Eduard Zaloshnja: Sa ndryshon në Shqipëri përkatësia fetare bazuar në bindjet personale nga ajo origjinale familjare?

Eduard Zaloshnja: Sa ndryshon në Shqipëri përkatësia fetare bazuar në bindjet personale nga ajo origjinale familjare?

Foto Ilustruese

Shkrimtari/studiuesi i mirënjohur Bashkim Shehu dhe statisticieni Eduard Zaloshnja kryen në fund të vitit 2024 studimin më të thellë deri më sot për nivelin e besimit fetar në Shqipëri, mbështetur nga fondacioni gjerman Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS).

Studimi u bazua në anketimin e 820 banorëve 18 vjeç e sipër, të intervistuar nga 30 anketues profesionistë të shpërndarë proporcionalisht në të gjithë vendin (studimin mund ta lexoni të plotë duke klikuar këtë link: https://www.kas.de/sq/web/albanien/titujt/-/content/studim-statistikor-mbi-besimin-fetar-ne-shqiperi-1

Rezultatet kryesore të studimit:

• 59% e të anketuarve deklaruan se, bazuar në bindjet personale (pavarësisht nga prejardhja familjare), besojnë plotësisht në ndonjë fe të caktuar. Ndërkaq, 56% e të anketuarve besojnë në fenë e origjinës familjare (shihni në tabelën më poshtë përqindjet për secilën fe).

• 21.7% e të anketuarve deklaruan se shkojnë të paktën një herë në muaj në kishë/xhami/teqe/etj.

• Vetëm 6.8% e të anketuarve mund të konsiderohen thellësisht besimtarë të fesë që deklarojnë se besojnë, përcaktuar nga përgjigjet pozitive për të gjitha pyetjet në vijim: shkojnë të paktën një herë në javë në kishë/xhami/teqe/etj.; mendojnë se gjërat në botë ndodhin nga vullneti i Zotit; mendojnë se njeriu është krijesë e Zotit; mendojnë se, me vdekjen e njeriut, shpirti i tij vazhdon të jetojë në botën e përtejme; mendojnë se, në varësi të të mirave apo të këqijave që bën njeriu në jetë, shpirti i tij mund të shkojë në Parajsë ose në Ferr.

• Të anketuarit që rregullisht agjërojnë/mbajnë kreshmë përbëjnë 22.2% të numrit të përgjithshëm.

• Brezi i vjetër (65 vjeç e sipër), i cili e ka përjetuar periudhën para se të ndalohej feja, ka përqindjen më të lartë të atyre që shkojnë të paktën një herë në muaj në kishë/xhami/teqe/etj (23.5%), ndërsa brezi i mesëm (40-64 vjeç), i cili u formua gjatë asaj periudhe, ka përqindjen më të ulët (19%).

• Pothuaj gjysma e atyre që nuk besojnë në asnjë fe të caktuar shkojnë, megjithatë, në kishë/xhami/teqe/etj. me shpresën se një gjë e tillë mund t’i ndihmojë për problemet e tyre jetësore/shëndetësore, dhe mbi gjysma e jofetarëve që shkojnë në kishë/xhami/teqe/etj. deklarojnë se ekzistojnë raste kur kjo i ka ndihmuar ata ose të njohur të tyre.

• Pothuaj 40% e të anktetuarve kanë kryer ose dinë që prindërit apo gjyshërit e tyre kanë vazhduar të kryejnë fshehurazi rite fetare në periudhën kur kjo dënohej penalisht.

• 79% e të anketuarve deklaruan se nuk e kanë problem që një pjesëtar i familjes (përfshirë dhe veten) të martohet apo të bashkëjetojë me dikë nga një familje me prejardhje fetare të ndryshme; një martesë/bashkëjetesë të tillë kanë realisht 21.6% e të anketuarve të martuar/bashkëjetues.

• Vetëm 75% e të anketuarve besojnë në të njëjtën fe (ose, përkatëasisht, nuk besojnë në asnjë fe) sikurse baballarët e tyre dhe 72% sikurse nënat e tyre. Ndër të martuarit/bashkëjetuesit, vetëm 69% besojnë në të njëjtën fe (ose, përkatëasisht, nuk besojnë në asnjë fe) sikurse bashkëshortët/bashkëjetuesit e tyre.

• Gjasat e dikujt me nënë që beson/te në ndonjë fe të caktuar janë 6.27 herë më të mëdha se të dikujt me nënë që nuk beson/te në asnjë fe të caktuar, kur të gjitha karakteristikat e tjera i kanë të njëjta. Në rastin e babait, ky koeficient është më i ulët: 4.2.

Konkluzionet kryesore të studimit:

• Besimi fetar vazhdon të jetë mjaft i përhapur në Shqipëri, me një përqindje besimtarësh përafërsisht sa ajo e Europës Perëndimore.

• Numri i atyre që mund të konsiderohen thellësisht besimtarë është relativisht i vogël, krahasuar me numrin e përgjithshëm të besimtarëve, gjë që vërehet sot edhe në ndonjë vend europian me histori diametralisht të kundërt në raportin e shtetit me fenë.

• Ateizmi shtetëror jo vetëm që nuk e arriti qëllimin e çrrënjosjes së fesë, po edhe nuk solli ndonjë ndryshim të madh në këtë drejtim. Besimi fetar, me sa duket, është një nga shtresat më refraktare të botës së brendshme të njeriut përballë dhunës politike.

Krahasimi i përgjigjeve për dy nga pyetjet më të rëndësishme ndër 60 që ishin gjithsej në pyetësor:

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lui: 08/01/2025 12:47

    Fetë janë si parti politike dhe asgjë më shumë. Ose më mirë të them edhe më të rrezikshme se partitë politike. Sepse strukturën e kanë të njejtë me një parti politike dhe misionin (rekrutimin dhe sundimin e masave), por janë të rrezikshme sepse përdorin dobësinë e njeriut (besimi dhe ndjenjat), për ta manipuluar atë dhe kështu ta ketë në dorë (feja) ta përdorë kur t’i nevojitet. Zoti i shqiptarëve dhe i njerëzimit është Dielli. Sa të ketë diell do ketë jetë. Dhe shpirti është thjeshtë një energji që shndërrohet. Teoria e transformimit është mëse e vërtetuar. Plus nga ana shpirtërore mendoj që duhet të mësojmë më shumë për fenë e Espinozës, i cili na mëson të duam natyrën, pemët, lumenjtë ujin, njëri-tjetrin dhe çdo gjë tjetër . Ky është shpjegimi me pak fjalë për atë që quhet besimi sipas Espinozës.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Aksident i rëndë në Korçë – Pogradec/ Përplasen dy makina, një i vdekur

Aksident i rëndë në Korçë – Pogradec/ Përplasen dy makina, një i vdekur