SHËNGJIN- Gomonet problem në det, por edhe në tokë! Një situatë e pazakontë është regjistruar në qytetin e Lezhës, ku një gomone e cila po tërhiqej nga një makinë ka rrëshqitur dhe ka përfunduar në trotuar duke përplasur një tjetër makinë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30, teksa gazetari i Report Tv, Elvis Hila raporton se është shoqëruar drejtuesi i automjetit që po tërhiqte gomonen.
Për fat të mirë nuk ka pasur persona të lënduar, edhe pse në momentin kur rrëshqiti gomonia ka pasur mjaft kalimtar që kanë shpëtuar për mrekulli. Mjeti i lundrimit është bllokuar nga policia kufitare dhe po verifikohet dokumentacioni, ndërsa në momentin e ngjarjes po lëvizte në drejtim të portit.
Nëse kjo ngjarje do të kishte ndodhur para 2 gushtit, ndoshta nuk do të kishte këtë impakt që ka ditët e sotme. Kjo sepse pikërisht në 2 gusht, një gomone që drejtohej nga polici Arjan Tase i mori jetën vogëlushes 7-vjeçare, Jonada Avdia. E vogla po lahej në det, ku u përplas për vdekje nga gomonia. U desh të ndodhte nga kjo ngjarje që Policia Kufitare dhe në tërësi Policia e Përgjithshme të zbriste në terren dhe të zbulonte se shumë mjete lundruese nuk e kishin dokumentacionin e nevojshëm për të dalë në det. Që nga ajo ditë është dhënë urdhër që nëse nuk ishte me letra të rregullta atëherë nuk mund të dalë askush në lundrim, një urdhër që duhet të zbatohej edhe më parë, por që në realitet ndryshe nga sa ishte në letër, nuk funksiononte.