnë Athinën zyrtare dhe arrijnë të vënë në dispozicion të qëllimeve të tyre jo dhe aq fisnike Athinën zyrtare.

-Duke folur përsëri për çështjen Beleri. Që në momentin e parë që u arrestua, ju dhe qeveria juaj i referoheni pavarësisë së gjyqësorit dhe kjo interpretohet si një dëshirë për kohëzgjatjen e paraburgimit të zotit Beleri në mënyrë që ai të humbasë datën për t’u betuar, pra për të humbur dhe postin. Kjo duket sikur juve jeni i vendosur të ekzistojë ky gjemb në marrëdhëniet dypalëshe, akoma kjo dhe me rrezikun e humbjes së mbështetjes së Athinës drejt rrugës europiane.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, që në momentin kur SPAK, Prokuroria jonë speciale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar futet në një proces zyrtarisht, gjithmonë unë, qeveria ime, partia që unë drejtoj, pra shumica parlamentare e Shqipërisë bën të njëjtën gjë, ekzakt të njëjtën gjë, siç kemi bërë dhe në këtë rast. I referohemi vetëm drejtësisë sovrane për të bërë drejtësi dhe nuk interferojmë në asnjë formë dhe përmes asnjë rruge, qoftë publikisht, qoftë jo publikisht në punën e saj. Sepse ky është një moment historik për Shqipërinë. Dhe sot kjo drejtësi nuk është në aktin e vetë të parë me zotërinë për të cilin është shqetësuar Athina zyrtare, por ky është njëri nga hallkat e zinxhirit të krijuar të këtyre akteve të goditjes së problemeve me të cilat ajo merret të njerëzve shumë pranë pushtetit.

Sot ish zëvendësi im është në kërkim. Janë 4 apo 5 kryetarë bashkish të Partisë Socialiste që janë në paraburgim, në pritje të daljes në gjyq për të njëjtën arsye:Vullnetin e kësaj drejtësie për të goditur pa parë se çfarë ngjyre ka, se afër kujt është apo se kë po lëndon nga pikëpamja politike apo nga pikëpamja financiare.

-Në këto kushte që jemi, mesa duket zoti Beleri do të humbasë, nuk mund të betohet dhe do ta humbasë datën e betimit. Në intervistën tek Kathimerini latë të kuptohet se mund të mos bëhen zgjedhje të reja në Himarë, pra si do do të shkojë? Do të jetë përsëri Goro? Është pak konfuze e gjitha kjo, zoti Kryeministër. Si do të qeveriset nesër Himara?

Kryeministri Edi Rama:  Së pari njëherë, nëse unë nuk gaboj dhe nuk besoj se gaboj, zoti Goro i përket të njëjtit grup apo jo?

-Minoritetit.

Kryeministri Edi Rama: Po pra, pra kjo është një arsye më shumë për të ngritur supet sepse zoti  Goro i cili ka përfaqësuar si kryetar bashkie, partinë që unë drejtoj, ashtu sikundër edhe dy kryebashkiakë të tjerë, të cilët sot janë në detyre dhe sot gëzojnë të drejtën ta ushtrojnë detyrën si përfaqësues të minoritetit grek; njëri me mbështetjen e PS edhe pse jo i PS-së, tjetri i PS, tregojnë që këtu s’ka një përplasje mes shqiptarësh dhe grekësh. Këtu ka një bashkëjetesë krejt të arsyeshme dhe krejt normale. Sa mijëra e mijëra tituj pronësie i ka dhënë familjeve minoritare për shtëpitë e ndërtuara pa leje, siç kanë bërë edhe shumë të tjerë familje shqiptare, apo titujt e pronësisë për objektet e kultit. Sot kishat në minoritet kanë tituj pronësie sepse qysh nga koha e komunizmit e deri kur kjo qeveri mori detyrën, jetuan të zhveshura nga kjo titujt e pronësisë.

Kërcënimet për pengim të rrugës së mëtejshme te integrimit të plotë të Shqipërisë dhe anëtarësimit të saj të plotë në BE, në ndërkohë që qeveria nuk ka asnjë mundësi ligjore që të hyjë në këtë proces, që t’i japë leje një të paraburgosuri që të shkojë të bëje betimin apo që të betohet në zyrë me noter siç thonë, është në mospërputhje të plotë, qoftë me të drejtën sovrane të Shqipërisë për të ushtruar dhe për të zbatuar legjislacionin e vet evropian në perimetrin e Republikës së Shqipërisë, qoftë edhe me bashkëjetesën evropiane mes vendesh që janë vende demokratike, që i përkasin të njëjtës familje vlerash dhe ku nuk mund të bëjë vaki që njëri vend t’i tregojë tjetrit se si duhet të funksionojë në një rast konkret dhe çfarë duhet të bëjë në një rast konkret njëri apo tjetri  për të zbatuar ligjin në vendin e vet.

