Egjipti: 6 bombardues sovjetikë
në portin e Durrësit për Izraelin  

Egjipti: 6 bombardues sovjetikë<br />në portin e Durrësit për Izraelin  
Porti i Durrësit hyn në qarqet diplomatike në vitin 1948, thjesht për shkak të një dezinformimi, fakt që mund të shkaktonte një incident të rëndë midis Stalinit të Bashkimit Sovjetik dhe mbretit Faruk të Egjiptit.

Me sa duket, shërbimet sekrete çeke, jugosllave dhe hebre kanë mashtruar Egjiptin për të fshehur kontrabandën e avionëve dhe armëve në ndihmë të shtetit të sapoformuar të Izraelit.
Vitet e fundit është publikuar në Rusi një dokument interesant sekret i 5 gushtit 1948, ku thuhet se ambasadori egjiptian në Moskë i ka kërkuar zëvendësministrit të punëve të jashtme të Bashkimit Sovjetik të konfirmonte një informacion disi të habitshëm dhe të siguruar nga një palë e tretë.
Në dokumentin sekret sovjetik përmendet që ambasadori Bindari Pasha tha se qeveria egjiptiane ka marrë nga një burim informacionin se 6 bombardues të tipit "Shturmovik" [Ilushin-2] dhe 2 skuadrilje gjuajtës-bombardues kanë mbërritur në Durrës (Shqipëri).

Këta avionë pilotohen nga pilotë hebrenj dhe destinohen për qeverinë sioniste hebre në Palestinë. Qeveria egjiptiane e kishte ngarkuar të sqaronte nëse i përgjigjet realitetit ky informacion.
Zëvendësministri sovjetik i Punëve të Jashtme Zorin [Valerian Aleksandroviç (1902-1986)] i raporton Stalinit se u përgjigj se ishte mjaft i habitur nga njoftimi i ambasadorit dhe se nuk e kuptonte se çfarë lidhjeje kishte Moska me Durrësin, i cili ndodhet jashtë territorit të Bashkimit Sovjetik.
Dokumenti
Procesverbal i bisedës së zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të BRSS V. A. Zorin me të dërguarin e Egjiptit në BRSS Bindari-Pasha
5.8.1948

Sekret
Sot, në ora 14.00 prita Bindari Pashën me kërkesën e tij. Pas shkëmbimit të përshëndetjeve të zakonshme Bindari-u tha se qeveria egjiptiane ka marrë nga një burim informacionin se 6 bombardues të tipit "Shturmovik" [Iljushin-2] dhe 2 skuadrilje gjuajtës-bombardues kanë mbërritur në Durrës (Shqipëri). Këta avionë pilotohen nga pilotë hebrenj dhe destinohen për qeverinë sioniste hebreje në Palestinë. Qeveria egjiptiane e kishte ngarkuar të sqaronte nëse i përgjigjet realitetit ky informacion. “Personalisht, unë - shtoi Bindari - nuk u besoj këtyre informacioneve, sepse faktet të tilla do të ishin në kundërshtim me miqësinë midis Bashkimit Sovjetik dhe Egjiptit dhe do të ishin shkelje e marrëveshjes së armëpushimit në Palestinë. Megjithatë, më duhet të përmbush porosinë e qeverisë sime për t’i komunikuar asaj përgjigjen e qeverisë sovjetike”.
Unë thashë se jam mjaft i habitur nga njoftimi i të dërguarit nuk e kuptoj se çfarë lidhjeje kemi ne me Durrësin, i cili ndodhet jashtë territorit të Bashkimit Sovjetik.

Pastaj Bindari-u tha se, sipas dhënave që ka marrë qeveria egjiptiane, këta aeroplanë dyshohet të jenë sovjetikë.
U përgjigja se, ndonëse çdo informatë kërkon verifikim, por në këtë rast është plotësisht e qartë se njoftimi, për të cilën flet i dërguari, nuk i përgjigjet realitetit. Unë shtova se më habit edhe më tepër vetë shtrimi i kësaj çështjeje, sepse të gjithë e dinë se politika sovjetike është politika e mosndërhyrjes në punët e vendeve të tjera. Prandaj, unë e kundërshtoj me vendosmëri këtë shtrim të problemit, që nuk është në përputhje me politikën e Bashkimit Sovjetik, politikë që njihet mirë nga qeveria egjiptian. Unë shtova se deklarata e qeverisë egjiptiane është e frymëzuar, me sa duket, nga jashtë, sepse unë nuk mendoj që Egjipti, duke e ditur politikën sovjetike të mund të shprehë një gjykim të tillë. Unë vetëm mund të shpreh keqardhjen që qeveria egjiptiane u beson njoftimeve të tilla.
Bindari-u u përgjigj se vërtet këto të dhëna janë marrë nga një burim të huaj. Qeveria egjiptiane është habitur së tepërmi nga ky mesazh dhe dëshironte ta sqaronte. "Tani - shtoi Bindari-u, - unë mund, me kënaqësinë time të madhe, të informoj qeverinë time se ky njoftim është i gabuar dhe se politika e Bashkimit Sovjetik ndaj çështjes palestineze mbetet e pandryshuar".

