Çuditërisht, prej kohësh i është mëshuar fort idesë së “mitit” për figurën historike të Heroit kombëtar shqiptar. Dhe kjo nga “studiues” të angazhuar në synime të caktuara, por të zhveshur nga objektiviteti shkencor dhe të prirë kokë e këmbë drejt një subjektiviteti që përkëdhel, as më shumë e as më pak, egon e tyre në emër të gjoja ideve origjinale, mendimeve personale, gjykimeve të veçanta që veç ata dinë të japin! Sepse veç ata na qenkan në gjendje të zhbirilojnë “mite” e të na bëjnë catharsis për të ndarë “të rremen” nga e “vërteta”, “të keqen” nga “e mira”, apo në gjuhën popullore “shapin nga sheqeri”.
Mirëpo, lepuri fle gjetkë, në folenë e bastardimit shkencor e të denigrimit, dhe tjetër kund e kanë hallin, sado thërrasin e bërtasin për gjoja vlerësim shkencor “me mend e me vend”. Por le t’ia lëmë më mirë fjalën Z.Papazahariu, profesor i Universitetit të Athinës, tek mban speech-in e vet në Paris, botuar në “Bulletin de la Société d’Histoire Moderne”, nr. 2, 1971, dhe mbështetur në këto pesë drejtime, nga A në E:
A. Skënderbeu, simbol kombëtar;
B. Historia e tij;
C. Legjenda e tij;
D. Si ai bëhet simbol kombëtar i shqiptarëve;
E. Rikthimi i Skënderbeut.
Duke dashur t’i kundërvihet atmosferës së kohës pas Kuvendit II të studimeve albanologjike (janar 1968) mbajtur në Tiranë me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut me pjesëmarrje të gjerë studiuesish të huaj, prof. E. Zakhos Papazahariu hyn drejt e në thelbin e kumtesës së vet kur thotë:
“Është fati i tij [i Skënderbeut], shndërruar në mënyrë të veçantë në simbol që na intereson” në një kohë kur “...miti i tij mbahet fort me një vazhdimësi të çuditshme deri në rënien e Perandorisë së tyre [të Otomanëve]!”
Me fjalë të tjera, shndërrimin e figurës së Skënderbeut në simbol të përhershëm kombëtar të shqiptarëve, profesori grek e quan thjesht “mit”, që sipas tij u dashka zhbërë! Edhe pse ai detyrohet të pranojë se shqiptarët “me një simbol aq të lashtë dhe aq të njohur sa ç’është Skënderbeu, arritën me anë të forcës të kalisin një ndërgjegje nacionale”, përsëri, ai e sheh “paradoksin e simbolit Skënderbe në aventurën e mitit të tij gjatë pesë shekujve dhe në përligjjen e plotë të mitit nga vetë shteti komunist...”!
Në fakt, kemi këtu një amalgamë vërtet të çuditshme dhe diabolike nga Papazahariu, i cili lodhet më kot ta lidhë figurën e Skënderbeut me regjimin komunist, kur fjala është për dy gjëra krejt të ndryshme dhe pa lidhje organike: sepse Skënderbeu është dhe mbetet simbol historik i përjetshëm i shqiptarëve, është pjesë koherente e vetëdijes së tyre kombëtare, dhe dashuria e tyre për të nuk njeh kufij ideologjikë e politikë, ndërkohë që regjimi komunist e diktatorial, si çdo diktaturë kalimtare dhe e përkohshme është i destinuar thjesht të zhduket, siç u zhduk! “Oburrani!” - duket sikur thërret historiani grek, një rrugë e dy punë: të dënojmë regjimin komunist, e të shembim edhe simbolin e përjetshëm kombëtar të shqiptarëve në emër të “mitit të Skënderbeut”! Ja qëllimi i errët i prof. Papazahariut qepur me pe të bardhë.
Më poshtë, në pikën B – Historia e Skënderbeut, kumtuesi grek jep me penelata të shpejta një pasqyrë të perandorisë osmane, si superfuqi e kohës, karakterizuar, siç thotë, nga “stil i ri shtetëror, sistem koherent e i plotë dhe shumë më modern nga tërë ata që ekzistonin në atë kohë”. Çfarë lajkash të pacipa, për një perandori agresore që fuqinë e saj e mbështeste thjesht në forcën numerike të skllevërve e të ushtarëve shumëkombësh e shumëmilionësh që hidhte në luftë! Dhe menjëherë pas kësaj, autori grek veç kur zë e deformon me dashje, kokë e këmbë, krejt faktet historike kokëforta që kanë të bëjnë me Heroin tonë Kombëtar dhe epopenë kastriotine, dhe konkretisht:
1. Deformon çështjen e dhënies peng të Skënderbeut me një marifet prej pelivani kur shprehet: “I dhënë në moshën 9 apo 18 vjeçare tek Otomanët nga i ati i tij Jean [Gjon] Kastrioti si peng, na thuhet, [nënvizimi ynë], për të garantuar ndershmërinë e tij ndaj tyre, ai [Skënderbeu] frekuentoi gjatë 15 vjetëve Oborrin e Andrinopojës...”. Mjaftojnë këtu vetëm këto dy fjalë - “na thuhet” - nën penën e tij, për të hedhur hije dyshimi që Skënderbeu nuk qenka dhënë peng te sulltani!
Dhe menjëherë ai del në konkluzionin se “... shumë fisnikë të popujve të krishterë të Ballkanit i dërgonin vullnetarisht bijtë e tyre në oborrin e Andrinopojës për të përqafuar këtë karrierë të re. Me sa duket, i tillë është rasti edhe për bijtë e klaneve princërore apo e kryetarëve të fiseve të Albanumit”(nënvizimet tonat). Ja pra dredhia, ja djallëzia: sipas profesorit grek, që na paska bërë një zbulim të hatashëm, Skënderbeu u dërgua vullnetarisht dhe me shumë dëshirë nga i ati Gjoni tek turqit, për të bërë karrierë ushtarake!
Mendojmë se nuk ia vlen të zgjatemi me komente, por thjesht po kujtojmë këtu se aleancat martesore me pleksje gjaku në atë kohë, kishin bërë e do binin Oborri mbretëror serb me Oborrin sulltanor të Andrinopojës e Kostandinopojës (pa folur për Bizantin në rënie!), ndërkohë që shqiptarët e epokës kastriotine i shihnin agresorët osmanë si armiq dhe as që bëhej fjalë për krushqi me ta e për karrierë ushtarake nën hijen e tyre !... Përkundrazi, shqiptarët të vinin damkën e tradhtarit e të renegatit po të bëje aleancë me armikun!
2. I cilëson shqiptarët si xhandarë të Perandorisë osmane në shërbim të skllavërisë të bujkut serb e ballkanik dhe më keq akoma si mercenarë të Venedikut, si post-roje pritash, cuba, piratë etj. që “ndërronin padronë si të donin e kur të donin, falë famës së mirë që kishin në tregjet e mercenariatit” (!) Po ashtu, i sheh ushtritë osmane mbushur dëng me “malësorë të Albanumit... [që] u shquan për nga numri në gjirin e ushtrisë osmane dhe në gjirin e trupës së jeniçerëve” (!) Pra, nuk ka më blozë!
Në fakt, dihet, dhe është meritë e tyre historike, që shqiptarët bënë emër të mirë (sidomos pas vdekjes së Skënderbeut) jo vetëm si luftëtarë të zotë të angazhuar në çështjen kombëtare, por edhe si luftëtarë me pagesë apo si mercenarë në Perëndim, nën frymën e kohës, ashtu sikurse shquheshin edhe mercenarët zviceranë, kroatë, spanjollë apo gjermanikë në ushtritë e oborreve mbretërore të Europës. Dihet po ashtu që ishin shqiptarët ata që themeluan kalorësinë e lehtë franceze dhe, më tej, kalorësinë e lehtë europiane me Gjergj e Nikolla Bastën.
Dhe kjo, sepse ata dinin mbi të gjitha të bënin luftën moderne të kohës në mënyrë cilësore dhe jo sasiore, ndërkohë që perandoria osmane përdorte mish skllevërish për top duke çuar miliona njerëz në satër! Edhe më tej, shqiptarët dinin mbi të gjitha se ç’do të thoshte të ishe “fier comme un albanois – krenar si shqiptar”, sipas proverbit francez të kohës, tek mbanin mbi krye kryelartë kapelën shqiptare në pararojë dhe në shesh të luftës! E në këtë rast, i themi profesorit grek të mos harrojë se vetë grekët në ato kohëra lufte, për të shpëtuar kokën para masakrave turke, kërkonin rrugëve të Selanikut, Artës e kudo në qytete kapelën e lartë shqiptare për ta vënë mbi krye që të hiqeshin si shqiptarë e të shpëtonin kokën!
Nga ana tjetër, nëse shqiptarët u dalluan si luftëtarë në artin e luftës moderne të kohës, profesori grek duhet ta dijë që po aq shqiptarët u shquan edhe në fillimet e Rilindjes italiane e europiane të Arteve të Bukura, Humanizmit dhe Letrave, me korifej të tillë si piktorët me famë botërore Francesk Albani, Mark Bazajti, Viktor Karpaçi, filozofët Leonik Tomeu, Mikel Maruli, Marin Beçikemi e sidomos me familjen e madhe Albani që dha disa kardinalë edhe vetë papa Klementin XI.
E vërteta e thjeshtë është se shqiptarët, siç bënë bëma në Perëndimin europian, u lartuan edhe në Lindje, nga Kostandinopoja në Janinë, Misir, Kajro, Misolongji, Tripoli e Tripolitza, e gjer në Urale, malet Çarçan dhe rrugëve të Dehlit në Indi! Dhe sa për emra shqiptarësh të shquar në Orient, ata njihen tashmë jo vetëm në fushën e artit të luftës, por edhe të kulturës, Letrave, historisë, enciklopedisë, administrimit shtetëror etj.etj.
Mirëpo, tjetërkund e ka hallin profesori orientalist grek në kumtesën e tij: do se s’bën (dhe këtu ai nuk është aspak origjinal, nuk është as i pari, as i fundit) që t’i qisë shqiptarët barbarë, të egër, tribalë, me kanune çnjerëzore, pa komb e kombësi, por me një “Albanitie” që, sipas tij na qenkësh thjesht nocion gjeografik, duke na përmendur madje edhe Bismarkun për të mbështetur argumentimin e tij! O temporal o mores!
3. Vazhdon orientalisti grek të deformojë faktet historike tek shpik tezën se Skënderbeu në moshën 33 vjeçare “u dërgua, thotë ai, si kapiten në “vilajetin” e Krujës (1438) për të qeverisur zotërimet e babait të tij. Dhe këtu, vijon greku, ai [Skënderbeu] realizon projektin e tij të guximshëm: të krijojë një ushtri të përhershme me luftëtarë nga të malit të tij të lindjes dhe të bëjë luftën për hesap të vet” (!) Ipse dixit, thotë latini – E tha mu kështu profesori e ia vuri vulën! Apo, ia bëri topin! – siç thoshte ime gjyshe.
Po ja që zotëria e tij e paska lexuar mbrapshtë Barlecin e të tjerë, dhe harron, i nderuari profesor, që Skënderbeu u arratis me 300 trimat e tij nga ushtria osmane, me një qëllim e mision të lartë (e jo për hesap të vet!): për të themeluar shtetin e parë të Arbrit nëpërmjet bashkimit dhe aleancave të fisnikëve të mëdhenj shqiptarë që me Lidhjen e Lezhës! Dhe që pikërisht, për këtë arsye madhore, duke i bërë qëndresë heroike 25 vjeçare Perandorisë më të madhe të kohës, Skënderbeu është dhe mbetet Heroi kombëtar i shqiptarëve dhe shembull heroizmi e frymëzimi në botë!
4. Pa e mbështetur kumtesën e vet në dokumente, pa cituar studiues seriozë, Z. Zakhos Papazahariu parapëlqen të servirë konkluzionet e tij se Skënderbeu “në krye të malësorëve të vet bëri luftë ndaj të gjithëve, duke u përplasur me Lindjen e me Perëndimin, me Venedikun e me osmanët”. E nxjerr dhe e nxin kështu qëllimisht figurën historike të Skënderbeut si “sherrxhi”, duke anashkaluar tërësisht politikat dhe synimet imperialiste të kohës, si dhe aleancat e Skënderbeut me Papatin, i cili e vlerësoi, siç dihet, aq lart Heroin tonë me titullin e nderuar “Atlet i Krishtit”.
Dhe nuk do vonojë të vijë konkluzioni i profesorit se “as shtetet e Lindjes, as shtetet e Perëndimit nuk e panë me sy të mirë nismën e tij [Skënderbeut]” dhe se “Skënderbeu ... nuk mundi të çlirohet nga dara e Orientit dhe e Perëndimit”. E në këtë rast, profesori grek, nisur nga motoja “shpif, shpif se diçka do mbetet”, konkludon se edhe fundi i Skënderbeut s’ka si të ishte i lavdishëm me pushtimin e Shqipërisë, kur shqiptarët, që tashmë ai i quan “arnavutë”, do të vazhdonin të bënin “ligjin e cubit” në gadishullin ballkanik! Argumente dhe paragjykim më zi sterr ndaj shqiptarëve zor se gjen!...