Në ndërkohë që siç e kam thënë, ne jemi duke studiuar rastin, pasi kur përfundon afati i 90 ditëve, normalisht sipas çfarë thuhet në ligj, qeveria duhet ta shkarkojë kryetarin e zgjedhur që nuk është paraqitur për të bërë betimin dhe duhet të caktojë një kujdestar deri në zgjedhje të reja. Mirëpo ky është një rast shumë specifik dhe për këtë arsye unë i kam kërkuar departamentit ligjor këtu në Kryeministri që të japë opinionin se çfarë duhet të bëjmë ne dhe do të zbatojmë përsëri atë që është më e drejta. Unë do të isha  i lehtësuar nëse ne do të mundeshim që t’i linim  procesit gjyqësor mundësinë të përfundonte dhe në fund të procesit të dinim nga drejtësia, jo nga Greqia nëse ky njeri është i fajshëm apo është i pafajshëm.

-E megjithatë, pyetja e fundit kjo se ju e dini koha televizive është e kufizuar, përsëri Athina mendon se zgjidhja e kësaj çështjeje kalon nga Tirana, nga zyra juaj, topi ndodhet ngjitur. Ju keni thënë se doni një dialog me zotin Mitsotakis. Çfarë do t’i thoni konkretisht?

Kryeministri Edi Rama: Jo, unë nuk kam nevojë për asnjë ndërmjetës për të patur komunikim me Qiriakon sepse ai është një mik dhe unë e kam çmuar dhe e çmoj si një njeri të admirueshëm personalisht dhe si një lider modern dhe unë nuk kam çfarë mesazhi t’i përcjell nëpërmjet mediave sepse nuk është nevoja. Ne komunikojmë dhe nuk kemi nevojë për ndërmjetës as të tjerë, dhe aq më pak për kanale mediatike për t’i thënë njëri-tjetrit ato që mendojmë.

Por një gjë dua të them në fund. Greqia apo Athina mendon se topi është në këtë zyrë për këtë çështje, duke lënë të nënkuptohet që nëse topi nuk shkon në atë drejtim ku e do Athina, Athina do të hakmerret me Shqipërinë, duke penguar procesin e anëtarësimit në BE, - kjo është jo evropiane dhe kjo është shumë antike sipas meje. Te Greqia unë shoh, partnerin tonë jo vetëm në Ballkan, por edhe partnerin tonë edhe në BE. Kështu që shpresoj shumë që vendosja e bustit të kryeministrit Mitsotakis në Derviçan, çka e kam premtuar atëherë dhe nuk kam ndërmend të tërhiqem nga ai premtim pse ka sot një keqkuptim, të jetë një tjetër arsye për t’u kuptuar mirë me njëri-tjetrin, që në Tiranë, në këtë zyrë, Greqia ka një mik, një mik të vërtetë, një mik të sinqertë. Unë jam kryeministri i Shqipërisë, nuk jam kryeministri i Greqisë dhe unë i shërbej interesave të Shqipërisë dhe jam në krye të një beteje historike që drejtësia në Shqipëri të bëjë drejtësi të barabartë për të gjithë.

-Shumë shkurt; Do të ketë ndikimin gjithë ky zhvillim në përcaktimin e kufirit detar në Hagë midis dy shteteve?

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi interesa strategjike shumë të rëndësishme dhe interesat strategjike tonat përputhen plotësisht me domosdoshmërinë e një marrëdhënieje miqësore dhe të një partneriteti strategjik me Greqinë. Kështu që për të gjitha problemet, që nga kufiri detar, deri tek heqja e ligjit të luftës nga Greqia, unë vazhdoj të mbetem shumë i angazhuar dhe po ashtu, edhe për miqësinë me kryeministrin e Greqisë, unë vazhdoj të jem besimplotë dhe plotësisht i angazhuar.

-Edhe një herë shumë faleminderit për këtë intervistë në kanalin publik të Greqisë, ERT news.

G.MO/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave