Epidemia e Koronavirusit është kthyer përsëri duke kërcënuar Shqipërinë pikërisht në fillim të sezonit turistik. Numri i rasteve të infektimeve të regjistruara sot (57) është dyfish nga numri i rasteve të regjistruara në ditët e kulmit të epidemisë, në fillim te prillit, kur i gjithë vendi ishte mbyllur në karantinë. Kurba e infektimeve rritet ditë pas dite, ndërkohë që reagimet e institucioneve vonojnë. Tri ditë më parë ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, që deri më tani ka fjetur mbi dafina falë suksesit të një strategjie ku ajo ishte vetëm ekzekutuese, u përpoq të fshihte rëndësinë e kësaj rritje të re të infektimeve, duke gënjyer opinionin publik dhe duke siguruar se gjithçka ishte “brenda pritshmërive”. Një gafë e krahasueshme me atë të Valbona Sakos që mes rrënojave të shkaktuara nga termeti u shpreh “e kënaqur” me 50 të vdekur dhe që për këtë arsye dha dorëheqjen.

Kryeministri Edi Rama përgënjeshtroi Ogerta Manastirliun pak orë më pas, duke u kthyer të flasë në publik për Covid (gjë që s’ndodhte prej dy javësh) e duke rikujtuar kërcënimin e karantinës së vendit, nëse të gjithë nuk do të respektonin masat e sigurisë. Por çfarë masash mund të priten nga qytetarët, nëse një nga vatrat e infeksionit është brenda shërbimit të hematologjisë në QSUT, ku mjekë dhe infermierë, me sa duket kanë thyer rregullat? Rastet e infektimit në këtë repart sot arrijnë në 11 dhe duam të dimë nga ministrja Manastirliu nëse edhe kjo ishte “brenda pritshmërive” të saj. Çfarë të presim pastaj nga mjekë dhe qytetarë përballë shembullit të kësaj ministreje që duke vizituar spitalin, nuk mbante as maskën, sikur kjo maskë anti-Covid, të dëmtonte statusin e saj?

Problemi qëndron në faktin se opinioni publik vazhdon të marrë mesazhe kontradiktore dhe të qetësohen mbi faktin se një rritje e epidemisë “ishte parashikuar”, që do të thotë se çdo gjë është në rregull, dhe se nuk duhen masa të tjera. Ndërsa në të vërtetë, asgjë nuk është në rregull, sepse këtu askush nuk respekton masat e parandalimit që respektohen në Europë. Ministria e Shendetesie  që nga dita e parë e kësaj epidemie e ka përjashtuar vlerën e përdorimit të maskave që tashmë është ndër masat e para të parandalimit që po përdoren të në gjithë botën (bashkë me distancimin fizik dhe larjen e duarve). Vetëm në Shqipëri autoritetet shëndetësore këmbëngulin të thonë se maska në mjedis të hapur nuk vlen, duke harruar të shtojnë se nuk vlen kur jemi vetëm në mjedis të hapur, ndërsa, nëse lëvizim në grup, apo në protesta apo grumbulojme në një tavolinë, apo shkojmë në pelegrinazh në masë në Shna Ndue siç ndodhi të martën e shenjtë, maska vlen edhe në mjedis të hapur. Por në Shqipëri, për faj të këtij mesazhi të gabuar publik, maskën nuk e përdor askush, as në mjedis të mbyllur.

Pavarësisht urdhërave formale në lokale, në zyra, në dyqane dhe deri në supermarket ku është ekspozuar ushqimi nëpër tezga, hyrjet bëhen pa maskë, në tavolinat nëpër bare  dhe ristorante ulen në grupe edhe pse nuk duhet të rrinë më shumë se dy vetë bashkë, e kështu kudo. Ku eshte distanca mes tavolinave në lokale apo në restorante te vendosura si kushte per te rihapur? Pse nuk shofim me asnje radhe ne hyrje te farmacive apo në bankat, si duken ne France apo ne Itali? Si ka mundesi qe jane harruar tashme gjithe ato rregulla qe gjate karantines mendouam qe na kishin ndryshuar pergjithmone?

Ato 17 gjobat e deklaruara sot janë një numër qesharak nëse i krahasojmë me numrin e shkejles së rregullave, dëshmitarë të të cilave jemi të gjithë. Nëse sot të shtruarit në spital nga Covid janë në ritëm të ulët falë klimës së ngrohtë që zbut agresivitetin e virusit, çfarë do të ndodhë mes shtatorit dhe tetorit kur pritet kthimi i të ftohtit dhe i shirave?

Në Pekin, të terrorizuar nga Covid, dje mbyllën 9 lagje sepse u regjistruan vëtëm 7 raste të reja pas një periudhe infektimesh 0. Bashkimi Europian shtyu hapjen e kufijve me vendet e Ballkanit nga 15 qershori me 1 korrik, por pas 1 korrikut do të vendosë nëse do të lejojë hyrjet nga vendet tona në bazë të situatës epidemiologjike të secilit. Praktikisht, nëse në Shqipëri gjendja është e tillë, rrezikojmë të shohim të mbyllura akoma portet dhe aeroportet e Bashkimit Europian. Nëse nuk rinisin masat urgjente të edukimit dhe ndërgjegjësimit social, Shqipëria rrezikon të kalojë pushimet verore e mbyllur në karantinë dhe te izoluar nga pjesa tjeter e Europës.  Dhe nuk na ngushëllojnë fjalët e ndonjë ministrje të na thotë se edhe kjo ishte ''brenda prtishmërisë”.