Një ngjarje tragjike është shënuar në New York, ku një grua shqiptare ka ndërruar jetë pasi ra në një pusetë të pambuluar në mes të rrugës. Viktima është identifikuar si Donike Gocaj, 56 vjeçe. Sipas policisë, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:19 të së hënës pranë Fifth Avenue në Manhattan.
Sipas dëshmitarëve, shqiptarja kishte dalë nga makina e saj dhe vetëm pak sekonda më vonë u ra në një pusetë elektrike të hapur, rreth 3 metra të thellë, që i përkiste kompanisë Con Edison.
“E mbylli derën e makinës dhe bëri një hap përpara. Papritur u zhduk”, deklaroi dëshmitari Carlton Wood për mediat amerikane.
Ai tregoi se disa qytetarë u përpoqën menjëherë ta ndihmonin gruan, ndërsa prisnin mbërritjen e ekipeve të emergjencës. Sipas tij, dikush solli edhe një shkallë të vogël, por thellësia e pusetës e bëri të pamundur nxjerrjen e saj.
“Ajo po bërtiste se po vdiste”, tha dëshmitari.
Një operacion i vështirë shpëtimi u organizua nga zjarrfikësit, të cilët përdorën shkallë për të hyrë në pusetë. Kur u nxor, Donike Gocaj ishte pa ndjenja dhe pa shenja jete. Ajo u transportua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht kishte ndërruar jetë.
Sipas familjarëve, në vendngjarje nuk kishte asnjë tabelë paralajmëruese apo barriera mbrojtëse rreth pusetës së hapur. Rregulloret e qytetit kërkojnë që pusetat të jenë të mbuluara ose të bllokuara qartë për të shmangur rreziqe të tilla. Avokati Christopher J. Gorayeb deklaroi se raste të tilla nuk janë të rralla në New York dhe se mbulesat duhet të jenë të siguruara në mënyrë që të mos lëvizin aksidentalisht.
Ndërkohë, kompania Con Edison bëri të ditur se nga pamjet e sigurisë dyshohet se kapaku i pusetës ishte zhvendosur pak minuta më herët nga kalimi i një kamioni të rëndë në rrugë. Sipas kompanisë, rreth 12 minuta më vonë viktima parkoi makinën pranë vendit ku ndodhi tragjedia.
Komente











