Propozimi i PS-së vjen në kohë kur aktualisht në komisionin e Jashtëm diskutohet pr/rezoluta e propozuar nga Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit, dhe draf rezoluta e PS-së mbështet rezolutën e çamëve.
Gazetat e komentojnë sot këtë veprim si një ftesë drejtuar PDIU-së për tiu bashkuar koalicionit.
"Edhe pse ende nuk është konfirmuar një ftesë zyrtare e PS për PDIU, deklarata e kryesocialistit Rama për mbështetjen e Rezolutës Çame duket se e shpreh një gjë të tillë. "- shkruan sot gazeta Shqiptarja.com (print)
"Partia Socialiste nëpërmjet mbështetjes së saj për Rezolutën Çame, duket se po hedh piketat e para për një ftesë të PDIU në koalicionin e majtë. Ndërkohë që kur Komisioni i Jashtëm pritet që të paraqesë qëndrimin e dy relatorëve të këtij komisioni për këtë çështje, nga e cila varet dhe fati i koalicionit të ardhshëm të PDIU, kreu i PS Edi Rama doli dje hapur në mbështetje të kërkesës së PDIU për çështjen çame, duke deklaruar se i duhet dhënë fund një heshtjeve hipokrite për çështjen çame, sikurse i duhet dhënë fund edhe qasjeve të nacionalizmit primitiv. Edhe pse ende nuk është folur zyrtarisht për një ftesë zyrtare nga ana e PS, duket se gjithçka mbetet për tu zyrtarizuar pas vendimit që pritet të japë PBDNJ për koalicionin që do të hyjë në zgjedhjet e 23 qershori."- shkruan sot gazeta Shqiptarja.com (print).
Nga ana e saj Partia Demokratike nuk ka dalë ende me një qëndrim zyrtar mbi projekt rezolutën që është dorëzuar në Kuvend. Ndonëse relatori i djathtë në Komisionin e Jashtëm ende nuk ka arritur një qëndrim përfundimtar mbi materialin që është dorëzuar në Kuvend, shprehet se qëndrimi i kreut të PS është më tepër politik sesa arsyetim dhe argumentim mbi draft rezolutën e PDIU.
DRAFT REZOLUTA ALTERNATIVE E PS-se PER CAMET, PREZANTUAR DJE, 8 PRILL NGA RAMA
RAMA: ÇËSHTJA ÇAME NË POLITIKËN ME GREQINË
Partia Socialiste përgatit një projekt rezolutë alternativë e cila parashikon përfshirjen e çështjes çame si çëshje politike në marrëdhëniet diplomatike dy palëshe mes Shqipërisë e Greqisë.
"Duke e konsideruar çështjen çame si një çështje të patrajtuar në kuadër të çështjes shqiptare në Ballkan; Duke u mbështetur në frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë; Ne, përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë, e konsiderojmë çështjen çame, një çështje politike, e cila duhet adresuar në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Për këtë, i kërkojmë Këshillit të Ministrave ta përfshijë si çështje politike në marrëdhëniet diplomatike dypalëshe me Greqinë dhe të raportojë dy here ne vit pranë Kuvendit të Shqipërisë, për ecurinë e kësaj çështje."- tha Rama duke shtuar se shpresonte se me këtë draft të gjenden arsyet për ta nxjerrë këtë çështje nga terri i konfliktit dhe për ta adresuar me dinjitet.
Sipas Ramës “Në këtë kornizë do të gjenden arsyet për ta nxjerrë çështjen nga terri i konfliktit dhe për ta adresuar me dinjitet dhe mbi të gjitha për ta adresuar në mënyrë evropiane përmes instrumentave europianë”.
Rama tha se çështja çame është përfshirë në programin e Rilindjes, në pjesën ku flitet për ndërtimin e një partneriteti shumëplanësh me shtetin e ri të Kosovës dhe adresimi i çështjes came në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, të cilat janë "të një rëndësie strategjike për paqen dhe stabilitetin në rajon.”
