SARANDË- Një punonjës 33-vjeçar, Igli Gjoca ka humbur jetën një ditë më parë teksa punonte në ambientet e Orange Club në qytetin e Sarandës. Gjoca ishte punësuar në mënyrë të paligjshme dhe dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike teksa po punonte për rregullimin e skenës, pasi clubi po përgatitej për nisjen e sezonit turistik. Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Sarandës, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
I riu, me origjinë nga zona e Bajkajt, ishte teknik në servis automjetesh dhe ishte punësuar në të zezë nga clubi vetëm për të punuar për rregullimin e skenës. 33-vjeçari ishte i martuar dhe priste të bëhej baba i një vajze. Vdekja e tij e parakohshme ka shkaktuar dhimbje të thellë tek familjarët.
Për ngjarjen, policia e Sarandës ka vënë në pranga administratorin e clubit, Ermal Fataj 40 vjeç, i cili akuzohet për punësim të paligjshëm dhe shkelje të rregullave në punë. Fataj rezulton se është arrestuar edhe në vitin 2017, asokohe i akuzuar se vrau me skaf një turiste ruse 15-vjeçare. Fataj kishte në pronësi disa mjete lundruese që i përdorte për të shëtitur turistë në ishujt e Ksamilit dhe dyshohej se përplasi rusen Kseniya Ryok, së cilës iu shkaktuan plagë vdekjeprurëse në kokë dhe në trup.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”, shtetasin E. F., 40 vjeç, banues në Ksamil, administrator i një lokali në Sarandë, pasi dje, gjatë punës në këtë lokal, ka humbur jetën shtetasi I. Gj., 33 vjeç, banues në Sarandë, i cili ishte punësuar në mënyrë të paligjshme. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike. Vijojnë hetimet për dokumentimin e rrethanave të rastit”, njoftoi Policia.

Ermal Fataj me skaf, foto arkiv
Kjo nuk është hera e parë që në Orange, një ndër clubet më të frekuentuara në Sarandë, ndodhin aksidente në punë. Edhe në vitin 2023 në të njëjtin club vdiq kamerieri 17-vjeçar Antonio Delilaj, i cili po merrte disa koli me ujë nga bodrumi për tek bari dhe ndodhej brenda ashensorit kur është këputur njëra prej kavove. Goditja e fortë në kokë i shkaktoi vdekje të menjëhershme. Për këtë ngjarje u arrestua tekniku i ashensorit dhe vetëm 1 muaj pas vdekjes së kamerierit ra në pranga edhe pronari i Orange Club, Spiro Iljadhi.
Organe është lokali i natës më i frekunetuar në Sarandë dhe të të kanë ndodhur disa sherre me armë. Madje, në qershor të 2021-shit u plagos me armë vetë Iljadhi, pasi u qëllua me breshëri automatiku pranë lokalit të tij.

Igli Gjoca, 31-vjeçari që humbi jetën në Orange Club
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente










Sa shume ngjarje dhe lajme ka ky club dhe cdo lajm Ne kerkim administratori/ne pranga administratori, dhe si perfundim askush brenda
Përgjigju