I pari që e lëshoi këtë akuzë ishte Lulzim Basha, i cili, për t’iu përgjigjur një investigimi të revistës prestigjioze amerikane “Mother Jones”, e cila akuzonte disa lobistë të Partisë Demokrate se ishin financuar nga Rusia për të ndihmuar liderin shqiptar të opozitës, nuk gjeti asnjë mënyrë tjetër më të mirë veç ofendimit të mediave që kishin publikuar investigimin. “Shkrimi është qesharak për nga përmbajtja dhe skandaloz për nga falsifikimi i fakteve dhe kapërcimet logjike. Shkrimi është produkt i një fushate të gjerë që ka ndërmarrë Edi Rama, të financuar nga burime të paligjshme që vijnë nga bota e krimit dhe e korrupsionit. Fushata e financuar me burime të paligjshme po bëhet tani që Edi Rama po ushtron presion për të mbyllur hetimet ndaj Saimir Tahirit dhe për të mos hetuar garantuesin politik të trafikut të kokainës kolumbiane”. Asnjë fjalë për të përgënjeshtruar me fakte investigimin gazetaresk, asnjë dokument për të shpjeguar se kush ishin financuesit e vërtetë të lobimit që Lulzim Basha bëri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm shpifje dhe kriminalizim i mediave, të paraqitura si të korruptuara e të blera nga të korruptuar të tjerë.
Pak orë më pas, i takoi Ilir Zelës, kryetar i AKEP-it dhe ish-deputet i Partisë Socialiste, të ndiqte të njejtën rrugë identike, të hapur në mëngjez nga Lulzim Basha. Duke raportuar para Komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese mbi procedurat e ndjekura për të ripërcaktuar tarifat telefonike terminale të telefonisë së lëvizshme (të cilat, sipas investigimeve të disa mediave, favorizojnë një operator privat në dëm të dy të tjerëve), Zela u përgjigj me të vetmen mënyrë, më të cilën arroganca e pushtetit i sugjeroi të përgjigjej: artikujt e mediave që denonconin parregullsitë e AKEP-it janë paguar nga agjencia reklamash. Asnjë fakt, asnjë dokument për të shpjeguar arsyetimet e tij dhe për të përgënjeshtruar me fakte mediat. Vetëm shpifje dhe kriminalizim i gazetarëve.
Është e vërtetë që shtypi ka shumë probleme dhe gazetarët shpesh sillen si pjesë e atij “kazani”, një shprehje e shpikur nga kryeministri për të përkufizuar gazetarët që nuk dinë të bëjnë zanatin e tyre. Por ka një ndryshim të madh mes nesh, gazetarëve dhe politikanëve: gazetarët nuk janë të gjithë njësoj e kështu që nuk janë të gjithë kazan; ndërsa politikanët, kur sulmohen, janë të gjithë njësoj. Janë të gjithë kazan pa dallim.
d.b/shqiptarja.com










