Eduard Zaloshnja: Turizmi, lokommotiva e rritjes së PBB-së shqiptare edhe më 2023

Eduard Zaloshnja: Turizmi, lokommotiva e rritjes së PBB-së shqiptare edhe më 2023

Foto ilustruese

Në qoftë se në ekonominë e një vendi nuk ka një fluks të ri gjatë një viti, Prodhimi i Brendshëm Bruto mbetet në nivelin e vitit të mëparshëm (pra, nuk ka rritje të PBB-së). Familjet blejnë të njëjtat sasi ushqimesh, veshjesh, shërbimesh etj.; firmat e ndërtimit ndërtojnë po aq pallate sa një vit më parë; fabrikat dhe fermat prodhojnë sa një vit më parë; e kështu me radhë.

Kur ka një fluks të ri (turizmi, investimesh, valute apo kërkese nga tregjet e huaja, etj.), vihet në lëvizje i gjithë zinxhiri i ekonomisë me degët e nëndegët e saj, e për rrjedhojë, rritet PBB-ja. (Për më gjatë, lexoni shënimin në fund të shkrimit).

Është mëse evidente që vjet turizmi përbëri një fluks të shtuar për ekonominë shqiptare. Po sa konkretisht ndikoi rritja e fluksit të turizmit në rritjen e PBB-së? 

Nga një analizë që botova para një viti tek shqiptarja.com, më rezultoi se gjysma e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) në Shqipëri më 2022 (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë) i atribuohej drejtpërdrejt apo tërthorazi rritjes së turizmit (krahasuar me 2019-ën). Rreth 2.8 miliardë euro ishte rritja reale e PBB-së më 2022, krahasuar me 2019-ën.

Po më 2023, sa ishte efekti i rritjes së turizmit në rritjen e PBB-së, krahasuar me një vit më parë?

INSTAT-i raporton se rritja reale (zhveshur nga inflacioni) e PBB-së vjet ishte gjithsej 3.44%, krahasuar me një vit më parë. Por matrica input-output (burime-përdorime) që ka publikuar INSTAT-i i përket periudhës para pandemisë Covid-19, dhe nuk mund të përdoret aktualisht, siç u përdor në analizën e sipërcituar.

Sidoqoftë, në mënyrë të tërthortë, një analizë e përafërt mund të bëhet. Kështu, vjet numri i shtetasve që hynë në Shqipëri me pasaportë të huaj ishte 34.7% më i lartë se sa më 2022. Ndërkohë edhe numri i automjeteve me targa të huaja që u futën vjet në Shqipëri u rrit ndjeshëm krahasuar me vitin 2022 – plot 26%. Teksa do të duhet të kalojë kohë derisa INSTAT-i të publikojë një matricë të re input-output (burime-përdorime), një ndërthurje e përafërt e shifrave të mësipërme me analizën e sipërcituar të vitit 2022 mund të na japë një ide të përafërt se sa ishte vjet efekti i rritjes së turizmit mbi rritjen e PBB-së. Ja rezultatet e përafërta:

•              Reth 3/5 e gjithë rritjes së PBB-së nga 2022 më 2023 (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë), mund t’i atribuohet drejtpërdrejt apo tërthorazi rritjes së turizmit.

•              Më 2023, vlera totale e PBB-së shqiptare shqiptare arriti nivelin e rreth 21 miliardë eurove.

Me fjalë të tjera, në qoftë se numri i shtetasve që hynë vjet në Shqipëri me pasaportë të huaj do të kishte mbetur sa më 2022 (7.5 milionë), do të kishim vetëm 2/5 e rritjes së PBB-së që u realizua. Pra PBB-ja totale vjet nuk do ishte vjet 21 miliardë euro, por vetëm 19.4 miliardë euro.

(Më poshtë është teksti i plotë i analizës që botova para një viti tek shqiptarja.com)

Gjysma e rritjes së PBB-së në Shqipëri më 2022 (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë) i atribuohet rritjes së turizmit (krahasuar me 2019-ën)

Gjatë pandemisë, në Shqipëri (si kudo në botë), u konstatua një tkurrje e fluksit të turizmit, si dhe e aktivitetit ekonomik në përgjithësi. Por në vitin 2022, fluksi i turizmit u rikthye fuqishëm në botë – e rrjedhimisht edhe në Shqipëri. Kështu, gjatë vitit 2019 (para pandemisë) u futën në Shqipëri 6.4 milionë shtetas me pasaporta të huaja, ndërsa gjatë vitit 2022 u futën mbi 7,5 milionë, një rritje prej 17.7%.

Po si ka ndikuar kjo rritje e turizmit tek aktiviteti ekonomik në territorin e Shqipërisë?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje kemi analizuar Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), që është thjesht vlera totale e të gjithë mallrave/shërbimeve të prodhuara në një territor, minus vlerën e mallrave/shërbimeve të nevojshme për prodhimin e tyre, plus taksat neto mbi produktet e shërbimet.

