Ekskluzive/ 2 mijë USD pagë për oficerët e policisë gjyqësore

Paga mujore e oficerëve të policisë gjyqësore do të bëhet sa 50 deri në 70 për qind e pagës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët kanë kaluar Vetingun. Paga mesatare e një prokurori apo gjyqtari, i cili ka kaluar me sukses sfidën e Vetingut, pas datës 1 janar 2019, do të jetë 300 mijë lekë ose 2 750 USD. Paga e oficerëve të policisë gjyqësore do të rritet nga 150 mijë deri në 225 mijë lekë ose nga 1 370 USD deri në 2 060 USD. Ky është propozimi që Ministria e Financave i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të shqyrtimit të një projektligji të ri “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”. Masa e shtesës përfundimtare e pagës së oficerëve të policisë gjyqësore, të cilët realizojnë pothuajse të gjithë procesin hetimor, do të përcaktohet nga komisionet parlamentare dhe në fund nga Parlamenti në seancë plenare. “Përgjigjet i kemi marrë nëpërmjet ekspertëve për faturën financiare që do ketë ligji për ta diskutuar në komision. I është dërguar Ministrisë së Financës dha na ka ardhur një përgjigje nga ekspertët që merren me llogaritë e faturës dhe ato kanë dhënë 3 alternativa midis 50 apo 70 % dhe kanë përcaktuar edhe vlerën e kostos që do përfshihen. Vlerën e kanë lënë në vlerësimin e komisionit”, ka pohuar Drejtorja e Shërbimit Juridik në Kuvend, Mimoza Arbi, gjatë mbledhjes së fundit të Konferencës së Kryetarëve. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka propozuar që të ruhet raporti që parashikon ligji aktual, pra që paga e oficerit të policisë gjyqësore të jetë sa 60 % e pagës së prokurorit. “Çështja e trajtimit financiar është e vërtetë që sot trajtohen me ligjin aktual me 60% të pagës së prokurorit, por nëse pas janarit 2019-të paga e prokurorit shkon në limite goxha të larta, ministria e Financës ka vënë në diskutim nëse duhet të jetë në diskutim 60% e pagës së re e prokurorit apo s’duhet të jetë sepse ka faturë financiare të papërballueshme. Gjithsesi, ne nuk është se e kemi ndarë në ligj, që do të jetë 60%, do jetë 70% apo nuk do jetë fare. Aktualisht e ka dhe mendimi ynë është që të paktën ky raport që është sot në ligjin aktual të ruhet dhe në ligjin që do të vijë, pasi në fund të fundit funksioni i policisë gjyqësore, me ligjet e reja të reformës, u është mbyllur sistemi i karrierës. Ata nuk mund të ecin më, nuk mund të gradohen prokurorë dhe nëse ne do të shërbejmë dhe tek paga pastaj, i bie që cilësia e hetimit të bjerë”, ka pohuar Manja.

Llogaritja e pagave 
Trajtimi financiar i njerëzve të drejtësisë që kalojnë Vetingun përcaktohet në kapitullin e tretë të ligjit për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, i miratuar në vitin 2016. Paga e prokurorit dhe gjyqtarit do të jetë sa paga drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri, plus një shtesë 90 për qind deri në 106 për qind sipas kategorive. Ata do të përfitojnë edhe një shtesë për vjetërsi në ushtrimin e funksionit masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim. Por, gjyqtari apo prokurori që delegohet merr një kompensim prej 60 për qind të pagës referuese bazë për pozicione si magjistrat në skemën e delegimit. Po ashtu, çdo vit, magjistratët, të cilët në vitin paraardhës kalendarik, në mënyrë të veçantë, kanë pasur vlerësimin më të lartë etik dhe profesional, marrin një shpërblim të barabartë me një pagë referuese bazë

Sa bëhen e pagat e magjistratëve
Nga 1 janari i vitit 2019, pagat e njerëzve të drejtësisë shqiptare, të cilët kanë kaluar dhe që do të kalojnë me sukses sfidën e trefishtë të Vetingut, do të trefishohen. Nëse aktualisht, paga mesatare për gjyqtarët dhe prokurorët është nga 100 deri në 130 mijë lekë në muaj, pas 1 janarit 2019, paga mesatare do të bëhet nga 280 deri në 380 mijë lekë në muaj, duke u bërë njerëzit më të paguar në Shqipëri, madje mbi Presidentin dhe kryeministrin. Paga e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë do të rritet deri në 380 mijë lekë në muaj ose 3 333 USD në muaj. Rritje page do të përfitojnë vetëm gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët janë konfirmuar në detyrë me një vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që ka marrë formë të prerë apo me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Hyrja në fuqi e pagave të reja për njerëzit e drejtësisë që kalojnë Vetingun parashikohet në pikën 6, të nenit 169 të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pika 6 parashikon që magjistrati që ka kaluar procesin e rivlerësimit pas datës 1 janar 2019 gëzon të drejtën për të marrë diferencën mes pagës dhe përfitimeve të tjera, sipas parashikimeve ligjore të zbatueshme para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe pagës dhe përfitimeve të tjera, sipas parashikimeve të këtij ligji, brenda tre muajve nga vendimi i formës së prerë të rivlerësimit. Kjo pikë është lënë në fuqi edhe nga vendimi numër 35, datë 18.04.2017, i Gjykatës Kushtetuese.

