Një thirrje e shpërndarë në rrjetet sociale për të zhvilluar në Srebrenicë një tubim në nder të Ratko Mlladiçit shkaktoi reagime të forta dhe mobilizimin e shoqatave të viktimave, por policia e Republikës Sërpska vendosi në fund të ndalojë çdo grumbullim publik në qytet për arsye sigurie.

Tubimi ishte paralajmëruar për sot, 2 shtator, në orën 17:00, përmes një posteri të publikuar në rrjetet sociale dhe të shpërndarë më pas nga mediat në rajon. Në njoftim përdorej shprehja “Srebrenica serbe” dhe qytetarët ftoheshin të merrnin pjesë në “lamtumirën për gjeneralin Mlladiç”.

“Ejani ta përcjellim me dinjitet gjeneralin tonë”, shkruhej në posterin që mbante fotografinë e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Sërpska, të dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Srebrenicë.

Sipas BBC-së në serbisht, njoftimi dukej se ishte krijuar nëpërmjet inteligjencës artificiale, ndërsa një nga postimet në Instagram prej nga u përhap thirrja ishte fshirë. Organizatori nuk ishte identifikuar dhe policia nuk kishte konfirmuar fillimisht nëse tubimi ishte regjistruar zyrtarisht.

Dy burime nga policia lokale i thanë jozyrtarisht BBC-së se tubimi nuk do të zhvillohej dhe se “gjithçka do të ishte në rregull”. Megjithatë, Stacioni Policor i Srebrenicës nuk pranoi të jepte informacion zyrtar për organizatorët, regjistrimin apo lejimin e aktivitetit. As Drejtoria e Policisë në Zvornik, nën juridiksionin e së cilës ndodhet Srebrenica, nuk iu përgjigj fillimisht pyetjeve të medias.

Në përgjigje të thirrjes për mbështetjen e Mlladiçit, katër shoqata që përfaqësojnë të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave të gjenocidit kërkuan leje për një tubim paqësor në të njëjtën ditë, nga ora 16:00 deri në orën 18:00.

Shoqatat “Lëvizja e Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës”, “Gratë e Srebrenicës”, “Nënat e Srebrenicës” dhe “Gratë e Podrinjës” prisnin pjesëmarrjen e rreth 250 personave. Ato synonin të përcillnin publikisht një mesazh kundër glorifikimit, justifikimit dhe mbështetjes së personave të dënuar për krime lufte.

Por sic raportoi media vendase Radio Sarajevo, Ministria e Brendshme e Republikës Sërpska ndaloi të gjitha tubimet e paralajmëruara në Srebrenicë për 2 shtatorin.

Vendimi përfshiu si tubimin në nder të Mlladiçit, ashtu edhe grumbullimin paqësor të shoqatave të viktimave. Sipas Ministrisë, ndalimi u vendos vetëm për arsye sigurie dhe për të parandaluar cenimin e mundshëm të rendit dhe qetësisë publike.

Radio Sarajevo raportoi se vendimi iu komunikua palëve verbalisht dhe se për të nuk do të lëshohej dokument zyrtar.

Alija Tabakoviç, kryetar i Klubit të delegatëve të popullit boshnjak dhe paraqitës i kërkesës për tubimin paqësor, konfirmoi se shoqatat vendosën të tërhiqeshin pasi policia u garantoi se tubimi për Mlladiçin nuk do të lejohej.

“Morëm garanci të forta nga Stacioni Policor i Srebrenicës se nuk do ta lejonte grupin joformal të qytetarëve që kishte paralajmëruar tubimin ta zhvillonte atë në Srebrenicë. Për këtë arsye, njoftuam se po tërhiqemi nga tubimi paqësor”, tha Tabakoviç.

Thirrja shkaktoi tensione të forta edhe për shkak të simbolikës së vendit ku synohej të zhvillohej tubimi. Kur forcat e tij hynë në Srebrenicë më 11 korrik 1995, Mlladiçi përdori shprehjen “Srebrenica serbe”, duke deklaruar se qytetin “ia dhuronte popullit serb”. Gjatë ditëve që pasuan u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë, krim i cilësuar si gjenocid nga drejtësia ndërkombëtare.

Mlladiçi vdiq më 27 gusht, në moshën 83-vjeçare, në spitalin e burgut në Hagë, ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Pas vdekjes së tij, në disa qytete të Republikës Sërpska, përfshirë Banja Lukën, Vishegradin dhe Zvornikun, u organizuan tubime, u ndezën qirinj dhe u vendosën kurora me lule në nder të tij.

Ndërsa në Republikën Sërpska mbështetësit e përshkruajnë si “hero”, për të mbijetuarit dhe familjet e viktimave emri i Mlladiçit mbetet i lidhur me gjenocidin në Srebrenicë, rrethimin e Sarajevës dhe krimet e tjera të kryera gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë.