Rrethe të brendshme në PD japin alarmin që kjo forcë politike me Berishën në krye po shkon drejt shuarjes.

PD ka që nga viti 2022 që po vrapon drejt shuarjes dhe arkitekti i shuarjes është Sali Berisha. Ai vuri interesat e tij mbi ato të PD.

E filloi drejt me Rithemelimin, por e braktisi rrugës pas zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki, në Shkurt 2022.

Ai mendoi që marrja e vulës dhe simboleve dhe bashkimi pa princip me ata që u nda për principe në Shtator 2021, ishte më i leverdisshëm se sa ruajtja e fondamenteve te Rithemelimit.

Berisha i la në baltë dhe i shihte si pengesë, të gjithë ata qe i dolën krah në ditët më të vështira të karrierës së tij politike, kur e pezulluan nga grupi parlamentar i PD në Shtator 2021.

Sot në PD dominojnë plotësisht ata që Berisha nuk u ka lënë gjë pa ju thënë dhe reciprokisht edhe ata nuk kanë lënë gjë pa i thënë Berishës.

Asnjë prej tyre nuk i beson Berishës, madje në thelb as Flamur Noka me intuitën e tij prej fshatari nuk i beson, pasi ka parë nga afër gjithë prapaskenat se çfarë ka ndodhur në PD gjatë 4 viteve të fundit. Ai e di që Berisha është jo mirënjohës për ata që sakrifikojnë për të.

Me këtë veprim ai humbi përfundimisht besimin e bashkëpuntorëve të afërt dhe publikut që mendonin se rikthimi formal i Berishës në krye të PD, do i shërbente interesit më të mirë të kësaj force politike, opozitës, publikut dhe vendit.

Se sa e gabuar ishte strategjia që Berisha ndoqi gjatë periudhës 2022-2025 e treguan zgjedhjet e 11 Majit 2025, të cilat i humbi me 300 mijë vota diferencë me PS, ose 10 herë më thellë se sa humbi Basha në vitin 2021.

PD-në e sotme, e paaftë të rikthehet në pushtet, Berisha e ka modeluar me ndërgjegje në këtë formë, sepse ajo kështu i duhet. Rrotull tij ka mbledhur njerëz që bëjnë zhurmë sepse zhurma i duhet.

Sheshi sot nuk është i PD si dikur, sepse PD nuk ka synim te rikthehet fituese, objektivi është të ruhet statukuoja, të gëzoje privilegjet qe i jep te qenurit në opozitë.

Se në çfarë bataku është opozita, sa të pashpresë e shikon ajo veten për të rrëzuar Ramën, e tregon bashkimi në protestë me marksistët e Tiranës, fondamentalistët e islamit politik, xhamillarët e Tetovës, vullnetarët neomarksistë të Prishtinës, ekstremistët molotovarë, antiamerikane të të gjitha formave e karrigethyerit e PS që shikojnë ëndrra vere se po i marrin pushtetin Ramës.

Një parti e djathtë nuk mund të vijë në pushtet me këtë shportë karavidhesh, me revolucion, nëpërmjet rrugës, me forcë, me molotov.

Të djathtët vijnë në pushtet me votë, me fitore në zgjedhje.

Edhe nëse zgjedhjet vidhen, duhet gjetur njeriu i duhur që nuk lejon manipulimin zgjedhor, sikurse e gjetën të djathtët në Hungari.

Që PD të kthehet në forcë të vërtetë opozitare i duhet të ndryshojë rrënjësisht.

Ajo duhet të marrë përgjegjesinë publike për gabimet dhe kompromiset e rënda që ka bërë, të ndryshojë lidershipin, të hartojë një program me këmbë në tokë për sfidat që ka vendi, të përmirësojë në mënyrë thelbesore marrëdhëniet me ndërkombetarët dhe të hidhet në terren, atje ku janë qytetarët dhe votuesit.

Këtë ndryshim nuk mund ta bëjë Berisha. Ai i tregoi kufizimet e tij, që i intereson statukuoja dhe jo një PD opozitare e vërtetë.

Prandaj ndryshimi duhet të fillojë me largimin e Berishës.

Në PD ka një shumicë drejtuese që e di se me Berishën nuk ka të ardhme. Fatkeqësisht çdo njeri shpreson që duke i bëre qejfin Berishës të jetë nesër trashëgimtari i tij.

Një skenar i tillë nuk ka për të ndodhur. Berisha ka të tjera plane.

Oportunizmi dhe servilizmi nuk ndihmon asnjëherë cilindo individ që ka këtë objektiv dhe nuk e shpëton dot një forcë politike nga shkërmoqja.

E ardhmja do i takojë atij që do guxoje të sfidojë Berishën.

Në të kundërt, do ndodhë ajo që po e paralajmërojnë edhe njerëzit e afërt të Berishës, PD lindi me Berishën dhe do mbarojë para tij./Marrë nga profili në Facebook