Duan ta rehabilitojnë figurën e tij, edhe pse ka kryer masakra, vrasje e ekzekutime pa gjyq, në kundërshtim me të gjithë ligjet në fuqi. Ai intrigon tmerrësisht, edhe sot e kësaj dite, kaq e kaq vite pas vdekjes së tij sa misterioze për një palë aq edhe e qartë dhe e shpjegueshme për palën tjetër...
E megjithëkëtë, Mehmet Shehu mbetet një personazh për tu studiuar. Kush ishte, cila qe rruga e tij në politikë, anekset e errëta e të panjohura, fragmentet e ndriçuara e të analizuara deri në detaje, cili qe portreti i tij psikologjik, në ç’kushte u ngrit ai deri në majë, apo aty afër majës, një shkallë poshtë numrit 1, Enver Hoxhës? Si qe marrëdhënia e vërtetë mes të dyve, një marrëdhënie e çuditshme dashuri-urrejtje. Çfarë zbulojnë dokumentet, letërkëmbimet, dëshmitë e panjohura ende...?
Kemi zgjedhur për të folur për këtë personazh, një studiuese që zor se mund t’ia bësh fjalën dy. Ajo ka një marrwdhënie kaq fanatike me të vërtetën dhe dokumentin dhe një aftësi të pazakontë analitike sa nuk të lë shteg për më tej.
Është prof.dr. Ana Lalaj. Rrëfimi i mëposhtëm, që do të vijojë edhe nesër, sjell një analizë të dokumentuar e argumentuar mbi jetën politike të Mehmet Shehut që s’duhet humbur nga asnjë lexues i interesuar...
Prof. Lalaj, kohët e fundit është hapur një debat për Mehmet Shehun, njërën prej figurave më të rëndësishme të regjimit komunist. Në vështrimin e studiuesit, cili është mendimi juaj për vetë debatin?
Në vetvete çfarëdolloj debati është i përligjur, nëse ai shpreh një interes publik. Me sa e kam ndjekur, diskutimi për figurën e Shehut ka qenë më shumë me format politik, nxitur edhe nga një veprimtari me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij. Them politik, pasi disa prej intervistave e komenteve mbahen në dy pole ekstreme, njëri lançues e tjetri linçues. Vështrimet emocionale janë të pashmangshme, por jo të dobishme. Fati i personave historikë është i tillë që gjithë jetën janë në sy të publikut, por edhe pas vdekjes ata mbeten më të paqetët, deri sa për ta të gjendet “streha” e duhur në histori. Në këtë grup bën pjesë edhe komunisti Mehmet Shehu, vullnetar internacionalist në Luftën e Spanjës, drejtues kryesor i formacioneve të Luftës Antifashiste në Shqipëri, 27 vjet kryeministër dhe që, më 1981, përfundoi me vetëvrasje. Se cili është roli dhe vendi i tij në histori, për këtë do të debatohet ende, por asnjë shqyrtim nuk do t’i shërbente këtij qëllimi, nëse ai do të shihej veçmas sistemit për të cilin ai luftoi dhe i shërbeu.
Ju po flisni për një standard vlerësimi?
Mendoj se kjo është kërkesë parësore metodologjike. Një pyetje që shtrohet për historiografinë e sotme është: mbi çfarë bazash do të vlerësohet sistemi komunist? Mendoj se vështrimi kryesor është ai i raporteve me sistemet e tjera ekonomike dhe shoqërore, progresi dhe regresi, utopia dhe realiteti, triumfi dhe rënia. Por diktatura komuniste në Shqipëri nuk mund të shihet jashtë marrëdhënieve me kampin, i cili pas Luftës së Dytë Botërore u bë sistem konkurrues. Më në fund, duhen marrë në konsideratë edhe zhvillimet, për mirë e për keq, në jetën ekonomike, sociale e kulturore të këtij vendi. E njëjta logjikë mendoj se funksionon edhe për vlerësimin e figurave historike në komunizëm: 1. raportet e personit historik me vetë sistemin totalitar dhe varësia prej tij, 2. raportet me legjislacionin e kohës, zbatueshmëria dhe tejkalimet, 3. vështrim i tipareve vetjake të personit historik dhe pasojat që kanë rrjedhur midis individësh dhe grupesh sociale për shkak të vendimmarrjeve të tij, etj.
Atëherë, cilat janë raportet e Mehmet Shehut me pushtetin komunist?