Unë vura në dukje lidhur me këtë se politika e Bashkimit Sovjetik ndaj problemit palestinez ka qenë gjithmonë e qartë dhe në mënyrë mjaft evidente është shprehur nga përfaqësuesit e BRSS në Këshillin e Sigurimit dhe seancat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kjo dihet mirë nga qeveria egjiptiane. Nëse qeveria egjiptiane vet do të bëjë një politikë korrekte për çështjen palestineze dhe nuk do t'u vërë veshin lloj-lloj informacionesh të rreme, atëherë kjo do të shkojë në të mirë të paqes ne këtë rajon.
Tani rreth çështjes palestineze po bëhet bujë e madhe, dhe ka disa qarqe që duan të nxjerrin gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve. Del në pah fakti se dikujt i intereson të shpallë Bashkimin Sovjetik si ithtar të ndërhyrjes në punët e brendshme të Lindjes së Mesme. Shkatërrimi i planeve të tyre në Palestinë i shtyn këto qarqe të përpiqen të gjejnë shkaqe që për të gjithë kauzën të fajësojnë të tjerët.

Bindari-u deklaroi, siç u shpreh ai, "privatisht", se "ky problem fatkeq palestinez" prish atmosferën e miqësisë midis BRSS dhe Egjiptit dhe pengon vendosjen e marrëdhënieve të ngushta dhe lidhjeve vëllazërore mes dy vendeve. Nëse nuk do të ishte çështja palestineze, Bashkimi Sovjetik dhe Egjipti do të jetonin në një bashkëpunim dhe aleancë të ngushtë. Megjithatë ka shpresë se të gjitha retë zhduken.

Iu përgjigja Bindari-ut se, sipas mendimit tim personal, Egjipti në veprimet e tyre duhet të udhëhiqet nga interesat e veta dhe të dëgjojë më pak të tjerët.
Bindari-u tha se ka disa rrethana që e pengojnë Egjiptin të ndjekë rrugën e vet.
Duke përfunduar bisedën, Bindari-u më pyeti, sipas mendimit tim personal, se si po shkojnë çështjet ndërkombëtare.
Iu përgjigja se çështjet ndërkombëtare, për sa na përket neve, sipas pikëpamjes sime, do të përmirësohen.
Biseda zgjati 35 minuta. I pranishëm atasheu i SLAM-it [sektori i Lindjes së Afërme dhe të Mesme në Ministrinë e Punëve të Jashtme të BRSS-së] sh. [V.] Gnjedyh.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të BRSS V. Zorin.
 
SFONDI
Edhe pse shteti i Izraelit u krijua vetëm në vitin 1948, në fakt historia e konfliktit me vendet arabe përfshin gati një shekull që nga fundi i shekullit XIX, kur u krijua lëvizja politike sioniste, që shënoi fillimin e luftës së hebrenjve për shtetin e tyre. Pas rënies së Perandorisë Osmane, si rezultat i humbjes në Luftën e Parë Botërore, konflikti midis hebrenjve sionistë dhe popullsisë arabe të Palestinës kufizohej kryesisht në pretendimet territoriale të të dy palëve në Palestinën e mandatit britanik. Gjatë nxehjes së situatës në tremujorin e dytë të shekullit XX komponentit gjeopolitik iu shtuan gjithashtu dhe ata fetar dhe kulturor, që përforconin armiqësinë ndëretnike. Në vitin 1948, vendet fqinje arabe i shpallën luftë shtetit të sapokrijuar hebre.

PËR HEBRENJTË “LUFTA E PAVARËSISË”, PËR ARABËT “KATASTROFA”
Lufta arabo-izraelite e viteve 1947-1949 është lufta mes popullsisë hebreje të Palestinës, dhe më vonë – me shtetin e sapokrijuar të Izraelit, dhe ushtritë e shteteve fqinje arabe dhe formacioneve ushtarake të parregullta arabe. Në Izrael, ajo u quajt "lufta e pavarësisë” (melhemet haacmaut), dhe në vendet arabe dhe midis palestinezëve kjo luftë njihet si “katastrofa” (nakba).
U zhvillua një operacion kontrabande, gjatë themelimit të Izraelit në vitin 1948, i cili ka blerë armë në Evropë për të shmangur embargot dhe bojkotet e ndryshme. Me rëndësi të veçantë ishte dërgimi i 23 gjuajtësve të prodhimit çekosllovak “Avia S-199”, versioni i pasluftës i avionëve gjermanë të Luftwaffe-s “Messerschmitt BF 109”.
Për shkak të konfliktit arab-izraelit të viteve 1948-1949 SHBA vendosën embargo armësh ndaj Izraelit. Çekosllovakia, Jugosllavia, Franca, Holanda dhe Italia favorizonin Izraelin.

Më 14 korrik 1948, një avion C-46 i një kompanie ajrore panameze, që kishte bord pilotë, shturmanë, artiljerë avionësh dhe radio-operatorë u ngrit në orën 10 paradite plot me karburant me destinacion Izraelin. Ka pasur shtëllunga të dendura resh mbi Alpe, dhe kur kaloi mbi Shqipëri hasi në zjarr kundërajrorësh.
Qeveria amerikane vazhdonte trysninë e saj të jashtëzakonshme mbi vende të ndryshme për të ndaluar dhënien e ndihmës për Izraelin. Franca kapitulloi dhe aeroporti i i Azaksjo-së (Ajaccio) në Korsikë u mbyll për avionët izraelitë. Megjithatë, Jugosllavia gjeti rastin duke i dhënë leje Izraelit të përdorte një aeroport të braktisur në Nikshiq, në afërsi të Podgoricës në Mal të Zi. Pastaj, sërish, Çekosllovakia i erdhi në ndihmë Izraelit duke i shitur 50 copë gjuajtës “Mark-9 Spitfires” me pika furnizimi karburanti në Nikshiq.

porti i durresit
(Pamje e portit të Durrësit nga kodër Vila në vitin 1948)
porti i durresit
Avion “Shturmovik” (Il-2)


Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore