Një rikthim emocionues te kolonat zanore të filmave më të dashur shqiptarë, kompozuar nga Haig Zacharian përcolli mbrëmja e së mërkurës në kinemanë “Drita” në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit përmes interpretimit të pianisteve Ardita Bufaj, Merita Balliu dhe oboistes Xhovana Marku. “Eko e një kohe të largët” është albumi pianistik i Zacharian, promovimi i të cilit nuk ishte menduar të ishte thjesht një koncert.

Pianistja Ardita Bufaj, njëherësh ideatore e projektit, ndau një moment prekës kur para një jave, në të njëjtën sallë, kompozitorit iu shfaq si surprizë filmi “Dora e ngrohtë”.

“Ishte një moment shumë i rrallë si një takim i pazëshëm midis kompozitorit dhe veprës së vetë. E pashë që ishte i përlotur, madje dhe unë u përlota, kur shikoja profesorin që në këto vite është përballë filmit të jetës dhe mendoj, që ai, këtij momenti i ka dhënë frymë. Sidomos muzika e ‘Dorës së ngrohtë’ është një nga meloditë më të bukura.”, tha Bufaj.

Dirigjenti Petrika Afezolli, mik dhe ish-student i kompozitorit, e cilësoi Haig Zacharianin si një figurë që solli frymën e lirë dhe novatore në muzikën shqiptare, si në film ashtu edhe në krijimtarinë simfonike. Afezolli vlerëson krijimtarinë e kompozitorit jo vetëm në film, por edhe në muzikën simfonike, skenike dhe balet, duke përmendur baletin “Lulja e Onit” dhe suita të tjera që mbeten pikë referimi në muzikën shqiptare.

“Eko e një kohe të largët” është albumi i pestë i kësaj natyre. Albumi i parë ka qenë një album muzikor pianistik dedikuar muzikës së filmave për fëmijë, ku Bufaj ka interpretuar në piano kolona zanore nga kompozitorë të ndryshëm.