Dy mjekë italianë, të cilët po hetohen në vendin e tyre pas vdekjes së dy pacientëve, punojnë edhe në Shqipëri, në të njëjtin spital privat në Tiranë, “Trita Hospital”. Për Andrea Formigën, ka hetim edhe në Tiranë, pasi pacienti i tij italian, ndërroi jetë në QSUT në dhjetor 2025, 4 ditë pas ngushtimit të stomakut. Ndërsa Marco Procopio, kirurg plastik, po hetohet vetëm në Itali dhe i është pezulluar licenca për 1 vit, për vdekjen e një 22-vjeçareje italiane pas operacionit në hundë në Romë. Në Shqipëri punojnë aktualisht 354 mjekë të huaj, por pikëpyetjet mbeten mbi Ministrinë e Shëndetësisë, nëse e kontrollon apo jo aktivitetin e tyre.
***
Andrea Formiga, kirurg italian, drejtor i qendrës mjekësore CIBO në Milano për trajtimin e mbipeshës dhe obezitetit, është në hetim nga Prokuroria e Padovës në Itali bashkë me dietologen e së njëjtës qendër Alessandra Freda. Kur këshillimi ushqimor nuk mjaftonte, dietologia nuk sugjeronte opsion tjetër, veç ngushtimit të stomakut te mjeku ekspert për trajtimin e obezitetit me teknika kirurgjikale, Andrea Formiga.

Dietologia Alessandra Freda
Por çfarë e lidh kirurgun italian me Shqipërinë?
Historia nis në dhjetor të vitit 2025. Një sipërmarrës italian, 54-vjeçari Massimo Ferro, prej vitesh në një betejë pa sukses për të humbur peshë, ra në kontakt me kirurgun Andrea Formiga në klinikën private në Milano. Mjeku i sugjeroi menjëherë zgjidhjen ‘magjike’ të dobësimit, ngushtimin e stomakut, një ndërhyrje që në Itali, do t’i kushtonte rreth 15 mijë euro. Por kur pa hezitimin e sipërmarrësit, i ofroi një tjetër alternativë. Të njëjtën ndërhyrje, pacienti mund ta kryente po me të, në Tiranë. Kirurgu i Milanos, punonte edhe në spitalin “Trita Hospital” në kryeqytetin shqiptar, dhe për të njëjtën ndërhyrje, kosto do të ishte 4.400 euro, më shumë se trefish më e ulët se në Milano.
Operacioni u planifikua për më 18 dhjetor në Tiranë, pa bërë asnjë test para-operator në Milano edhe pse pacienti ishte me diabet të tipit II dhe peshonte 108 kilogramë.
Bashkëshortja, e cila e shoqëroi Massimo Ferron në Tiranë më 17 dhjetor 2025, 1 ditë para operacionit, siç ka denoncuar te autoritetet italiane, pretendoi se në spitalin privat “Trita Hostpital” nuk iu bë asnjë procedurë paraprake. Vetëm 2 ditë pas operacionit, sipërmarrësit italian iu shfaq temperaturë e lartë, dhe në disa sorollatje dhe ping-pong, sa herë në QSUT, e sërish duke e kthyer në spitalin privat, Massimo Ferro, ndërroi jetë më 22 dhjetor 2025 në reanimacionin e QSUT-së pas një arresti kardiak që pësoi kur ndodhej te “Trita Hospital”.

Biznesmeni që ndërroi jetë Massimo Ferro me bashkëshorten
Veç humbjes së njeriut të zemrës, bashkëshortja dhe familja e sipërmarrësit, ende nuk kanë në duar shkakun përse Massimo Ferro ndërroi jetë. Report Tv ka pyetur zyrtarisht edhe QSUT-në, për të mësuar mbi gjendjen fillestare të italianit kur mbërriti në urgjencë dhe trajtimin mjekësor që iu bë, por kjo përgjigje është refuzuar me arsye dhe kërkesa të habitshme, se përse media jonë interesohej për rastin. Në fakt, për vdekjen e tij, ka edhe një hetim të nisur në Prokurorinë e Tiranës, që pritet të zbulojë përgjegjësinë e mjekut italian që bëri operacionin, apo edhe reagimin e bluzave të bardha në QSUT, kur Massimo Ferro u shkoi për herë të parë me temperaturë të lartë më 21 dhjetor 2025. Por ky element, nuk e ka bindur QSUT-në të kuptojë interesin publik mbi këtë çështje dhe detyrimin për të garantuar transparencë.
