Një lajm i trishtë ka ardhur nga bota e akademisë në vendin tonë këtë fillim viti, teksa ish-pedagogu Bujar Mane është ndarë nga jeta një ditë më parë.

Lajmin për ndarjen nga jeta të profesor Bujar Manes, e ka dhënë Universiteti Bujqësor i Tiranës përmes një shënimi në rrjetet sociale.

Mane ishte një nga profesorët më të rëndësishëm të UBT, teksa ishte nderuar me gradën "Kandidat i Shkencave".

Ndërsa UBT i ka shpehur ngushëllimet familjarëve dhe miqve të pedagogut Mane.

Bujar Mane kishte dalë në pension të vitit 2011.

Postimi i plotë i UBT:

Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Fakulteti i Mjekësisë Veterinare shprehin hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Bujar Mane, një nga figurat e shquara të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në fushën e Biokimisë Veterinare.

Prof. Dr. Bujar Mane e nisi veprimtarinë e tij akademike në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në vitin 1973, si asistent në lëndën e Biokimisë, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe të vazhdueshëm në aktivitetin mësimor dhe shkencor. Ai hartoi dhe publikoi veprën “Praktikum i kimisë biologjike të kafshëve” në vitin 1978, si dhe tekstet “Biokimia e kafshëve” (1989) dhe “Biokimia” (2005, 2011), të cilat shërbyen për breza të tërë studentësh të fakultetit.

Veprimtaria shkencore e Prof. Dr. Bujar Mane përfshinte publikime në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrje në konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit. Ai udhëhoqi punën shkencore të aspirantëve për gradat “Kandidat i Shkencave” dhe “Doktor i Shkencave”, duke kontribuar ndjeshëm në formimin e brezave të rinj të studiuesve.

Gjithashtu, Prof. Dr. Mane ishte një bashkëpunëtor aktiv në jetën akademike, duke marrë pjesë në recensimin e teksteve universitare dhe në oponencat e disertacioneve. Studimet e tij shkencore trajtonin fusha me rëndësi praktike dhe kërkimore, si ketozat subklinike te lopët, problemet metabolike në shpendët e rritjes industriale dhe parametrat metabolikë të Salmo letnica të liqenit të Ohrit.

Për kontributin e tij të çmuar në arsimin e lartë dhe shkencën veterinare, Prof. Dr. Bujar Mane u nderua me gradën “Kandidat i Shkencave” në vitin 1980, titullin “Docent” në vitin 1990 dhe titullin “Profesor” në vitin 1995. Ai doli në pension në vitin 2011, duke lënë pas një trashëgimi të vyer profesionale dhe njerëzore.

Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Fakulteti i Mjekësisë Veterinare i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Mane, të afërmve, kolegëve dhe gjithë komunitetit akademik për këtë humbje të madhe.

U prehtë në paqe.