Mehmet Shehu gjatë luftës ishte njëri ndër drejtuesit më kryesorë të saj, ndërsa pas luftës, në hierarkinë politike për një kohë të gjatë ai ishte figura e dytë pas Enver Hoxhës. Kjo do të thotë se Shehu, në raport me pushtetin komunist, nuk ishte si të tjerët, thjesht e vetëm në shërbim të tij. Më kryesorja, ai ishte njëri prej modeluesve dhe ndërtuesve të vetë atij pushteti. Tani, le të arsyetojmë. Më 1991 ai pushtet u rrëzua, jo me ndonjë puç, siç ndodh me juntat, por me vullnet popullor. Vetë sistemi i asaj kohe është identifikuar si regjim terrori. Kjo do të thotë se edhe vlerësimi historiografik për atë regjim nuk ka si të jetë mbështetës. Në këtë vështrim, as për drejtuesit politikë të diktaturës komuniste nuk mund të ketë masë tjetër vlerësimi, e ndryshme nga vlerësimi që i bëhet regjimit që ata vetë e ndërtuan dhe e drejtuan me zell.
Megjithatë ka prej atyre që Shehun e cilësojnë si burrë shteti...
Kam përshtypjen se ka edhe keqkuptime në terma. Në kohë të ndryshme, politikanë, studiues kanë dhënë definicione mbi formatet e një burri shteti. Për shembull, është e njohur thënia se një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa një burrë shteti për gjeneratat e ardhshme. Por këta burra shteti vizionarë na kanë munguar edhe dje, ashtu siç na mungojnë sot e gjithë ditën. Shehu ishte një drejtues i aftë, me kulturë dhe shumë ambicie. Këtë e nënvizojnë të gjithë ata që e kanë njohur. Megjithatë, edhe po t’i lëmë aspektet e tjera e të marrim vetëm atë ekonomik, duhet të themi se vit pas viti vendi shkoi në varfëri të thellë, në radhë të parë për shkak të politikës, por edhe nga keqdrejtimi. Qoftë dhe për këtë arsye, drejtuesit e kohës, përfshirë edhe Shehun, mendoj se janë të përjashtuar nga çdo mundësi për vlerësime sipërore.
Sidoqoftë, midis cilësimeve ekstreme kriminel apo burrë shteti është një jetë e gjatë politike, apo jo?
Nëse ju kuptova drejt, ju po thoni që më parë se të konkludojmë për një figurë historike, duhet ta shqyrtojmë atë mundësisht në të gjitha lidhjet e rrethanat. Sot për Enver Hoxhën ka shumë botime dhe priten të tjera. Për Mehmet Shehun ka fare pak, megjithëse ka qenë figura e dytë pas Hoxhës. Më kryesorja, në kërkimet e mija (jo posaçërisht për Shehun) më del se ai është një figurë interesante, deri-diku komplekse, me një jetë aktive, por me impulse ekstreme, sa i ashpër në paraqitjen publike, aq i prekshëm në emocione. I njohur si karakter i fortë dhe ambicioz, po që ka rezultuar më se një herë depresiv dhe çuditërisht edhe i përulur, konsistent me politikën e kohës dhe mbrojtës naiv i saj. Më tej, mendoj se njohja e personalitetit të Shehut do të hidhte jo pak dritë në marrëdhëniet brenda kupolës politike komuniste, sidomos në raportet e tij me Enver Hoxhën.
Aq më tepër që karriera e tij është e lidhur me emrin e Hoxhës, apo jo?
Sigurisht. Mehmet Shehu u kthye në Shqipëri në gusht 1942 dhe plot një vit më vonë u vu në krye të të parës brigadë partizane, që u krijua në Vithkuq. Si komandant i kësaj brigade ai bëri shumë emër. Ndoshta ishte personi me më shumë popullaritet gjatë luftës. Duket se kjo e ka shqetësuar Hoxhën, i cili i shkruante Nako Spirut: “Brigada I nuk ka zëvendëskomisar. Duhet të caktojmë një dhe sa më parë... Veç kësaj duhet të jetë një shok që të fitojë simpati e influencë në partizanët, se për ndryshe do të mbetet krejt simpatia për Mehmetin (nënvizimi im AL). Ti e kupton se nuk është puna si për çdo brigadë [tjetër]...” Një shpjegim është se Enver Hoxha, si sekretar i përgjithshëm i PKSH, ishte i interesuar të ndërtonte autoritetin e partisë në formacionet e luftës. Po ka edhe shpjegime të tjera, që do të thotë se ai ose i frikej popullaritetit të Shehut dhe prandaj bëri çmos ta frenonte, ose në marrëdhëniet Hoxha – Shehu diçka nuk ka shkuar.
