U desh ky 100 vjetor që të hapej një polemikë rreth Shpalljes së Pavarësisë. Çdo ditë,faqet e shtypit si dhe emisionet televizive shpalosin mendime mbi 100 vjet të Shtetit Shqiptar. Shpesh herë,ka pasur dritë-hije si çdo datë historike në vënd. Këto dritë-hije kanë krijuar vakuume të shumta pasi, historia jonë është shkruar e rishkruar disa herë, por për fatin tonë të keq, gjithmonë ka qenë sa e cunguar aq dhe e manipuluar. Këtu gjithmonë ka pasur dorë, klasa politike që ka qenë në fuqi. Politika gjithmonë ka kërkuar ta manipulojë historinë dhe në momente të caktuara e ka keqpërdorur atë. Kur them se e ka keqpërdorur, kam parasysh gjithë periudhën që është shkruar ajo e deri në ditët e sotme. Nuk besoj se ka njerëz të cilët mundet ta kundërshtojnë këtë fakt. Ajo që të vjen keq, është fakti se ky manipulim është bërë nga vetë historianët, të cilët, për arësye që vetë ata i dinë, e manipulonin dhe e manipulojnë me urdhër historinë e vendit. Kjo ka bërë të mundur që, vetë historianët të lënë hapësira për abuzime të ndryshme.

Nëse kjo histori do shkruhej vetëm nëpërmjet fakteve dhe rrealitetit të dokumentuar,do të thosha se historia jonë,e cila në vetë-tete është shumë e larmishme dhe tepër kokëfortë,pasi përderisa ndryshohet tregon se faktet janë sa kokëfortë aq dhe të pa mohueshëm, panvarësish nga manipulimet e momentit që mund ti bëjnë po vetë historianët. Nuk do kishte kundërshti apo, hapësira për ndryshime të shpeshta. Të flasësh e shkruash për historinë e vëndit tënd, mendoj se është një e drejtë e çdo qytetari, por vlera e një historiani është i pazëvëndësueshëm, pasi gishti tregues shkon gjithmonë tek ata për çdo citim apo shkrim të tyre. Historia jonë është më së shumti dhe nëpërmjet gojëdhënave. Kjo për vetë faktin sepse, vendi doli nga Lufta e Dytë Botërore me një anafalbetizëm të madh. Jo çdo kush, dhe pse pjesmarrës në një ngjarje sado e rëndësishme të ishte, nuk mundej ta shkruante në kartë. Shumë të tjerë nuk dinin as të lexonin. Sot situata është krejt tjetër. Përveç arkivave ku jo gjithkush mund të hyjë e të shfletojë, përveç historianëve, pjesa tjetër si bibloteka apo literaturë letrare e historike mundet ta lexojë gjithkush. Kjo ka sjellë dhe një ndërgjegjësim dhe kureshtje tek shumë njerëz, të cilët duan të njohin historinë e tyre nëpërmjet dokumentit. Një veprim të tillë e kam bërë dhe unë.

Shpesh dhe për një kohë të gjatë kam studiuar në bibliotekë. Sa më shumë shfletoja, aq më shumë më dilnin fakte dhe gjëra shumë interesante dhe të panjohura më parë. Në shkrimet e mia,jam munduar që diçka ta lë si gjurmë nga ato çfarë kam mësuar e studiuar. Pa dashur të bëj shumë parantezë po hyj në temë. Lexova një intervistë të Prof. kristo Frashërit. Të them të drejtën gjithmonë e kam ndjekur me vëmendje, si në shkrime dhe në debate për figurat historike. Në intervistën e dt.26 tetor 2012 dhënë gazetës Shqiptarja.com po e lexoja vazhdimin e intervistës me kureshtje. Ndër vlerësimet e bëra për disa nga figurat e periudhave 1912-të e deri në Luftën e Dytë Botërore, më tërhoqi vëmendjen një deklaratë e bërë prej tij ku thuhet se, citoj: "Dokumenti i Pavarësisë ka qënë në Tiranë deri në vitin 1962. Për një arësye që s'dua ta them na iku nga dora. I iku nga dora qeverisë. Tani as që jam në gjëndje ta ndjek. Unë s'lëviz dot nga vendi. Ai që e kishte na u lut që të mos e zinim në gojë emrin e tij. Dhe unë ja kam dhënë fjalën e s'e tregoj." Kjo deklaratë e Prof. Frashërit, të bën të mendosh e të ngresh mjaft alibi lidhur me Deklaratën e Pavarësisë. Pra kjo deklaratë origjinale ekziston. Ka qarkulluar të paktën në duart e vetë Prof. Frashërit dhe të tjerëve, por ata vetë nuk duan ta nxjerrin. Nëse ka ekzistuar dhe është parë, përse nuk thuhet qartazi se çfarë është shkruar në këtë deklaratë. Si historian Prof. Frashëri ka detyrimin profesional,por dhe moral ta deklarojë se ku është dhe së çfarë përmban ajo në vetëvete.

