TIRANË- Sot në të gjithë vendin të moshuarit kishin mundësinë të dilnin nga shtëpia, duke shfrytëzuar lejen për dalje deri në orën 11 të vendosur nga autoritet. Kjo ishte e shtuna e dytë për ta, që deklarojnë se do të ishte më mirë sikur kjo të përsëritet të paktën dy herë brenda javës.
Pothuajse në çdo qytet të moshuarit ishin në rrugë, edhe në Kukës, veçse numri ishte shumë i paktë, për shkak se ditët e fundit në këtë qytet rastet me COVID-19 janë shtuar. Disa prej pensionistëve u shprehën se 'dalja i bën shumë mirë, pasi i ishin ndryshkur bulonat'. Ka edhe nga ata të cilët thotë se 'e kanë të nevojshme të dalin pas asnjë kufizim, pasi duan të bredhin sa andej këtej'.
Nuk mungonin as ata të cilët vlerësonin qeverinë për masat e mara, madje në ndonjë rast shpreheshin se duhet të ishin më të rrepta.
Pas shëtitjes së gjyshërve, Agjencia e Parqeve ka dezinfektuar parqet, për të qenë gati ditën e nesërme, ku janë të lejuar që të dalin nënat me fëmijë deri në moshën 10 vjeç.
Të moshuarit sot në Korçë mbushën rrugët dhe parqet e qytetit, duke shfrytëzuar leje daljen e vendosur nga autoritetet. Një çift të moshuarish shprehen: "Më duket shumë mirë fasha orarit, Korça po e kalon shumë mirë këtë situatë. Kemi një muaj e gjysmë brenda. E dëgjuam lajmin dhe sot dolëm. Fëmijët i kemi të ndarë nga ne e mezi po presim ti takojmë. Na mungojnë përqafimet."
Një pensionist thotë se kjo leje nuk i mjafton, pasi kur qëndron në shtëpi vetja i duket si i vdekur: "Kam dalë dhe do rrijë derisa të shkojë ora 11, pastaj do iki në shtëpi. Pa njeri jam, por do rri brenda. Gruaja më ka vdekur. Të rrish vetëm është vdekje, më mirë të kisha vdekur. Fëmijët i kam jashtë dhe flas vetëm me telefon. Mua këto masat s'më duken gjë fare, në këtë moshë që jam unë tani të futem brenda? Unë dua të marr ajër të pastër. Unë dua të jem i lirë të bredh sa andej këtej, në katër anët. Ç'është kjo, vajto ora dhe shko brenda. Më duket shtëpia si burg."
Një e moshuar thotë: "Kam dalë për shëtitje. Kjo është hera e parë fare që po dal. Një muaj e gjysmë pa dalë. Plasa thash dhe po dal njëherë të marr ajër. E mjaftueshme është për ne, dy orë tre orë, boll i kemi. E kam për të mirë tonë, për shëndetin tonë. Nuk takoj njeri. Për masat edhe më të forta të ishin. Nga qe i kemi respektuar masat prandaj kemi edhe kaq pak raste."
Një i moshuar që lëvizte me muzikë me vete deklaron: "Unë e kam në gjak muzikën. E kam patur me kohë dhe jo sot. Bravo i qoftë Edi Ramës, se diti të manovrojë në shkallë botërore për sëmundjen më të rrezikshme. Po bëhet jo kryeministër po edhe polic. Ky është popull injorant. Masat i kam respektuar për kokën e djemve. Mua mu zënë këmbët, por e kam frikë dhe ndejta brenda një muaj e gjysmë. Muzika më mban gjallë, e kam qef."
Rastet pozitive në qytetin e Kukësit duket se i ka frikësuar pensionistët të cilët shumë pak dolën në parkun e qytetit në orët e liridaljes, ndryshe nga e shtuna e kaluar ku dalja e pensionistëve ishte e madhe, sot të moshuarit preferuan të mos dilnin. Ata pak pensionistë që dolën u shprehën për liridalje të paktën dy herë në javë.
"E falënderoj kryeministrin që ka menduar për kategorinë tonë. Kjo është për të mirën tonë, për të mirën tonë, për të mos shkuar në botën tjetër. Ky e ka për të mirën e popullit, por edhe brenda nuk po rrihet shumë. Duhet më shumë orë për lëvizje. Sot pensionistët janë frikësuar se kemi lajme që në Kukës janë infektuar.
Për të vdek kemi për të vdek, se s'ka ngel kush pa vdekur, por të paktën të na fusin në dhe të tjerët jo pa të prek me dorë shtëpia. Mirë është me ndenjur brenda,"-shprehet një i moshuar.
