Roskovec - Një ngjarje e rëndë ka tronditur mesditën e sotme fshatin Kuman në Roskovec, ku një i moshuar dyshohet se ka vrarë bashkëshorten dhe më pas i ka dhënë fund jetës.

Sipas informacioneve paraprake, Shefit Rrapaj, rreth 80 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri tip pushke bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, rreth 75 vjeçe, brenda banesës së tyre. Më pas, ai dyshohet se është vetëvrarë.

“Rreth orës 14:30, shtetasi Sh. Rr., rreth 80 vjeç, banues në fshatin Kuman, Roskovec, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri (pushkë), në banesë, bashkëshorten e tij, shtetasen D. Rr., rreth 75 vjeçe, dhe më pas ka vrarë veten”, njoftoi sot policia.

Çifti jetonte prej rreth 20 vitesh në këtë zonë, pasi ishin zhvendosur nga fshati Levan. Ata ishin prindër të 9 fëmijëve, 3 vajza dhe 6 djem, shumica e të cilëve jetojnë në emigracion.

Vetëm njëri prej djemve banonte me prindërit dhe është shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë lidhur me ngjarjen.

Burime nga fqinjët në zonë bëjnë me dije për Report TV se në familje kanë ekzistuar konflikte të vazhdueshme ndër vite. Madje, vetëm katër ditë më parë, në banesën e tyre kishte ndërhyrë edhe policia për të sqaruar një tjetër përplasje mes çiftit. Gjithashtu, mësohet se rreth 10 vite më parë, i moshuari kishte tentuar t’i jepte fund jetës me armë zjarri. 

Ndërkohë gjatë marrjes së trupave të viktimave ka pasur tensione dhe përplasje, duke bërë që situata mes familjarëve të Dashurisë dhe Shefitit të agravohet. Ndërkohë burime për Report TV bëjnë me dije se e motra e Dashurisë është transportuar me urgjencë në spitalin e Fierit, pasi ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike dhe shëndetësore.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e këtij rasti të rëndë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:40
Krimi në Roskovec ku burri vrau gruan dhe më pas veten, flet i biri: Babai ishte tip konfliktual, mamaja mbante anën time! Një ditë bëmë sherr për plehun e patateve

Të tjera detaje kanë dalë mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Roskovec të Fierit, ku 80-vjeçari Shefit Rrapaj ka vrarë me pushkë bashkëshorten e tij 75-vjeçare, Dashuri Rrapaj dhe më pas edhe veten.

Sipas burimeve nga Policia, djali i çiftit Rrapaj në dëshminë e tij në polici ka thënë se në momentin e ngjarjes së rëndë ka qenë në Fier për një konsultë mjekësore, gjë që është vërtetuar edhe nga kqyrja e kamerave të sigurisë.

Ai ka pohuar se i ati ishte tip konfliktual dhe zënka e fundit ka qënë para 10 ditëve kur i ka hedhur pleh patateve të mbjella në oborrin e shtëpisë dhe 80-vjeçari është acaruar duke i thënë djalit “Pse u hedh pleh patateve”, konflikt banal që ka përfunduar në komisariatin e Rroskovecit, ndërkohë që nëna e tij Dashuria, i dilte gjithmonë në krah të birit.

Pasi është kthyer nga Fieri, mësohet se djali i ka gjetur prindërit të pajetë në banesë. Fillimisht ka lajmëruar një kushëririn e vet dhe më pas Policinë. Po sipas burimeve policore, arma e përdorur në krim është tip i vjetër dhe dyshohet të ketë qënë e fshehur nën tokë, pasi ishte me dhe.

Ndërkohë që ishte shkrepur dy herë, një plumb i ka shkaktuar vdekjen Dashurisë dhe plumbi tjetër ka shkaktuar vdekjen e 80-vjeçarit i cili është vetëvrarë.

Ora 17:48
Krimi me 2 viktima në Roskovec, motra e 75-vjeçares transportohet me urgjencë në spital! Të afërmit: Çifti i bashkëshortëve ishin njerëz të mirë, shihnin punën e tyre

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e sotme në Roskovec të Fierit, ku 80-vjeçari Shefit Rrapaj vrau me pushkë bashkëshorten e tij 75-vjeçare Dashuri Rrapaj dhe më pas veten, duket se situata në banesën e çiftit mbetet e tensionuar.

Gjatë nxjerrjes së trupit të Shefit Rrapaj ka mbizotëruar një atmosferë tejet e tensionuar, për shkak të reagimit dhe përplasjeve të shkaktuara nga të afërmit e Dashurisë.

Ndërkohë motra e Dashurisë është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Fierit, në gjendje të rënduar psikologjike dhe shëndetësore.

Nga ana tjetër, një grua që ishte prezente në vendngjarje ka deklaruar për Report TV se ngjarja ishte e paralajmëruar, pasi 3 ditë më parë kishte pasur një konflikt mes çiftit.

“Në raportin e Policisë 3 ditë më parë, është konstatuar se ka pasur një konflikt familjar”, ka thënë për Report TV një banore e zonës.

Ndërkohë, një komshi ka deklaruar se të moshuarit që mbetën viktima ishin të respektuar në zonë dhe nuk kishin pasur probleme me njerëz të tjerë aty.

“Ishte nja nga gratë e rralla. Unë e respektoja tamam si motrën time. Tani sesi ndodhi nuk e di. Shefiti nuk e di. Alkool nuk konsumonte. I vetmi burrë që nuk konsumonte alkool. Mbase ardhja e djalit të vogël nga Greqia mund të ketë qenë problemi. Ai ishte një nga djemtë më të urtë në zonë. Kur ndodhi ngjarja isha andej nga bagëtitë e mia. Janë të ardhur këtu në fshat, kanë mbi 20 vite. Kur i kam njohur, komshinjtë më të mirë që kisha. Sidomos zonjën, e kisha tamam si motrën time. Jetonin të dy vetëm. 9 fëmijët i kishin në emigracion”, tha një komshi i çiftit.

Po ashtu, edhe për një të afërm të çiftit, Shefiti dhe Dashuria nuk kishin pasur më parë probleme me njëri-tjetrin. Ndërkohë ka dyshime të banorëve të zonës se djali i vogël i çiftit mund të ketë qenë shkak i konfliktit në familje, por këto pretendime ende janë të pavërtetuara.

“Ata kanë kaluar mirë. E mora vesh ngjarjen përmes televizorit. Ata kanë kaluar mirë. Ishin andej lartë nga malësia dhe erdhën këtu më pas. Kanë 9 fëmijë, një këtu dhe 8 në Greqi. Di që ishin familje e rregullt. Nuk e di nëse ka qenë konflikt i çastit apo çfarë kanë pasur”, tha një i afërm i viktimave.

Ora 16:58
Burri vrau me pushkë gruan dhe më pas veten, Report Tv siguron FOTO të viktimave në Roskovec

Janë publikuar fotot e çiftit që humbën jetën në ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në fshatin Kuman, Roskovec, ku i moshuari dyshohet se ka vrarë bashkëshorten dhe më pas i ka dhënë fund jetës me të njëjtën armë.

Bëhet fjalë për Shefit Rrapaj, 80 vjeç dhe bashkëshorten e tij Dashuri Rrapaj, 75 vjeçe. Familja Rrapaj jetonte prej vitesh në Roskovec, pasi ishte zhvendosur nga Levani i Beratit.

Çifti ishte prindër të 9 fëmijëve, shumica e të cilëve jetojnë në emigracion. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.