Nëse kjo Deklaratë edhe pas 100 vjetësh mbahet e fshehur, atëherë çfarë vlere ka. Ky veprim ka "detyruar" që të dalë në qarkullim një "kopje" e bërë në vitit 1937, por e paraqitur ndër vite si origjinale. Kjo tregon se edhe pas këtij 100 vjetori kërkohet t'i lihet shteg abuzivizmit pikërisht me fshehjen e dokumentit original. Është e kuptueshme se Prof. Kristo e ka për zemër Ismail Qemalin. Ai nuk kërkon në asnjë moment ta lejojë polemikën për këtë figurë. Panvarësisht se ai vetë deklaron se është i sëmurë e nuk e ndjek dot këtë deklaratë për ta sjellë. Kaq e manipulueshme është kjo deklaratë sa Profesori nuk ka besim tek asnji njeri tjetër që mund ta marri atje ku është. Të duket tepër e habitëshe kur Prof Kristo thotë si i ka dhënë fjalën,se nuk e tregon emrin e atij që e ka këtë deklaratë. Kur bëhet fjala për një dokument historik e me vlerë,nuk besoj se do gjeja një historian të dytë që ta deklaronte një gjë të tillë. Ndoshta nga kjo deklaratë varet dhe vetë figura e Ismail Qemalit. Këtë e them pasi, në jetën e tij, si para dhe pas aktit të Shpalljes së Pavarsisë, ka hije të forta dyshimi mbi veprimtarin e tij. Këtu, me mirëkuptim për Profesorin, do të përmendja vetëm arrestimin e tij nga K.N.K.-ja,në vitin 1913-të. Apo dhe marveshjen e firmosur më 1907 me Organizatën greke. Apo se dhe gruaja e dytë e tij ka qënë greke. Profesor Frashërit ndoshta këto fakte nuk i interesojë për t'i bërë publike në këtë shkrim pasi ai vetë do të binte në grackën e deklarimeve të tij, për vlerësimin e figurave që ai vetë jep në këtë intervistë. Këtë e them pasi,në intervistën e Prof. Frashërit, ai vetë përmend disa figura si, Esat Pashë Toptanin, Ahmet Zogun, Fan Nolin, Bajram Currin, Mit'hat Frashërin,…..etj, për të cilët Prof. Kristo Frashëri jep jo vetëm mendimet e tij personale, por rreshton fakte apo dokumente të cilat ai i disponon apo ka studiuar gjatë viteve.

Nërsa përsa i përket figurës së Enver Hoxhës Profesori nuk jep ndonjë detaj të rëndësishëm, megjithëse, unë mendoj se materiale vetë Prof. Kristo ka me shumicë, aq sa nuk ka nevojë as për materiale akivore. Mjafton të sqarojë rreth Hoxhës vetëm momentin e prishjes së marrëveshjes së Mukjes, apo si mundi të shpëtojë gjatë rrethimit që ju bë në Elbasan. Mendoj se Prof. Frashëri në këtë intervistë bën lojën e shmangies së të vërtetës, pasi përmendja e shumë emrave dhe vlerësimi për ta bën të mundur që të shmang realisht faktet për ngjarjen më të rëndësishme siç është shpallja e Pavarësisë dhe figura e Ismail Qemalit. Mendoj se kjo nuk është në të mirë të historisë së shkuar apo dhe të tashmes. Dy janë faktet të cilat nuk mundet t'i kundërshtojë askush nga historianët dhe pse manipulojnë me historinë. E Para, në Shpalljen e Pavarësisë nuk ka pasur një Deklaratë të rregullt dhe të formuluar sipas rregullave të kohës. Të mos harrojmë se të gjithë pjesmarrësit, sidomos ata më kryesorët ishin njerëz që kishin punuar e drejtuar administratë, apo dhe vetë Ismail Qemali që kishte drejtuar një Parlament. Ai më shumë se gjithkush, pasi ishte dhe ideatori i këtij akti, duhet ta kishte pregatitur më parë qoftë dhe formalisht një deklaratë të tillë. Nuk kam gjetur në asnjë shkrim të Profesorit, apo dhe historianëve të tjerë, se përse nuk u pranua në Durrës Ismail Qemali.

