Reshjet e dendura të shiut në muajit e parë të vitit si dhe rritja e aktivitetit të ndërtimit, kanë dhënë shtysën më të fortë për rimëkëmbjen ekonomike këtë vit. Instituti i Statistikave njofton se pas një viti me recesion ekonomik prej 3.3% për shkak të pandemisë, në 3-mujorin e parë të 2021 ekonomia është rritur me 5.53% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ekonomia ishte në rënie me 2,52 %.

Sipas raportit ndikimin më të madh pozitiv në rritjen ekonomike e ka dhënë Industria, Energjia dhe Uji me 2,56 %, ndërtimi me 1.09%, ndjekur nga administrata publike, arsimi e shëndetësia si pasojë e rritjes edhe të pagave me 0.97%. Po ashtu ndikim pozitiv ka dhënë edhe aktiviteti i pasurive të paluajtshme me 0.58%, për të vijuar më pas nga aktiviteti financiar, artet e argëtimi, informacioni dhe bujqësia me kontribut pozitiv.

Ndërsa negativisht ka ndikuar tregtia, transporti si dhe është regjistruar ulje në mbledhjen e taksave. Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit është rritur për periudhën janar-mars me 2.2% krahasuar edhe me tremujorin e fundit të vitit 2020.

Rimëkëmbja ekonomike në këtë tremujor është reflektuar edhe me rritje konsumi si nga popullata ashtu edhe nga qeveria. Sipas INSTAT konsumi i qytetarëve i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi në këtë periudhë  u rrit me 1,49 %, ndërsa konsumi final i qeverisë u rrit me 5,16 %.

Ndërkohë në total qeveria pret që këtë viti rritja ekonomike të jetë 5.5%, pak më lartë se parashikimet e ndërkombëtareve dhe të Bankës së Shqipërisë.

 

(Kliko këtu per të parë Rritjen ekonomike tremujore)