Lidhur me pikën C, legjenda e Skënderbeut, ai pohon se është letërsia perëndimore ajo që rroku figurën e Skënderbeut për bëmat e tij duke e bërë këtë, citojmë autorin, “një hero në përmasën e legjendave perëndimore” dhe se, nga ana tjetër, ishin “shkrimtarët e Rilindjes [ata që] këmbëngulën së tepërmi për temën “Skënderbeu, mbrojtës i lirisë”. Këtej lind, kërkon të na mbushë mendjen profesori grek edhe miti për Skënderbeun, sepse nocioni i lirisë te heroi shqiptar, “nocion tribal” siç e quan ai, “përputhet, me vullnetin e qyteteve italiane për të mos u përfshirë në gjirin e shteteve të gjera dhe të centralizuara...”.
Duke u hequr kësisoj se po çmitizon figurën emblemë të shqiptarëve, ai në fakt nuk bën gjë tjetër veçse e deformon atë krejtësisht, e minimizon dhe orvatet ta asgjësojë aq sa të mundë, duke e konsideruar si figurë të tejkaluar, madje edhe të përfunduar në kohë. Por, nuk kanë munguar as dje, as sot të ashtuquajturit studiues që përpiqen ta paraqesin Skënderbeun një princ të vogël të një shteti të vogël, tek orvaten t’i bien malit me grusht përpara vlerësimit absolut të figurës së Skënderbeut nga korifej të mendimit njerëzor, emra të shquar të Historisë, Letrave dhe Artit ushtarak.
I pakënaqur me kaq, Zakhos Papazahariu shkon edhe më tej në “çmitizimin” e tij absurd. Citon me ironi “artikullin” (nuk thotë studimin!) e prof. Androkli Kostallarit, i cili vinte bukur në dukje se, ndërsa më 1881 bibliografi Petrovitch hartonte bibliografinë për Skënderbeun me 185 vepra historike e letrare, më 1968, prof. Kostallari nxirrte në pah që bibliografia për Skënderbeun e tejkalonte tashmë shifrën e 1000 librave e studimeve për Heroin shqiptar.
Kur sot, bibliografët e figurës së Skënderbeut (siç e thotë gjithë krenari Krenar Zejno, ky botues modern, sa krijues e serioz) numërojnë mbi 2000 vepra e studime kushtuar figurës së Heroit tonë (po aq sa për N. Bonapartin!) Pa folur këtu për Artet e Bukura ku monumentet e Kastriotit të Madh zbukurojnë sheshet e Europës dhe Amerikës dhe figura e tij emblematike është dhënë në tablo nga piktorë me famë botërore. E dëshmon këtë edhe Album-Antologjia jonë e përmasave të mëdha enciklopedike “Skënderbeu, 1413-2017” me mbi 200 autorë dhe rreth 1000 ilustrime, që pret të botohet për publikun e gjerë në Vitin Skënderbeu.
Pikërisht, tërë këtë jehonë, tërë këtë madhështi europiane e botërore të Skënderbeut tonë, tërë këtë vlerësim objektiv historik e shkencor që i bënë e bëjnë figurës së tij mendimtarë të mëdhenj, Z. Papazahariu na e quan thjesht “mit”, që ai e do dhe e kërkon doemos drejt shuarjes e në asgjësim, gjoja në emër të “së vërtetës shkencore”! Por, nëse ka mit në figurën e Skënderbeut, kjo duhet kërkuar jo në legjendat me krijimtari të bukur popullore, jo në vetëdijen kombëtare të shqiptarëve që krenohen me të drejtë për figurën e tij si rrallëkush te kombet e tjerë, por në ato mangësi, në ato të pavërteta shkencore, në ato mbufatje dhe deformime me dashje apo pa dashje të figurës së tij historike, kur sot, historiografia shqiptare e botërore përherë e më shumë po fokusohen te figura e tij si burrë shteti dhe prijës i një populli liridashës.