Cilat ishin shkaqet që gjeti atë lloj rrezistence me Qeverinë e asaj kohe të drejtuar nga Esat Toptani, apo mos vallë kërkohej të bëhej një përçarje dhe të krijohej hendeku krahinor për ta lënë vëndin me dy qeveri ashtu siç ndodhi realisht. Nuk jam historian, por në kulturën time nuk mundem të pranoj,se sot, çdo gjë duhet të merret shabllon siç na e servirin qoftë këta dhe historian. Përse nuk pohohet nga historianët, se Ismail Qemali në një ngjarje kaq të madhe nuk kishte arritur të merrte as dhe Flamurin me vete. Apo dhe kjo nuk përbën ndonjë fakt për historinë. Nuk përbën fakt që dhe Flamuri ,pra Shpallja e Panvarsisë bëhet në ora 18-yë(gjashtë pasdite),kur vëndi ishte terr. As mungesa e një Foto të momentit të Firmosjes e të Shpalljes të këtij akti që mungon,nuk përbën problem. Si është e mundur që të kryhet një akt i tillë historic për një Komb dhe të mungojnë këto detaje kaq të rëndësishme. Unë e vlersoj Shpalljen e Panvarësisë si akt tepër të rëndësishëm, por gjithashtu kërkoj të dij si për detajet ashtu dhe për të mirat e të këqiat e tij. Profesori dhe shumë historianë të tjerë akoma nuk kanë zbardhur debatin para Shpalljes së Panvarësish. Nga ajo çfarë unë di, është se ka pasur mendime të ndryshme 1)Ka pasur mendime për njohjen e Autonomisë se Shqipërisë brenda Perandorisë Osmane duke caktuar dhe kufijtë. 2)Shpallja e Pavarësisë siç u bë, por pa caktuar kufijtë. Mos vallë deklarata që nuk na i tregon Profesori fsheh diçka që ne nuk duhet ta dimë. Unë mendoj, se sqarimi i ngjarjeve historike, si dhe i protagonistëve dhe pjesëmarrësve në ngjarje, nuk ia ul as vlerat dhe as figurën, përkundrazi, na bën që ne të mësojmë nga historia dhe gabimet e bëra. Të mos i përsërisim, por të mësojmë prej tyre. Historia, sado e keqe apo e mirë qoftë,ajo është historia jonë,është historia e një Kombi, Gjithkush nga ne duhet të kontribojë në të mirë të saj. Çdo debat, sjell një argument, sjell një risi në një ngjarje historike që i vlen vetë Kombit.

Nëse do vazhdojnë historianët të fshehin faktet gjithmonë, nuk do bëjnë gjë tjetër, veçse do lënë vënd për abuzim. Shpresoj, se debati i nisur rreth figurave të Kombit dhe sidomos i ngjarjeve e dative historike, është në nderin e atyre që e kanë për detyrë t'i publikojnë e analizojnë, me të mirat e mangësitë, pavarësisht nga nostalgjitë apo dëshirat personale. Historianët, nuk janë pronarë të historisë. Historinë e kanë bërë të tjerët. Detyra e tyre është të gjejnë dokumente, fakte, t'i analizojnë e publikojnë pa pasur paragjykime dhe ndikime nga të tjerët qofshin këta dhe pushtetarë. Të mos na ndodhë siç po ndosh në këtë 100 vjetor, ku pas njëqind vjetësh shqiptarët mësojnë të kundërtën e asaj që kanë mësuar nga historia e diktuar. Mësojnë se ajo foto nuk është foto e Shpalljes së Pavarësisë, por e një viti më pas. Se dokumenti nuk është original etj. Më erdhi trishtueshëm dhe deklarata e Profesorit, kur deklaron se arkivi është i mbyllur për atë vetë. Kjo është shenja më e keqe për vetë historinë, nëse është e vërtetë.

E them këtë pasi, çdo historian që nga më i thjesht e sidomos profesorët duhet të kenë një status të veçantë përsa i përket arkivave. Arkivat duhet të jenë gjithmonë "monopol" i tyre, ndryshe ngelemi tek ajo që thamë më lartë, historianët do të shkruajnë vetëm atë histori që u kërkohet nga politikanët e kohës. Kjo është një nga dëmet më të mëdhaja që mund t'i bëhet jo vetëm historisë, por dhe vetë Kombit. Do të ndodhë që vlerësimet të bëhen të njëanshme. Për mos ardhur tek shprehja se "Në Shqipëri ndodh ajo që nuk ndodh në vëndet e tjera ku horrat kthehen në heronj dhe heronjtë mbesin gjithmonë të heshtur". Prandaj na duhet një histori reale. Një histori për të gjithë shqiptarët dhe jo një histori partiake. Nëse do vazhdohet gjithmonë me preferencat si të historianëve apo të interesave të momentit e dëshirave të individëve, të cilët më së shumti janë të veshur politikisht, kurrë nuk do kemi një histori të besueshme apo bindëse. Do ngelemi gjithmonë në kuadrin e bërjes së historisë sipas dëshirës momentale. Kjo është gjëja më e keqe për vetë Kombin tonë.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)