Ja sa paguhen njerëzit e organeve të Vetingut
Paga bruto e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është 372,661 lekë në muaj, ndërsa paga neto është 288.296 lekë në muaj. Vlera e pagës dhe shpërblimit është konfirmuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për Shqiptarja.com. Ndërkaq, në fund të vitit 2017, anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë shpërblyer me nga 1 milionë lekë të vjetra secili. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave. Anëtarët e Vetingut dhe fëmijët gëzojnë edhe mbrojtje të veçantë. Ligji parashikon se, anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, personat e lidhur me ta, personeli i institucioneve të rivlerësimit, si dhe personeli mbështetës i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit gëzojnë të drejtën për mbrojtje të veçantë nga shteti për jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e veçantë. Ndërkaq, institucionet e rivlerësimit do të propozojnë çdo vit projektbuxhetin e tyre në komisionin që mbulon çështjet ligjore pranë Kuvendit. Institucionet zbatojnë në mënyrë të pavarur buxhetin e tyre, të miratuar nga Kuvendi. Ato kanë të drejtë gjithashtu që të përdorin të ardhurat dytësore, të përfituara nga projektet ndërkombëtare, donacionet dhe botimet e tyre. Kontrolli financiar i institucioneve të rivlerësimit kryhet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Privilegjet e tjera të gjyqtarëve dhe prokurorëve
Gjyqtarët dhe prokurorët që do të kalojnë Vetingun do të mund të marrin kredi të financuar nga shtetit, për të blerë shtëpi të reja në qendrat e qyteteve ku ushtrojnë detyrën. Konkretisht, gjyqtari apo prokurori ka të drejtë që një herë gjatë ushtrimit të funksionit të tij, pasi të ketë ushtruar jo më pak se tre vjet të detyrës, të përfitojë kredi për shtëpinë të financuar nga shteti, në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti prej 50 m2 në zonën e qendrës së qytetit ku magjistrati ushtron detyrën.

Ndërkaq, për çdo anëtar të familjes, i cili jeton në të njëjtën banesë me magjistratin, masa referuese e sipërfaqes së banesës shtohet me 10 m2 për person.  Prokurorët dhe gjyqtarët që do t’i mbijetojnë Vetingut kanë të drejtë që të përfitojnë pension suplementar dhe pension të parakohshëm. Gjyqtarëve dhe prokurorëve të drejtësisë së re do t’u sigurohet mbrojte e veçantë. Ligji parashikon që, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, magjistrati dhe familja e tij gëzojnë të drejtën të kenë mbrojtje të veçantë nga shteti për jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre. Magjistrati që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension gëzon këtë mbrojtje, në rast se e kërkon, si dhe në rast cenimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit të magjistratit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Patrioti: 03/11/2018 13:47

    Rritja e pages ne nje nivel dinjitoz per nivelin dhe rendesine e e detyres eshte 'ABC'-ja e shfarosjes se korrupsionit nga drejtesia. Ata qe kane ne dore lirine, pronen, jeten e popullit nuk mund te lihen me 100000 leke rrogë. Me keto paga te uleta prokuroret, gjyqtaret, OPGj e kane te pamundur te mos korruptohen.

    Përgjigju
  • Rilindas: 03/11/2018 10:16

    E zbrazet Shqiperin o gryksa o plera.

    Përgjigju
  • lxx: 03/11/2018 09:19

    kapje klaske

    Përgjigju
  • Ggg: 03/11/2018 08:48

    Hahaha, OPGJ te zhvasin mire perpara se te bejne dosjen dhe nuk ngopen, keta do i rrisin rrogen, ata do kerkojne me shume leke tani.....

    Përgjigju
  • Populli: 03/11/2018 07:54

    Te na rrojne vetem keta se populli te vuaj per buken e gojes maskarenje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë