Ish-deputeti i Sali Berishës, Agron Shehaj, i cili pasi kopjoi databazën me anëtarët e partisë themeloi partinë e tij personale, duke fituar në zgjedhjet e fundit vetëm dy mandate, ka përfunduar në telashe për shkak të pasurisë së tij të dyshimtë.

Në qendër të dyshimeve të forta ndodhet një vilë misterioze prej 251 metrash katrorë në Forte dei Marmi, një zonë bregdetare që realisht është ndër më të shtrenjtat në Itali, të cilën Agron Shehaj e bleu në vitin 2021 për 2.9 milionë euro.

Dyshimi lind nga fakti se në vitin 2025 ai pretendohet se e ka rishitur vilën për 15 milionë euro, siç ka shënuar vetë në deklaratën e pasurisë të paraqitur si deputet.

Kush është blerësi misterioz kaq i marrë sa të ketë paguar 60.000 euro për metër katror për një vilë që vlen vetëm rreth 11.000 euro për metër katror? Deri më sot, Agron Shehaj e ka mbajtur sekret emrin e tij.

Por ajo që i shton edhe më shumë dyshimet është një batutë që vetë Agron Shehaj ka bërë në një postim të tij në Instagram, ku, për të tentuar ta paraqesë si normale vlerën marramendëse të vilës, ka deklaruar tekstualisht:

“Vilën e kam shitur për 15 milionë euro. Të gjithë tani po habiten dhe thonë: Ku i gjeti ky gjithë këto parà. Me punë, vetëm me punë të ndershme."

Ky, më shumë sesa një argumentim, duket si një lapsus. Sepse, në të vërtetë, Agron Shehaj ato para teorikisht i ka arkëtuar duke shitur vilën, prandaj askush nuk po e pyet se ku i ka gjetur ato para. Përkundrazi, pyetja logjike do të ishte: ku i ka gjetur 15 milionë euro ai që i ka paguar për të blerë vilën, dhe jo Agron Shehaj, i cili (teorikisht) i ka marrë duke e shitur atë.

Pse, atëherë, në vetëmbrojtjen e tij Agron Shehaj ngatërron shitësin me blerësin e vilës?

Është një lapsus që ushqen dyshimet për një operacion aspak të qartë pas kësaj shitblerjeje, në vend që t'i largojë ato.

Ja pse është e domosdoshme që Agron Shehaj të bëjë sa më parë publik emrin e blerësit të pasur, arsyen pse vila e tij e ka pesëfishuar vlerën në vetëm katër vjet, si dhe ku dhe si e ka arkëtuar atë shumë.

Dhe, në pritje që këtë ta bëjë ai vetë, është e arsyeshme të imagjinohet se edhe autoritetet e shtetit duhet të nisin një hetim për të sqaruar çdo detaj të kësaj çështjeje.

Nëse vërtet Agron Shehaj është bërë miliarder vetëm me punë të ndershme, siç e reklamon vazhdimisht, nuk ka pse të shqetësohet.