Vetë “Trita Hospital” thotë se pacientët e quanin kirurgun Andrea Formiga “doktori i mrekullive”.

Postimi i Trita Hospital ku e quan kirurgun Andrea Formiga “doktori i mrekullive”.
Në të njëjtën klinikë, Report Tv mëson se punon edhe një tjetër mjek italian, gjithashtu me një hetim të hapur ndaj tij në Itali, për vdekjen e një pacienteje në Romë, një vajze 22-vjeçare, pas një ndërhyrjes estetike në hundë.
Margaret Spada ndërroi jetë në 4 nëntor të vitit 2024, pas ndërhyrjes nga kirugu Marco Procopio. Pesë muaj nga vdekja e pacientes së tij në Romë, më 7 prill të vitit 2025 ai rregjistrohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri, si person fizik. Në fakt, adresa Rruga Derhemi, që ai ka vendosur, është e njëjta me atë të spitalit privat “Trita Hospital”, sikundër në QKB, është regjistruar me e-mailin e spitalit Trita.

Margaret Spada dhe Marco Procopio
Licencën në Shqipëri ai e fitoi edhe falë një certifikate të sjelljes së mirë profesionale, lëshuar nga Urdhri i Mjekëve në Itali, që vërteton se mjeku është i regjistruar, ushtron profesionin dhe nuk ka masa disiplinore, pjesë e kritereve të kërkuara nga autoritetet shqiptare. Por pak muaj më pas, në Itali, me vendim gjykate atij iu pezullua e drejta e ushtrimit të profesionit për një periudhë 1-vjeçare. Ndërsa pak javë më parë, prokuroria italiane mbylli hetimet duke e akuzuar atë për vrasje nga pakujdesia.
Megjithatë, në Tiranë, kirurgu Procopio, ka vazhduar qetësisht punën në “Trita Hospital”.
Si Andrea Formiga, dhe Marco Procopio, janë pjesë e një liste të gjatë mjekësh të huaj që ushtrojnë profesionin edhe në Shqipëri. Të dhënat zyrtare të siguruara nga Report TV, flasin për 354 mjekë nga shtete të ndryshme. Nuk dihet megjithatë, se në cilat klinika ata punojnë. Urdhri i Mjekëve jep vetëm licencat për ushtrimin e profesionit edhe në Shqipëri. Ndërsa është Ministria e Shëndetësisë ajo që duhet të kontrollojë se ku punojnë këta mjekë, të huaj dhe të mbikëqyrë punën e tyre, njëjtë siç duhet të ndodhë me veprimtarinë e mjekëve shqiptarë. Por nga Ministria e Shëndetësisë, Report Tv nuk e ka marrë një përgjigje, edhe pse afatet ligjore të kërkesës për informacion, janë shkelur.
Po ashtu, nga shifrat e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, nuk dihet se sa prej këtyre mjekëve janë rezidentë në Shqipëri, apo sa prej tyre punojnë edhe në vendet e tyre të origjinës dhe vijnë në Tiranë vetëm për konsulta mjekësore ose ndërhyrje kirurgjikale.
Në 2025-ën, ishin 431 mjekë të huaj në Shqipëri, siç bën të ditur Urdhri i mjekut për Report Tv, por 77 prej tyre nuk janë paraqitur për rinovimin e licencës.