"Ne kemi një projekt rezolutë alternative për adresimin e asaj që e quajmë çështje çame dhe nuk mund të mbetet një çështje e paadresuar. E kemi marrë përsipër ta adresojmë në program, ka një rrugë për ta adresuar, ku forcat politike të gjejnë paqen e plotë dhe ndërveprimi mes tyre. Duke u mbështetur në parimet bazë që udhëheqin vizionin tonë për një Shqipëri evropiane, normat e së drejtës ndërkombëtare, parandalimin e konflikteve, duke konsideruar të paçmuar mbështetjen e Greqisë në proceset e integrimit, marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, dhe bashkëpunimet mes nesh, duke njohur rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm, duke konsideruar çështjen çame si të patrajtuar në kuadër të çështjes së shqiptarëve në Ballkan”- shtoi Rama.
Kryetari i PS-së vlerëson se çështja çame nuk mund të zgjidhet mbi bazën e nacionalizmit primitiv të gjuhës së vjetër të urrejtjes, të frymës së një mllefi që për PS i takon së shkuarës e duhet të mbetet atje. Në këtë kuadër ai e cilësoi të papranueshme incidentin e ndodhur javën e kaluar në komisionin e Jashtëm ku situata precipitoi në kundërshti të ashpra dhe fyrje ndërmjet përfaqësuesve të minoritetit grek, Vangjel Dule i PBDNJ-së dhe atij çam, Shpëtim Idrizi i PDIU-së.
“Ishte e papranueshme ajo që ndodhi në Komisionin e Jashtëm, kur dy forca politike që përfaqësojnë dy komunitetet qytetarësh shqiptarë që jetojnë në të njëjtin truall, ndajnë të njëjtat halle e probleme e të njëjtën perspektivë evropianë për atdheun e përbashkët pavarësisht se kanë prejardhje të ndryshme, probleme të mëvetësishme, ishte dicka që ne na nxit në reflektim të shpejtë dhe të thellë e solid” tha Rama.
DRAFTI I PS-SË PËR ÇËSHTJEN CAME
-“Duke u mbështetur në parimet bazë që udhëheqin vizionin tonë për një Shqipëri Europiane në marrëdhëniet ndërkombëtare; normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare; të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet kombeve; të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të fqinjësisë së mirë; bashkëpunimit rajonal, dhe solidaritetit ndërkombëtar;
-Duke vlerësuar se Shqipëria Europiane në marrëdhëniet ndërkombëtare ka në qendër të misionit të saj adresimin e çështjes kombëtare, mbrojtjen e interesave kombëtare, të pavarësisë, lirisë e të sovranitetit të vendit, parandalimin e konflikteve dhe kontributin për paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë;
-Duke e konsideruar të paçmuar mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë në proceset e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë, marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve tona, dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat si dy vende fqinjë dhe aleate në strukturat euro-atlantike;
-Duke njohur rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në funksion të adresimit të çështjeve me interes të ndërsjellë dhe krijimit të një modeli bashkëpunimi edhe për vendet e tjera të rajonit;
-Duke e konsideruar çështjen çame si një çështje të patrajtuar në kuadër të çështjes shqiptare në Ballkan;
-Duke u mbështetur në frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë;
-Ne, përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë, e konsiderojmë çështjen çame, një çështje politike, e cila duhet adresuar në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
-Për këtë, i kërkojmë Këshillit të Ministrave ta përfshijë si çështje politike në marrëdhëniet diplomatike dypalëshe me Greqinë dhe të raportojë dy here ne vit pranë Kuvendit të Shqipërisë, për ecurinë e kësaj çështje.”
REZOLUTA E IDRIZIT
Prej janarit komisioni i jashtëm po diskuton pr/rezolutën e propozuar nga PDIU për çështjen çame dhe relatorë janë Fatbardh Kadilli, deputet i PD-së dhe Qemal Minxhozi deputet i PS-së.
Rezoluta çame u dorëzua më 10 dhjetor, 2012 dhe nismëtar ishin dy deputetët e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri. Ajo përbëhët nga 13 pika dhe ndër të tjera shprehet për shfuqizimin e ligjit grek të luftës, i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940, akoma në fuqi, njohjen e së drejtës së riatdhesimit, njohjen e statusit të minoritetit etnik etj.
Lajmi fillimisht u publikua 12:05 të 8 prill 2013 dhe u përditësua sot më 9 prill ora 08: 20
(sg/shqiptarja.com)