BRITANIA E MADHE- Pamjet e një punonjëseje të kujdesit shëndetësor që abuzon me një pensioniste kanë shokuar rrjetin në Britaninë e Madhe!

Pamjet janë bërë publike pasi, punonjësja në fjalë u dënua me vendim të formës së prerë me 6 muaj burg.

Jenny Dady, 29 vjeç, duhej të kujdesej për 69-vjeçaren Liz Youngs, e cila ishte e paralizuar, por pamjet në videon e publikuar tregojnë krejtësisht të kundërtën. “Kujdestarja”, tërheq nga flokët të moshuarën dhe në disa momente edhe nga hunda dhe i jep për të ngrënë pa dëshirën e saj.

Gjatë verës së vitit 2019, vajza e së moshuarës u shqetësua pasi vuri re shenja dhune te nëna e saj, dhe si pasojë i lindi ideja të vendoste një kamera në dhomën e 69-vjeçares, pamjet e së cilës tashmë janë bërë publike.

Sipas “Daily Mail” vetë familja vendosi të publikojnë pamjet për të ndërgjegjësuar sa më shumë njerëz.

Vajza e Youngs, Korina tha: “Mamaja ndërroi jetë gjatë hetimit, kjo më bën të ndihem edhe më keq duke e ditur që ajo ishte trajtuar keq gjatë vitit të fundit të jetës së saj.”