Ende pa u shuar polemikat rreth deklaratës së ambasadorit të ardhshëm amerikan në Shkup Xhes Bejli, i cili tha se në Maqedoni jetojnë sllavë dhe shqiptarë , kësaj radhe ministri i Jashtëm suedez Karl Bild, në një shkrim të botuar gjatë muajit korrik  të këtij viti thotë se në Maqedoni jetojnë sllavo-maqedonas dhe shqiptarë, duke anashkaluar termin “maqedonas”.
 
Në blogun e tij zyrtar, diplomati Bild për tensionet ndëretnike në Maqedoni shkruan: “Ajo që më shqetëson më së shumti për momentin janë zhvillimet në Maqedoni, ku vërehen tensione mes komunitetit sllavo-maqedonas dhe atij shqiptarë. Janë shënuar disa ngjarje të mëdha në Shkup, si kundërpërgjigje ndaj disa vendimeve gjyqësore kohëve të fundit. Vendi është ende jo i qëndrueshëm në disa aspekte, dhe bllokimi i euro-integrimeve nga Greqia, fatkeqësisht, nuk e ndihmon situatën”.

Nëse deklarata e Xhes Bejlit u arsyetua shpejtë si e rastësishme dhe pasojë e keqinformimit, vështirë se diçka e tillë mund të kalojë edhe për Karl Bild. Ministri i Jashtëm suedez ka vizituar shpesh herë Maqedoninë, dhe është njohës shumë i mirë i gjeopolitikës në Ballkan.




Redaksia online
(g.f/shqiptarja.com)