Sipas INSTAT-it, PBB gjatë vitit 2019 (para pandemisë) nga aktiviteti ekonomik në territorin e Shqipërisë ishte rreth rreth 15.9 miliardë euro (me kursin e sotëm të këmbimit të euros). Nga këto, rreth 6.2 miliard euro ishte Prodhimi i Brendshëm Bruto vetëm nga aktivitetet akomodim, shërbim ushqimor, argëtim, art, tregti, transport, dhe aktivitete të tjera shërbimi.

INSTAT i publikon me një vit vonesë llogaritë e ndara imtësisht sipas sektorëve, por një vlerësim paraprak i PBB gjatë vitit 2022 nga aktiviteti ekonomik i lidhur me turizmin mund të bëhet qysh sot, duke ndërthurur statistikisht matricën input-output (burime-përdorime) të INSTAT-it me një studim të kryer në terren nga UNDP në fund të vitit 2022. Të gjitha ndërveprimet ekonomike mes degëve dhe nëndegëve të ekonomisë përmblidhen në matricën input-output (burime-përdorime), e cila tregon sesi është i ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë e të tërthortë prodhimi në secilën degë e nëndegë të ekonomisë. Bazuar në këtë matricë, mund të zhvillohet një analizë input-output (burime-përdorime), e cila kap të gjitha efektet e drejtpërdrejta e të tërthorta të faktorit që është objekt i analizës

Nga analiza e mësipërme, rezulton se PBB në vitin 2022 nga aktivitetet akomodim, shërbim ushqimor, argëtim, art, tregti, transport, dhe aktivitete të tjera shërbimi arriti shifrën rreth 6.57 miliardë euro (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë) – një rritje neto prej rreth 340 milionë eurosh (5.5%), krahasuar me vitin 2019. Ky efekt i drejtpërdrejtë i turizmit u shoqërua edhe me një efekt të tërthortë në aktivitetet e tjera ekonomike në masën rreth 1.06 miliardë euro shtesë në PBB (zhveshur nga inflacioni dhe rritja e popullsisë). Përmbledhtas, rritja e turizmit vlerësohet të ketë ndikuar gjithsej me një rritje neto të PBB-së prej rreth 1.4 miliardë eurosh në vitin 2022, krahasuar me vitin 2019 (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë).

Nga të dhënat e publikuara nga INSTAT-i deri më sot në shkallë kombëtare, mund të ekstrapolohet përafërsisht se të gjitha aktivitetet ekonomike në Shqipëri kanë gjeneruar në total një rritje të PBB-së prej rreth 2.8 miliardë eurosh më 2022, krahasuar me 2019 (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë). Dhe gjysma e kësaj rritje i atribuohet rritjes së turizmit.

•              340 milionë euro, kontributi i drejtpërdrejtë i turizmit në rritjen ekonomike më 2022, krahasuar me 2019-ën (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë)

•              1.06 miliardë euro, kontributi i tërthortë i turizmit në rritjen ekonomike më 2022, krahasuar me 2019-ën (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë)

•              1.4 miliardë euro, kontributi gjithsej i turizmit në rritjen ekonomike më 2022, krahasuar me 2019-ën (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë)

•              Gjysma e gjithë rritjes ekonomike më 2022, krahasuar me 2019-ën (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë), i atribuohet rritjes së turizmit

SHENIM: Teoria dhe praktika ekonomike botërore na tregon se kur rritet kërkesa për mallrat/shërbimet e një dege të ekonomisë, bizneset e asaj dege i përgjigjen me rritje të ofertës së mallrave/shërbimeve të tyre. Dhe që ta realizojnë këtë rritje të ofertës, ato duhet të shtojnë furnizimet nga degët e tjera të ekonomisë. Për shembull, kur një restorant do të shtojë sasinë e produkteve që servir, duhet të blejë më shumë ushqime dhe pije nga furnitorët e tij. Furnitorët, nga ana e tyre, duhet të blejnë më shumë mallra/shërbime për të rritur prodhimin e tyre, e kështu me radhë.

Me rritjen e xhiros në zinxhirin e degëve të ndërlidhura me degën fillestare ku pati rritje kërkese, shtohen edhe të ardhurat e disponueshme të biznesmenëve dhe punonjësve të atyre degëve, të cilët i shpenzojnë një pjesë të mirë të të ardhurave shtesë për zgjerim/përmirësim biznesi ose banese, zëvendësim/përmirësim mobilimi, si dhe për shtim të konsumit vetjak apo familjar. Pra, rritet kërkesa edhe për të gjitha bizneset që i përgjigjen kësaj rritje sekondare të kërkesës. Në mënyrë figurative, mund të thuhet se rritja e kërkesës në njërën nga degët e ekonomisë shërben si një injeksion që shpërndahet në të gjitha arteriet e saj.

Të gjitha këto ndërveprime ekonomike mes degëve dhe nëndegëve të ekonomisë përmblidhen në matricën input-output (burime-përdorime), e cila tregon sesi është i ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë e të tërthortë prodhimi në secilën degë e nëndegë të ekonomisë.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë