Eduard Zaloshnja: Votuesit e vakët të opozitës (jo pjesëmarrësit në protestë) janë kyçi i 14 majit

Eduard Zaloshnja: Votuesit e vakët të opozitës (jo pjesëmarrësit në protestë) janë kyçi i 14 majit

Protesta e 11 shkurtit në Tiranë

Para protestës opozitare të së shtunës, u pretendua nga drejtuesit opozitarë se do mblidheshin në bulevard deri në 100 mijë protestues (madje u paralajmërua zyrtarisht edhe Policia e Shtetit për këtë shifër). Nga një llogaritje e përafërt (bazuar në pamjet nga lart me dron), mua më rezultuan që maksimumi 10 mijë u mblodhën. Dikujt tjetri i rezultuan maksimumi 8 mijë.

Po pak rëndësi ka 8 apo 10. Sepse i bie që vetëm 1% ose 1.2% e të gjithë votuesve të parvjetshëm të paritve opozitare (PD+LSI+PDIU+PR+PAA+PDK+Vetvendosje+etj.) dolën të shtunën në bulevard. Një entuziazëm i ulët ky i votuesve ultras opozitarë.

Për zgjedhjet lokale që po trokasin në derë, në fakt, nuk kanë shumë rëndësi votuesit e vendosur – ata votojnë rregullisht çdo dy vjet, pavarësisht sesi është temperatura politike në vend. Të rëndësishëm janë votuesit e vakët – ata që anojnë nga opozita, por e kanë me dy mendje nëse do të shkojnë të votojnë për të…

Në një pyetësor që u shpërndava elektronikisht në janar 10 mijë banorve të rritur të Shqipërisë (në mënyrë krejtësisht rastësore), ishin disa pyetje rreth prirjes për të votuar kandidatë lokalë për kryebashkiakë. Të anketuarit kishin opsione të ndryshme si “Do të votoj sot për kandidat socialist”, “Ndoshta do të votoj për kandidat socialist”, “Do të votoj sot për kandidat të PD së Berishës”, “Ndoshta do të votoj për kandidat të PD së Berishës”, “Do të votoj sot për kandidat të PD së Alibeajt”, “Ndoshta do të votoj për kandidat të PD së Alibeajt”, duke krijuar skenarë garash dyshe dhe garash treshe.

Meqë pothuaj 5700 zgjedhës të prirur për të votuar e plotësuan pyetësorin e sipërpërmendur, isha në gjendje të bëja ekstrapolime statitistikore të përafërta në rang kombëtar. Nga ekstrapolimi i përgjigjeve të të anketuarve (ku përfshiheshin mosha, gjinia, zona e banimit – urbane apo rurale – bashkia ku banoni – Tiranë apo bashki tjetër – votimi i tyre më 25 prill 2021, simpatia për politikanët kryesorë kombëtarë, etj.), më rezultoi se rreth 760 mijë shqiptarë ishin të vendosur të votonin qysh në janar për kryebashkiakë socialistë, pavarsisht nëse përballë tyre do të jenë dy apo vetëm një konkurent. Nga ana tjetër, rreth 660 mijë ishin të vendosur të votonin për kryebashkiakë të Berishës apo Alibeajt.

Pra edhe sikur opozita të bashkohet (gjë që spo ndodh), mazhoranca ka të paktën 100 mijë vota epërsi ndër votuesit e vendosur. E vetmja shpresë që opozita t’i afrohet mazhorancës janë votuesit e saj të vakët.

Por paradat si ajo e së shtunës në bulevard mund të kënaqin opozitarët e vendosur – ato nuk joshin dot votuesit e vakët opozitarë. Dhe pa këta të fundit, opozita nuk e kapërcen dot murin elektoral 800-mijësh të Ramës, të cilin e ka çimentuar qysh nga viti 2009 e këtej.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Alarm në Greqi, ujërat e zeza të Athinës të ‘mbingopura’ me kokainë! Dyfishohet konsumi i drogës gjatë festave, ulet niveli i COVID-it

Alarm në Greqi, ujërat e zeza të Athinës të ‘mbingopura’ me kokainë! Dyfishohet konsumi i drogës gjatë festave, ulet niveli i COVID-it