Edison Ypi: Ik te Mali me Gropa

Edison Ypi: Ik te Mali me Gropa

Mali me Gropa

Makinë ke. Qefli i natyrës je. Qytetarët po ta shpifin. Qyteti të ka ardhur te fyti. Katunin dhe katunarët i do e i respekton. Me SPAK-un s'ke asnjë problem. Me vajt te Mali me Gropa, fort mirë të ka vajt menia.
Ky udhëtim fillon te "Qafa e Priskës". Mu aty, pasi i ke hedhur një sy oqeanit mahnitës të maleve në Lindje, dhe je kthyer majtas drejt Qafmollës, ndjen fërgëllimin e parë mrekullues të freskut krahasuar me ajrin metropolitan që sapo e le pas.

Do befasohesh me pamjen madhështore të Dajtit nga mbrapa. E kishe menduar pakashumë të njëjtë me pamjen nga përpara. Është e natyrshme. U ndodh të gjithëve.
Qafmolla është si ato femrat e mbuluara që i fshehin hiret. Nuk merret vesh ku i ka shtëpitë e bukura, kopështet e qëndisura, qershitë e shijshme, mollët e shëndetshme, dardhat e lëngshme, hardhitë dehëse, dhe xhevahiret e tjera.

Përgjatë rrugës duken vetëm restorante si kështjella mesjetare, tepër të frekuentuar, të famshëm për mishin e pjekur të kecave dhe dhive të këtyre anëve.
Deri në Feken do ndeshësh tek-tuk ndonjë banor lokal anës rrugës në pun' të vet, ose ndonjë Benz apo Tojotë, disa motoçikleta të fuqishme me turista me skafandra që fluturojnë si të tërbuar mbi shkëmbinj tek vijnë nga vende të largëta, nga Kina, India, Japonia, dhe sulen si rrufeja drejt Tiranës mesdhetare, por edhe turista vendas që ngjiten e zbresin nëpër shkëmbinj me shkopa në duar.
S'do mend që do llafosesh me ca prej këtyre që udhëtojnë përmes mrekullirave tona. Njeriu i flet njeriut. Kafsha nuk i flet njeriut. Por ka një problem. Çfarë thotë njëri, s'e thotë tjetri. I ka çmendur Bukuria. I ka bërë belbanë. Njëri thotë se Kroi i Kuq është katër orë larg. Tjetri bën Be' jo më tepër se gjysëm ore. Bëj si të duash. E mira është t'i besosh të dyve dhe gjithë të tërbuarve nga bukuria. Dhe mos u ndal. Ik, arratisu, rrëshqit, çmendu, humb, edhe ti si ata.

Pas Fekenit s'ka asfalt. Por s'ka as problem. Rruga ka taban të fortë shkëmbor. Asnjë rrezik për rrëshqitje. Humnerat e thella që të marrin mentë, janë të frikshme dhe të rrezikshme. Por zgjidhje ka. Nëse prej tyre ke frikë, me humnerat mos u krruj, fundin e tyre mos e shih.

Malet e panumurt, luginat ku natën dalin e këndojnë e vallzojnë xhindet, pyjet mahnitës, liqeret e kaltër, përrenjtë e shpejtë, shkëmbinjtë e fortë, mos u lodh t'ja rrëfesh ose t'ja shkruash ndonjë miku apo, aq më keq, të dashure kur të kthehesh. Është e pamundur. Ti s'do dish çfarë t'i thuash, ajo s'do ketë çfarë të kuptojë, aq më pak të ndjejë. Ato bukurira ndodhen përtej Fjalës, përtej Prozës. Me ato merren të tjerë, poetët, muzikantët, piktorët. Gjatë këtij udhëtimi ti bëj atë që të përket: ruaj zemrën nga ndonjë infarkt.

Harroje orën, rrugën, rreziqet. Veç ik, dhe duke ik shih, nuhat, dëgjo, prek, përqark.

Duke ikur përmes një dushknaje plot me kthesa do të duket sikur ke rënë në një pus të thellë prejnga s'ke për të dalë dot kurrë.
Kur je fut në një pyll pishash do të duket, një herë sikur ke ngatrru rrugën dhe je tu shku drejt Burrelit, tjetrën herë sikur po del te liqenet e Mollagjeshit pranë Labinot Malit.
Mos u merr me këto fantazira se do çmendesh. Thjesht vazhdo.

Ja Mali me Gropa dy mijë metra mbi nivelin e detit.
Qindra, mijra, qindramijra, gropa. Nga disa metra te disa dhjetra metra diametri. Miliona vjet të vjetra. Por edhe fundosje të freskëta të para disa ditëve. Lashtësia milenare kaq pranë me të tashmen.
Urgjent muzikantët.
Urgjent piktorët.
Urgjent Poetët.

Ta dëshmojnë këtë Parajsë ata që dinë, ata që e dashurojnë, ata që e ndjejnë. Jo shejtanbudallenjtë vetshpallur Poeta nëpër promuovime plot gromësima vetëm sepse kanë qënë në burg, por Poetët e vërtetë.
Diku të del para një pamje e paspjegueshme. Disa të huaj të rinj, pasi kanë lënë dy Toyota dhe një Benz me targa të panjohura anës udhës, të vetmet makina që do shohësh nga Fekeni te Kroi Kuq, i janë qepur një pllaje mali ku po mbledhin një lule të bardhë me kërcell të hollë dhe të fortë deri në tokë. Mir bëjnë çunat dhe gocat ardhur nga fundi i botës në mes të kurrkundit për një aromë të rrallë. Si quhet ajo lule që rritet në nja një kilometër dhe askund tjetër përgjatë këtij udhëtimi ? Këtë zor se do e mësosh ndonjëherë.

Ec e ec mes mahnitjeve, kur befas të del para një livadh i madh, i blertë, në formë tasi, rrethuar me pyje. Në mes të livadhit një Lapidar. Në Lapidar, pllaka e mermerit mungon pllakën e kanë shkulur. S'ke si ta dish apo mësosh, cila luftë u bë, nga kush, kundër kujt, pse, sa u vranë, sa u plagosën, sa u zunë robër, sa u gënjyen, sa u mburrën nga ajo luftë për nderin dhe lavdinë e cilëve shejtanbudallenjtë ngritën lapidarin ? Lapidari i shurdhët nuk ka përgjigje për këto pyetje.

Megjithatë, po s'je budalla, ca gjëra i kupton, edhe pa pllakë përkujtimore.
Vendi për Lapidar nuk është zgjedhur se këtu është bërë ndonjë luftë. Këtu nuk është bërë asnjë luftë. Lufta nuk bëhet nëpër vende të shkreta, sado të bukura. Luftat bëhen në vendet e begata. Ky Lapidar ndodhet këtu për 1 arsye të vetme; sepse ky shesh, ky livadh, ky kryqëzim, është vend i mirë për Lapidar. Pra ky lapidar nuk është lapidar i vërtetë. Ky lapidar është lapidar propagandiatik. Vendi i mirë për luftë nuk është vend i mirë edhe për lapidar. Vendi i mirë për lapidar nuk është vend i mirë edhe për luftë. Vende të mira edhe për luftë edhe për lapidarë nuk ka, nuk mund të ketë. Patriotët lapidaristikë e kanë vënë këtë lapidar në një vend të dukshëm ku s'është bërë asnjë luftë. U lumtë lapidaristikëve që kanë arritur deri këtu ku lapidarin propagandiatik veç teje që i ke qef këto gërxhe nuk e sheh as nuk e njeh asnjë tjetër.
Më të majtë të lapidarit, drejt veriut, rruga shkon në Gurabardh, Klos, Burrel, Rrëshen, Rruga e Arbërit, dhe kahmos. Lere për më vonë. Do ishte sikur pas një tepsie me bakllava të hash dhe një kazan me revani, çka s'është e mundur. Udhëtimi në dy rrugë të ndryshme njëkohësisht, shkenca hëpërhëmnuk nuk e ka zgjidhur. Lere për herë tjetër.