Gati gjysma e mjekëve të huaj që janë aktualisht në Shqipëri, punojnë si mjekë të Përgjithshëm, pasuar nga kirurgjia plastike, kirurgji e përgjithshme, ortopedi, dhe Obstetrikë-Gjinekologji.
Për të marrë licencën nga Urdhri i Mjekëve, siç thuhet në reagimin zyrtar për Report Tv, një mjek i huaj, duhet të ketë edhe një dëshmi penaliteti, njohjen e diplomës dhe specializimeve nga institucionet shqiptare, si dhe një rekomandim nga një mjek specialist i së njëjtës fushë në Shqipëri.
Mjekët rezidentë duhet të njohin gjuhën shqipe, ndërsa ata jo-rezidentë duhet të punojnë me përkthyes.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në total, në Shqipëri janë rreth 6,900 mjekë të licencuar, ku rreth 80% e tyre punojnë në sektorin publik. Raporti aktual është rreth 220 mjekë për 100,000 banorë, një shifër që mbetet nën mesataren e vendeve të Evropës Juglindore.
- Cilat janë procedurat ligjore që duhet të ndjekë një mjek i huaj për të ushtruar profesionin në Republikën e Shqipërisë?
Në bazë të Ligjit nr. 123/2014 “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë” dhe Rregullores për regjistrimin dhe licencimin, mjekët e huaj duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
1-Pasaportë ose kartë identiteti
2-Formular vetëdeklarimi
3-Kërkesë për anëtarësim, në të cilën deklarohet njohja dhe pranimi i Statutit të UMSh-së, Betimit të Mjekut dhe Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, si dhe zotimi për respektimin e tyre
4-Tre (3) fotografi
5-Curriculum Vitae profesionale
6-Leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë (për mjekët rezidentë në Shqipëri)
7-Certifikatë e sjelljes së mirë profesionale (Good Standing Certificate), e lëshuar nga Urdhri/Dhoma ose Shoqata e Mjekëve e vendit të origjinës, që vërteton se mjeku është i regjistruar, ushtron profesionin dhe nuk ka masa disiplinore. Dokumenti duhet të jetë i pajisur me vulë Apostile
8-Konvalidimi (njohja) i diplomës dhe certifikatave të specializimit, të përkthyera dhe të noterizuara
9-Dëshmi penaliteti ose dokument tjetër zyrtar nga autoritetet përkatëse të vendit të origjinës, që vërteton se nuk ka dënime penale (e përkthyer, e noterizuar dhe me vulë Apostile)
10-Rekomandim nga një mjek specialist vendas i së njëjtës fushë, anëtar i Urdhrit të Mjekëve
11-Mjeku i huaj rezident në Shqipëri duhet të njohë gjuhën shqipe dhe të ketë aftësi komunikimi në shqip; mjeku jo-rezident është i detyruar të punojë me përkthyes
- Cili institucion është përgjegjës për certifikimin dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve të huaj që ushtrojnë profesionin në Shqipëri?
Institucioni përgjegjës është Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), e cila funksionon në varësi të Ministrisë së Arsimit.
Kirurgji Plastike Rikonstruktive – 27
Otorinolaringolog – 24
Kirurgji e Përgjithshme – 22
Ortopedi-Traumatologji – 17
Obstetrikë-Gjinekologji – 15
Kardiolog – 14
Okulist – 14
Urolog – 12
Neurolog – 9
Mjekësi Interne – 8
Neurokirurg – 8
Kirurgji Oro-Maksilofaciale – 8
Kirurg Vaskular – 7
Dermatolog – 5
Anestezi-Reanimacion – 3
Dermatologji-Venerologji – 3
Gastrohepatolog – 2
Hematolog – 2
Kardiokirurg – 2
Onkolog – 2
Radiolog – 2
Alergolog-Imunolog – 1
Diagnostikë me Imazhe – 1
Mikrobiolog – 1
Sëmundje Infektive – 1
Laborator Klinik-Biokimik – 1
Patologji – 1
Komente











