Në fund të vitit 1989 – para se të hiqeshin telat me gjemba nga kufijtë e Shqipërisë – në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 3.21 milionë shtetas shqiptarë. Nga këta, sipas regjistrimit të popullsisë që u krye atëherë, 99% jetonin brenda vendit – vetëm 32 mijë shtetas rezultonin emigrantë (politikë apo ekonomikë).
Aktualisht, në regjistrin e Gjendjes Civile figurojnë plot 4.7 milionë shtetas shqiptarë. Nga këta, sipas një vlerësimi të përafërt statistikor të INSTAT-it, rreth 2.35 milionë jetojnë brenda vendit. Pra, rreth 50% rezultojnë në emigracion.
Po cilat janë etapat e rritjes së numrit të emigrantëve nga 0.03 milion më 1989, në 2.35 milionë sot?
Vitet ’90 shënuan një eksod biblik të shqiptarëve drejt Italisë, Greqisë, etj, etj. Si rezultat, në vitin 2001 kishim pothuaj 1 milion shtetas shqiptarë jashtë vendit – në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin pothuaj 4 milion shtetas shqiptarë, ndërsa nga regjistrimi i popullsisë në fund të vitit 2001, numri total i banorëve rezultoi 3 milionë.
Në etapën e dytë të emigracionit, eksodi i shqiptarëve vazhdoi, por jo më me përmasa biblike – numri i shtetasve shqiptarë jashtë vendit u rrit nga 1 milion që ishte më 2001, në 1.5 milion më 2011 (u shtuan 500 mijë). Konkretisht, në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 4.3 milionë shtetas shqiptarë, ndërsa nga regjistrimi i popullsisë në fund të vitit 2011, numri total i banorëve rezultoi 2.8 milionë.
Edhe në etapën më fundit të emigracionit, eksodi i shqiptarëve vazhdoi me ritme të ngjashme – numri i shtetasve shqiptarë jashtë vendit u rrit nga 1.5 milionë që ishte më 2011, në 2,35 milionë sot (në një periudhë 14 vjeçare). Konkretisht, në regjistrin e Gjendjes Civile figurojnë 4.7 milionë shtetas shqiptarë. Ndërsa nga një vlerësimi i përafërt statistikor i INSTAT-it, rezulton se banojnë në vend rreth 2.35 milionë nga këta shtetas.
Prej kurbës së emigracionit nga viti 1989 e këtej, mund të konstatohet se ritmi i emigracionit është ngadalësuar në krahasim me etapën e parë të eksodit të madh (1990-2001), por mbetet përsëri shqetësues për zbrazjen e vendit nga popullsia. Nëse emigracioni vazhdon me ritmin aktual, pas disa vjetësh, do të kemi me siguri më shumë shtetas shqiptarë jashtë Shqipërisë se sa brenda saj…
Komente










