Edi Hila ekspozon në
Paris deri më 1 shkurt

Edi Hila ekspozon në<br />Paris deri më 1 shkurt
TIRANE- Në Paris, në Galerinë JMG (Jean-Gabriel Mitterand), një ndër më të njohurat në qytetin e artit, qëndron ende e hapur ekspozita personale e Edi Hilës, e cila është çelur që më 13 dhjetor 2013. Ajo që e bën edhe më interesant këtë lajm është aktualiteti i ekspozitës dhe koha e gjatë e ekspozimit. Ekspozita e Edi Hilës do të qëndrojë e hapur edhe një muaj tjetër nga Viti i Ri, deri më 1 shkurt të 2014-s. Është e dyta herë që Edi Hila ekspozon në galerinë e njohur pariziane “JGM”. Kjo është një galeri me prestigj, e vendosur jo shumë larg muzeut “Picasso”, në një nga qendrat më turistike të Parisit. Kjo galeri e Parisit ka ekspozuar piktorë e skulptorë shumë të njohur nga vende të ndryshme të botës.   

Faqja zyrtare e kësaj galerie, e shpall ekspozitën e artistit nga Shqipëria si një ngjarje të gëzueshme. Aty mes të tjerash shkruhet se: “Edi Hila është një figurë madhore e skenës ballkanike, i cili prej 20 vjetësh na dëshmon mbi ndryshimet e thella që përjetojnë shoqëritë postkomuniste në lindjen evropiane”. Ekspozita e Edi Hilës titullohet “Penthouse”. Hila ndodhet në Paris për një periudhë kohore prej 3 muajsh si “Laureat” i Programit të Residences Internazionale, të Ville de Paris, dhe Institutit Francez. Artisti është përfshirë në një projekt për komuminikimin në pikturë. Përveç tablove të pikturuara gjatë qëndrimit të tij në Paris, Hila ka edhe tablo të çuara nga Tirana që mbartin tematikën e realitetit aktual të Shqipërisë.

Nëse dikush do ta tregojë Shqipërinë në Paris, përmes tablove abstrakte apo ngjyrave që tregojnë modernistët, Edi Hila e tregon me një thjeshtësi tërheqëse. Pjesa më e madhe e tablove të ekspozuara në galerinë JMG janë pallatet shumëkatëshe me një tarracë sipër, me të cilat është e mbushur së fundmi Tirana. Hila ka perceptuar përmes imazhit të ndërtesave mënyrën aktuale të jetesës, krizën e tranzicionit shqiptar. Duke parë këto godina pa shprehje dhe ngjyrat e ftohta, ai i vendos pikturat e tij në shërbim të shprehjes artistike, ku shikuesit e ekspozitës të ngacmohen nga e vërteta, aq sa ta kenë vështirë për t’i “asimiluar” estetikisht këto imazhe. Pikturat e Hilës mbartin brenda tyre gjithë kaosin dhe tranzicionin e gjatë historik, kulturor, social dhe politik të këtyre viteve. Përmes këtyre imazheve artisti ka arritur të përcjellë zbrazëtirën shpirtërore përballë ngrehinave që për shumicën konsiderohen si godina luksoze.”
 
Vlerësimi i kritikës franceze
Kritiku i artit Paul Ardenne në artikullin e tij me titull “Edi Hila: Penthause. My house is not your house (Shtëpia ime nuk është shtëpia jote”), shkruan se: “Në udhën e gjatë të krijimtarisë së Edi Hilës, “Penthouse” përbën një vazhdimësi të shqetësimeve të artistit, gjithnjë vigjilent dhe i shqetësuar mbi identitetin e historisë dhe të “modernitetit”, meqë ai ka përjetuar Shqipërinë komuniste dhe tranzicionin e saj drejt liberalizmit.

Por cilat janë shqetësimet e tij? Është ajo që përmes vizatimit dhe pikturës në një mënyrë realiste përcakton territorin e jetës së përditshme; t’u japë domethënie, përmes peizazhit që nënkupton “formën” e një jete kolektive, shpërfytyrimin e çdo mjedisi njerëzor, që të jetë e kapshme në dukjen e saj, në përbërjen dhe organizimin e këtij territori. Edi Hila nuk pikturon vetëm peizazhe. Ai pikturon, i jep kuptim dhe na sugjeron gjithnjë që të shohim sensin e vet peizazhit”. Më tej Kritiku i artit Paul Ardenne shkruan se “Hila përcakton mbi të gjitha një realitet socio-politik të degraduar në Shqipërinë e sotme, vend i pabarazive të mëdha dhe i kontrasteve të mëdha…”.

Kritiku francez Ardenne duke se ka kuptuar edhe filozofinë e ekspozitës. Ai shprehet se “shtëpia e izoluar është një temë e dashur për Hilën, dhe ai i sugjeron kështu këto lloj shtëpish me pamje bunkerësh, siç gjenden në veriun shqiptar, vend i gjakderdhjeve midis gjeneratave, një plagë që e ndesh ende në Shqipëri” Ekspozita Penthouse e Edi Hilës në Paris është një metaforë e gjendjes së një degradimi social, fenomen i cili i tejkalon territoret ballkanike, ku njerëzit përpiqen të izolohen nga frika e palumturisë dhe nuk ndajmë më dashurinë e tyre me njëri-tjetrin.


 Shkrimi u publikua sot (29.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris