I thotë shqiptari Perëndimit:

​- Zoti Perëndim, më jep ndonjë gjë se jam fukara.

​I gjegjet Perëndimi Shqiptarit:

​- Ta qaj hallin. Jemi vëllezër. Je perëndimor prej kaheri. Por nuk kam për ty gjë që hahet ose vishet. Që ti dinjitetin tënd mos t'ia hedhësh qenve, por ta ruash, nuk kam për ty asgjë të gjallë që hahet. Kam vetëm një vegël të vdekur që përdoret. Kam grep. Nuk kam peshk. Po deshe grep, ta jap. Merre grepin tim, hidhe në det, zër peshk, fute në tigan, haje, ngopu. Po s'u ngope me një peshk, hidhe prapë grepin, zër një tjetër peshk, gatuaje dhe haje. E kështu me radhë. Ti dhe shokët e tu, që ta ruani nderin, sa herë të keni uri, hidhni grepin, kapni peshkun, shtrijeni në tigan, vëreni mbi zjarr, hajeni. Mos prit peshk nga unë, që peshk pa grep nuk kam, nuk mund të kem, nuk dua të kem. T'i isha lutur dynjasë të kisha peshk pa grep si po bën ti, do isha më fukara se ju. Në të dhëntë dikush peshk pa grep, do e hash, dhe pas pak do bëhesh vetë peshk në zall. Provoje po deshe, dhe do më kujtosh. Do jetë kohë e humbur. Sa më shpejt ta kuptosh se grepi vegël është më i mirë se peshku ushqim, aq më mirë për ty që peshkun e ha, e tret dhe e 10. Do sillesh sa do sillesh, prapë te grepi im do përfundosh. Detin ta ka falur Zoti. Grepin s'të lypset me ma marrë nga dora. Një grep ta fal vet për indiferencën historike që kam dëshmuar ndaj teje. Të betohem për Kishën e Laçit, nuk po ta bëj qejfin. Jam racional. Jam i arsyeshëm. Dukem i ftohtë. Por jam zemërbutë, jam shpirt njeriu. E hidhur apo e ëmbël, po të them të vërtetën. Bëj si të thashë. Të pasurohesh e të begatohesh vetë dhe të dashurit e tu, më mirë nisu me grepin tim e zër sa të duash peshq në detin e Zotit.

​Shqiptari dyshues nuk u nis me grepin e Perëndimit drejt detit të Perëndisë, por, si shkretan që është, drejt Lindjes, shkretëtirave, rërave, rehatit, shilteve të buta, bakllavasë së ëmbël, tingujve të zvargur.

​- Zonja Lindje, më jep ndonjë gjë se jam fukara. Më ke borxhe. Më ke mbajtur qindra vjet nën thundër duke më lënë prapa botës me shekuj.

​I gjegjet Lindja Shqiptarit:

​- Të jap një peshk. Edhe atë tepër e ke. Po e deshe. Po s'e deshe, as atë s'ta jap. Sa herë të kapë uria, të jap një peshk. Do vazhdojmë me nga një peshk timin për çdo uri tëndën, derisa të bëhesh i varur nga marrëdhënia: unë një peshk ty, ti një spiunllëk mua. Vazhdojmë ta këmbejmë për ca kohë peshkun me spiunllëkun. Po më pëlqeve si spiun, do të jap ndonjë lek. Jo shumë, se mësohesh keq. Pak. Aq sa spiunllëku të bëhet ves dhe nga spiunllëku të mos ndahesh dot dhe të mbetesh përgjithmonë spiuni im. Mos kij frikë se zbulohesh. Edhe po të zbuluan, s'bëhet qameti. Të mbroj unë si i zoti mbron qenin e vet në rrezik. Peshkun që do të jap për çdo spiunllëk do ta kamuflojmë sikur ti mjerani që kënaqesh me një peshk, ti kafsha e pangopur materialiste, ti derri që s'ndien asnjë dhembshuri për vendin tënd, ti gdhëja gjoja i Shoqërisë Civile, ti injoranti që s'lidh dot dy fjalë, shkruan, ta zemë, për një revistë spiune të kamufluar si qytetare andej nga Prishtina ose Shkupi etj. Me thënë të drejtën, unë që ty faqeziut mezi të jap një peshk, grepa dhe rrjeta kam, por i kam për vete. Mos të duket çudi që pa peshkun që të jap ty në këmbim të spiunllëkut, falimentoj. Duhet të kesh edhe ti pak mëshirë për mua. Unë pushtues e ti i pushtuar, jemi miq të vjetër. Si ka thënë kaurri Niçe: "Po ndejte gjatë me Djallin, bëhesh si Dreqi." Ta shohësh hollë, unë jam më fukara se ti. Kij pak mëshirë...

​E dëgjoi sa e dëgjoi shqiptari Lindjen, dhe iku volli në përrua. Aty iu kujtua Naimi:

​Dielli lind kah perëndon.

​Dhe u bind përgjithmonë: më mirë ujë nga burimi se nga gjirizi, më mirë fruta bio se të modifikuara, më mirë grep nga veriu se peshk nga jugu, apo e ngatërrova?