Pak përtej lapidarit, mbi një brinjë shkëmbore, shtrirë, një çoban me krrabë, me qen Sharri, fyell dhe shotgun, do të thotë se është demokrat i thekur. Çobani të nxjerr sytë për Doktorin. Po i the se Doktori nuk ka 12 ditë, as 12 javë, por 12 vjet që shkon nga humbja, do të përgjigjet se për gjithçka e ka fajin "i gjati" që i ka zaptuar të gjitha pushtetet. Mos e kundërshto viktimën e propagandës duke i thënë se demokratët ja dhuruan pushtetet "të gjatit" kur grisën mandatet etj. Lere të fantazojë brenda fatkeqsisë televizive. Vazhdo nëpër mrekullirat natyrore.
Ja dhe Kroi Kuq. I kuq për shkak të mineralit të hekurit mbi sipëfaqe, apo për shkak të rrenave me trima partizanë që luftuan heroikisht me mullinjtë e erës nëpër këto gërrxhe, këtë s'e mëson dot. Te lapidari ishte shkulur pllaka. Këtu mungojnë njerzit.

Kroi Kuq është i famshëm qysh heret, mes tjerash, për gojdhanën gastronomike dëshmi të urisë së gjyshërve se aty mund të hash sa të duash tasa me grosh me të vetmin kusht nga tasi në tas nga një gotë uji të këtij kroi.
Sot ky krua si një konteiner i madh që i kanë çpuar dyer e dritare, ngjan si restorant i imrovizuar, dhe është bosh. Trokit sa të duash. Nga brenda s'bëzan kush. Ndoshta i ka zënë gjumi dhe po shohin ëndërra nën shushurimën e kroit përjashta barrakes që rrjedh e rrjedh pa u ndalur që nga kohët e lashta.

Tabela thotë se rruga vazhdon për në Martanesh dhe Fush Studë. Duket e pabesueshme. Të udhëtosh nga Librazhdi drejt Bulqizës, dhe në Fush Studë të hedhësh sytë në perëndim, Martanesh etj. tmerrohesh nga një oqean me male të larta, të egra. Duket si fundi i botës. Të pëlqen, por edhe të kap një trishtim. Megjithatë është e mundur. Jo duke kërkuar ndihmë nga Ajnshtajni për tu ndarë virtualisht më dysh e më tresh. Jo sot. Jo këtë herë. Lere për më vonë. Kur pjesën e trurit përgjegjëse për përpunimin e aventurave nëpër bukurira natyrore ta ketë marrë malli për të tjera.
Tani kthehu. Zbrit në Vërri, pastaj Shëngjergj, e me rradhë deri nga u nise, te shtëpia me komshinj grindavecë, zhurma, ulurima, piskama.
Si urdhnon zoti Kallauz. Ja po zbres teposhtë.

Tre vëllezër po i japin dorën e fundit një Guesthouse gjigande me tre kate me ornamente si kështjellë ku turistat do hanë e do pinë, do zhdëpen me mish e pilaf, dhe valle do hedhin. 
Vila, shtëpi të reja, kopështe, oborre të sistemuara, lokale, restorante, ujra që rrjedhin nga Mali me Gropa.
Shëngjergj, Vërri, përgjatë dhe anash rrugës së asfaltuar zhytur në gjelbërim, makina, fuoristrada, motoçikleta, rulota, turista miz' e lisit.

Ku lugina përallore mbaron dhe nis ngjitja me dredha për te Qafa e Priskës, një autostopist. Merre se osht gjynof.
Autostopisti ka një të folme me përmbajtje moralistike shurdhuese si avulli që del me ndërprerje nga tenxherja me presion.
Le të nxjerrë avull autostopisti dhe tenxherja. Një turiste adoleshente nordike, bjonde, shtatlartë, pothuaj lakuriq, me bishtin e leshrave që i tundet nga pas, po vrapon mbi asfalt në muzg.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Dorda: 02/05/2024 10:03

    Mrekulli me beri te udhetoj e shijoj gjate leximit Me lejoni te bej dy saktesime Lapidari ne pllaken e tij Tremont Formimin e Brigates se II sulmuesr me komandant Beqir Ballukun dhe jo ndonje lufte ne ate vend Kroi Kuq nuk mbahet mend per groshet por per mishln e fresket dhe ne vecanti per kosin e deles

    Përgjigju
  • Pena: 01/05/2024 17:32

    Reportazh fantastic, mu duk edhe mua sikur beja te njejtin udhetim te bukur! Realizem romantic!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

E bujshme nga Italia, Fabregas kërkon te Como Luka Modric dhe ish-yllin e Barcelonës

E bujshme nga Italia, Fabregas kërkon te Como Luka Modric dhe ish-yllin e Barcelonës