"Po e shijojmë pak këtë, hajd më deri në 11. Duhet me u ruajt vetë se s'po na thotë njeri me dal ose jo,"-deklaron një tjetër.
"Kjo është mirë, pozitive, sepse Kukësi tani ka patur disa pasojë edhe për mungesë të mos zbatimit të rregullave. Edhe ne po e gëzojmë këtë ditë, këto dy tre orë. S'kemi ku shkojmë edhe nëqoftëse kemi orë më shumë,"-thotë një tjetër pensionistë.
"Kam dalë vetëm javën e kaluar dhe këtë herë. Faleminderit edhe për kaq se mirë është të rrimë në shtëpi për të luftuar këtë sëmundje. Mirë është të dalim dy herë por faleminderit edhe kaq,"-shprehet një e moshuar në Kukës.
Në Kukës kishte edhe nga ata pensionistë të cilët ndihmuan punonjësit e gjelbërimit të shërbimeve publike të bashkise, të cilët po mirëmbanin lulishten kryesore të qytetit tepër të frekuentuar nga mosha e tretë.
Sot në Lezhë të moshuarit kishin populluar parqet dhe rrugët e qytetit, duke shfrytëzuar lejen e posaçme të vendosur nga autoritetet. Një prej pensionistëve shprehet: "Jemi dakord me këto vendime, se edhe ne që jemi të moshuar ta gjejmë veten diku. Ne e shfrytëzojmë këtë mundësi, për xhiro të lirë. Ne sot e kemi ditën tonë, se ditët tjerë të tjerët janë në aktivitet. Kur kanë pushim ato dalim ne, për të kaluar ato streset tona."
Ndërkohë një tjetër i moshuar shprehet se po i shijojnë këtë orë lirie: "Po i shijojmë këtë orë lirie por duhet më shpesh se është stres. Duhet të dalim me ble dhe ndonjë frut se s'ka kush të më shërbejë. Ne nuk jemi të ruajtur se jemi në shtëpi, se vinë ato të tjerët dhe rrezikohemi. Duhet ta lirojmë çdo ditë nga pak, por jo me dal me u shtri në parqe."
Një e moshuar thotë se i mjaftojnë kaq orë leje dalje, për të hequr streset: "I kishim të domosdoshme këto orë lirie. Në karantina e kam kaluar mirë edhe pse jemi vetëm ne dy pleqtë. Po edhe orë më shumë të kemi s'kemi mundësi për të ecur, mua më mjaftojnë."
Dy shokë kanë shfrytëzuar orarin e daljes për të bërë ecje në Liqenin Artificial të Tiranës. Ata shprehen se i ka marrë malli që të bëhen bashkë, të këndojnë, të pinë raki.
"Një herë në javë është mjaftueshëm, bereqarves. Kemi qejf shëtitjen, jo shumë dominon, të mblidhemi me shokët, të këndojmë të marrim një gotë raki", tha njëri prej tyre.
"Unë loz shah, ai loz domino po nuk e tregon. Ne mërzitemi në shtëpi, s'kemi ç'bëjmë, do t'i zbatojmë se me këto rregulla shpëtuam nga vdekja", iu përgjigj shoku.
Të moshuarit sot në Elbasan kanë mbushur qendrën e qytetit, duke përfituar nga leja për dalje në kohë pandemie. Njëri prej tyre shprehet: "Sot ndjehem në formë sportive. Nuk ka më mirë, fizikisht dhe mendërisht. Kur qëndroj i izoluar bëj shumë aktivitete. Lexim, fiskultur, internet, pune shtëpie, laj enët. janë motive që më shtyjnë të mbaj fizikun në formë."
Një i moshuar tjetër lavdëron masat e autoriteteve: "Më mirë nuk bëhet. Mendoj se karantine ka qenë më e përshtatshmja për moshën e tretë. Unë mendoj se më e mira është bërë deri sot. Apeli im është që të vazhdojnë të rrinë brenda. Vetëm jam dhe kam nevojë për gjithçka, por jam mirë. Kjo është gjë e mirë që jemi të paprekur. E kemi të nevojshme të dalim, se mosha jonë është si puna e makinës sa më shumë të jetë e mbyllur, të fikur, aq më keq është."
Një tjetër i moshuar thotë: "Ndihem shumë mirë. natyrisht që kjo kohë ka qenë e pazakontë, por unë ia kam kaluar mirë në shtëpi se kam një shtëpi me oborr dhe me merrem me te."
Gazetari i Report Tv, Ermal Qorri ka pyetur disa nga të moshuarit të cilët kanë shfrytëzuar liridaljen. Njëri prej tyre shprehet se kishte 50 ditë pa dalë nga shtëpia dhe shfrytëzoi këtë moment për të marrë ajër të pastër, konform rregullave.