Tek ndjek me këmbëngulje linjën e vet antishqiptare, edhe në pikat 4 dhe 5, Si u bë Skënderbeu simboli kombëtar i shqiptarëve, dhe Rikthimi i Skënderbeut, gjithë meraku i Z. Papazahariu është si e si të zhdukë e asgjësojë, aq sa të mundë, vetë bazën historike të vlerësimit të figurës së Skënderbeut, duke u hallakatur për këtë në sofizma e ekzotizma të mjera, gjer edhe të llojit “bektashi” që “ushqyen” gjoja Ali Pashë Tepelenën në veprimet dhe bëmat e tij (në parantezë, duket sikur Aliu i Tepelenit i ka mbetur Papa-Ziut halë në fyt!) ...
Si mbaroi kështu ekspozenë e tij dhe si u duartrokit nga të pranishmit, në seancën “diskutime”, Z. Papazahariu hyn në dialog të stërzgjatë me Z. Portal, ku bie dukshëm në sy meraku i tyre në gjoja “idealizimin artificial” të figurës së Skënderbeut, nisur sipas tyre, nga “prapamendime a motive politike, ideologjike e fetare” që e bëjnë “Historinë të jetë subjektive”! Krejt diskutimi, gjoja “i lirë”, shfaqet inkoherent dhe pa shtyllë kurrizore, me kapërcime nga coq à l’âne (nga gjeli te magjari), ku kumtuesi grek orvatet të shpalosë në mënyrë konfuze e të pasaktë erudicionin e vet...
Dhe pikërisht, në një nga këto çaste euforike për studiuesin grek, që dukej sikur kish kapur qiellin me dorë nga suksesi, ngrihet dhe ndërhyn një djalosh shqiptar, shtat-hedhur, i hajthëm dhe elegant, i biri dhe nipi i dy Skënderëve, studenti Edmond Tupja. Dhe bën, në mënyrë modeste, të përkorë, një ndërhyrje, një koment të shpejtë tek e sheh fatin epik dhe faktin historik të shqiptarëve te “qëndresa e tyre e gjatë ndaj turqve”, te “skllavërimi dhe shtypja e përgjakshme që këta ushtruan mbi Shqipërinë dhe shqiptarët pas vdekjes së Skënderbeut” dhe te “arsyeja ekonomike e shndërrimit të 60 % të shqiptarëve nga katolikë në myslimanë”... Konkluzioni dilte vetë, nuk kish më bukur: ja pse, Zotërinj, Skënderbeu është dhe mbetet simbol i vetëdijes kombëtare shqiptare!
Pas fjalëve të djaloshit Tupja, me efektin e një bombe, Z. Papazahariu nis atëherë të përtypë fjalët, të hidhet e të përdridhet, se nuk janë thjesht arsyet ekonomike dhe taksat motivet e shtypjes, të vuajtjes dhe qëndresës historike shqiptare; se nuk janë skllavëria dhe osmanët fatkeqësia e popujve ballkanikë (sic!) Se shqiptarët kanë gëzuar liri, sidomos ata të malit (sic)! Se kanë gëzuar privilegje... “Mos ua hedhim fajin osmanëve!” – përfundon greku me një thirrje dëshpëruese...
Z. Tupja, edhe një herë të dytë merr fjalën dhe vë në dukje se “skllavëria osmane ishte sistem social në dy rrafshe, në atë shtetëror, midis Perandorisë osmane dhe popullit shqiptar të skllavëruar, dhe në atë lokal, në vetë gjirin e shoqërisë shqiptare të kohës”...
- Jo, nuk jam dakord! e kundërshton Z. Papazahariu dhe nis e i merret goja: – Problemi i skllavërisë, vijon ai rrëmujshëm, nuk shtrohet midis shqiptarëve dhe osmanëve, duke qenë se shqiptarët janë edhe osmanë... Malësorët nuk janë skllevër... Në fund të fundit otomanët nuk përbëjnë një etni, as komb... Otomanët ishin kompani ushtarake ... Midis tyre kishte një shumicë shqiptarësh ... (!)
Ohoh! ç’kakofoni “argumentesh” e konkuzionesh absurde në gojën e një studiuesi “kompetent” të orientalistikës për t’i qepur gojën djaloshit Tupja, që rri dhe gozhdon me vështrim të rreptë Profesorin grek ftuar në Paris të ligjërojë!...
- E deklaroj mbledhjen të mbyllur! – nxiton të thotë Kryetari, pasi falënderon edhe një herë Zotërinë e tij Papazahariu për speech-in e shkëlqyer antishqiptar që ai mbajti në prani kokash shkencore!...
d.c./shqiptarja.com