Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për Shoqatën e Prokurorëve e cila ndërhyri në debatet në distancë mes shefit të qeverisë dhe gjyqtarëve të cilët kanë kërkuar në Kushtetuese rritje të pagës.

Rama i referohet një postimi të gazetarit Isa Myzyraj, i cili shkruan se kjo Shoqatë rezulton e regjistruar, ndryshe nga sa tha kryeministri. Por, ky i fundit i përgjigjet duke thënë se regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, por duhet bërë edhe te tatimet.

Kryeministri thotë se Shoqata është ende në kohë për tu regjistruar, por e solli në vëmendje për të “ilustruar” moshën fare të njomë të shoqatës.

Reagimi i gazetarit Isa Myzyraj

Kryeministri Edi Rama, në vazhdën e sulmeve të hapura ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të këtij vendi, ka deklaruar se Shoqata e Prokurorëve nuk është e regjistruar sipas ligjit. E vërteta është krejt ndryshe. Me ose pa dashje, kreu i qeverisë është gënjyer, dhe për pasojë ka gënjyer opinionin publik lidhur me regjistrimin e kësaj organizate. Më poshtë janë të gjitha dokumentet që vërtetojnë se kjo shoqatë është e regjistruar plotësisht dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama

Një zëdhënës/e vullnetar/e i/e shoqatës së prokurorëve paska thënë se shoqata e re qenkej e regjistruar në gjykatë dhe unë paskesha gënjyer, po në fakt unë nuk shkruajta që s’janë regjistruar në gjykatë

Unë shkruajta, “janë ende të paregjistruar, por janë brenda afatit” - pra s’pata qëllim ta thumboj, po thjesht të ilustroj moshën fare të njomë të shoqatës, ndërkohë që dihet botërisht se regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, po duhet bërë edhe tek tatimet, gjë që ende s’ka ndodhur

Por halli me zëdhënësit vullnetarë është se e kanë zellin më të madh se sa zëdhënësit institucionalë, ndërkohë që informacionin e kanë si rregull gjysmak, çka i bën lajmës të nxituar të gjysmë të vërtetave - të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha”, shkruan Rama.

Reagimi i gazetarit Isa Myzyraj

Si mund të kesh NIPT nëse nuk je regjistruar në TATIME ? Shoqata e Prokurorëve është e regjistruar edhe në Tatime.


Lajmi kryesor:

Gjyqtarët duan rritje pagash/ Prokurorët i kthehen Ramës: Po bën retorikë të rrezikshme! Kryeministri: Arrestet pa gjyqe na kanë njollosur botërisht (REPLIKAT)