"Është shumë mirë një ditë në javë. Nuk e kam problem deri sa të mbarojë epidemia. I kam respektuar masat. Kam 50 ditë që nuk kam dalë nga shtëpia, sot kam dalë. Nuk jemi mësuar që të rrimë kaq gjatë në shtëpi, si e ka gjithë bota do e respektojmë dhe ne, nuk do dalim mbi të tjerët", tha i moshuarit.
Pensionistët shprehen se e kanë të mjaftueshme që të dalin një herë në javë. Për mikrofonin e Report tv, një pensioniste shprehet se është e vetëdijshme për rrezikun që i kanoset nga koronavirusi, për këtë arsye nuk ka dalë nga shtëpia.
"Shumë mirë, rrofshi. Kam dalë në orën 09:00, kam dalë vetëm. Në pallatet e reja nuk ka shumë njerëz. I thashë njërës po ajo kishte punë. Është mjaftueshëm. Deri javës mjafton. Do ruajmë veten dhe kalamajtë", tha ajo.
Parqet dhe shëtitoret e Lushnjës janë mbushur sot nga të moshuarit të cilët kanë shfrytëzuar lejen për daljen këtë të shtunë, e cila është e dytë që pas fillimit të pandemisë së koronavirusit.
Megjithatë përpos kësaj kategorie sot në Lushnje vihen re edhe lëvizje të personave të tjerë, të cilët nuk dihet nëse janë të pajisur me leje. Sakaq këtë fundjavë asnjë i infektuar me COVID-19 në spitalin Hasan Çabej.
Sot është dita e dytë që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit në vendoin tonë që të moshuarit kanë të drejtë të dalin nëpër rrugë. Kjo si pasojë e masave për ruajtjen e tyre, pasi kjo kategori është ndër më të rrezikuarit nga COVID-19. Për këtë arsye kryeministri Edi Rama i ka përshëndetur sot me anë të një reagimi në faqen zyrtare, ku shkruan disa prej shumë të mirave që kjo kategori i ka sjellë vendit tonë në veçanti.
Në 'facebbok' Rama shkruan: Sa shumë mund e dashuri në rritjen e fëmijëve dhe fëmijëve të fëmijëve. Sa shumë punë e mund për familjen dhe për Shqipërinë. Sa shumë sakrifica e po aq modesti e mirëkuptim në pranimin e tyre. Sa shumë shembuj qytetarie prej tyre në ditë të vështira e sa shumë borxhe për ta sot e gjithmonë.
Ashtu si të shtunën e kaluar edhe sot të moshuarit në Fier e kanë pritur me padurim lejen për të dalë. Shumë prej tyre kanë lëvizur në qendër të qytetit kryesisht për të bërë një xhiro, pasi kjo periudhë, pak a shumë si çdo kategori tjetër, i ka mbyllur në shtëpi. Për 'Report TV' një prej tyre thotë se duhet të shtohen më shumë ditët kur të moshuarit duhet të dalin:
"Më mirë jemi tani që dolëm sërish. Kjo mjafton, por duhet të dalim gjithmonë, sepse duhet të shlodhim këmbët. Rrimë gjithë ditën shtritë. Mezi po prisja që të zbardhte që të dilja. Këto orare duhet të jenë të përditshme se edhe ne na bëjnë mirë. Mbetëm duke ngrënë."
Ndërkohë një çift të moshuarish shprehen: "Unë them edhe kaq sa na lejon faleminderit, por unë besoj se me kalimin e situatës do të na e bëjë përditë. Nëqoftëse Fieri nuk ka raste të reja kuptohet. Këto dalje janë shumë të rëndësishme, por unë gjithsesi i kam thyer një çikë edhe ditët tjera se kam dalë kur ka qenë ora 5 ose 6 dhe s'kishte njeri."
"Është hera e dytë që dalim. Vështirë e kemi patur se mosha jonë po nuk lëvizi i ndryshken bulonat. Duam pak lëvizje. Natyrisht kjo hapje duhet bërë hap pas hapi, se një pakujdesi si në rastin e Krujës e tregon, një pakujdesi në transport dhe u bë vatër,"-thotë i moshuari.
Ka edhe nga ata qe vendimet e qeverisë i duken shumë të drejta: "Na duken si mirë kjo dalje. Masat që ka marrë qeveria janë shumë të drejta, efikase dhe ne po na ndihmojnë shumë. Kur mbaron orari ne jemi shumë të rregullt dhe ikim. Po edhe në shtëpi nuk kemi qenë keq. Kemi llafet më të mira për të thënë për masat që ka marrë qeveria. Kemi falënderime për gazetarët, mjekët, policia, e cila po e administron shumë mirë këtë punë."