Në Konferencën I të PKSH ai ishte zgjedhur kandidat i Komitetit Qendror, por më 1944, në Plenumin e Beratit u bënë kooptime dhe Shehu ishte i vetmi që mbeti përsëri kandidat. Në Kongresin e Përmetit ai ishte njëri nga 121 anëtarët e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, por në zgjedhjet e dhjetorit 1945 emri i tij i mungonte listës së deputetëve. Siç dihet, ai pati probleme edhe me jugosllavët, të cilët e konsideronin pjesë e grupit të Nako Spirut dhe që kishte penguar bashkimin e ushtrisë shqiptare me atë jugosllave, prandaj ata kërkuan të largohej nga detyra e shefit të Shtabit të Ushtrisë. Marrëdhëniet midis Hoxhës dhe Shehut u normalizuan vetëm në fund të vitit 1948, kur pas rënies së Koçi Xoxes, ai u emërua ministër i brendshëm. Sipas të gjitha dokumenteve, del se që prej asaj kohe të dy ata me njëri-tjetrin kanë qenë në raporte krejt korrekte, por që nuk mund t’i quash konfidenciale, siç kanë qenë, bie fjala, midis Hoxhës dhe Hysni Kapos.
Gjithsesi, më 1954, Mehmet Shehu ishte i përzgjedhuri i Hoxhës për kryeministër...
Të paktën, ky është versioni i Hoxhës. Më 1953, Moska orientoi që drejtuesit e partive të mos mbanin në të njëjtën kohë edhe detyra shtetërore. Më parë se në Tiranë, në Pragë funksionet e Gottvaldit, i cili vdiq dhjetë ditë pas Stalinit, u ndanë midis Zapotockit dhe Novotnit. Në Budapest kryeministër u bë Nagi. Në Varshavë Bieruti e la postin e kryeministrit, ndërsa në Sofje sekretar i parë erdhi Zhivkovi. E njëjta gjë iu kërkua edhe Hoxhës më 1953, i cili atë kohë ishte edhe sekretar i parë, edhe kryeministër, ministër i jashtëm etj. Pas një viti, në qershor 1954, Hoxha shkoi përsëri në Moskë. Sipas tij, ka qenë vetë ai që ka propozuar që kryeministër të emërohej Mehmet Shehu dhe sovjetikët e kanë pranuar. Mundet të jetë edhe ndryshe, që propozimi të ketë qenë i sovjetikëve, pasi ata i njihnin aftësitë e Shehut. Në Moskë, ai studioi në Akademinë Ushtarake “Voroshillov” dhe pa mbaruar studimet, më 1946, u thirr si shef i Shtabit të Ushtrisë Kombëtare, në vend të gjeneral Spiro Moisiut, dhe kishte pranë tij këshilltarë sovjetikë. Po kështu prej gjashtë vjetësh ai ishte ministër i brendshëm dhe, ashtu si në të gjitha vendet e Lindjes, bashkëpunimi me KGB ka qenë i afërt. Në Moskë ka qenë praktikë që sekretari për çështjet organizative në PK të BS, në këtë rast Malenkovi, të studionte dosjet personale të të gjithë funksionarëve partiakë e shtetërorë në BS dhe në vendet satelite. Kjo praktikë vazhdoi edhe pas vdekjes së Stalinit. Sot kur mjaft dokumente janë deklasifikuar, studiues të huaj kanë arritur të provojnë se të gjitha lëvizjet dhe emërtimet e reja që u bënë në vitet 1953-56 u vendosën më parë në Moskë. Nëse propozimi për Shehun ka ardhur që andej, dokumentet sovjetike, me siguri, e sqarojnë këtë hollësi, por unë nuk kam njohje rreth tyre. Sidoqoftë, kur Hoxha u kthye në Tiranë dhe i kërkoi plenumit që Mehmet Shehu të emërohej kryeministër, ai nuk la pa vënë në dukje se “shteti, organet qendrore dhe lokale të pushtetit, organizatat e masave drejtohen, edukohen dhe kontrollohen nga partia, nga KQ dhe nga Byroja Politike”. Që do të thoshte se në hierarkinë e partisë-shtet mbi gjithçka ishte kulti i partisë, duke u nënkuptuar Njëshi në krye të saj, ndërsa gjithë të tjerët apo gjithçka tjetër ishte në vartësi të tij.
Dhe me sa dimë, hierarku shqiptar nuk u zhgënjye nga zgjedhja...
Mendoj se Hoxha nuk mund të gjente askënd tjetër të përshtatshëm sa Mehmet Shehun për postin e kryeministrit. Ai ishte njeri vital dhe me vullnet, ambicioz në punë dhe administrator i shkathët. Njihte disa gjuhë të huaja dhe lexonte shumë, madje ka shkruar edhe poezi. Por për Hoxhën këto nuk do të kishin asnjë vlerë, në qoftë se i përzgjedhuri i tij nuk do të manifestonte pajtim të plotë me ato që quheshin direktiva partie dhe intuitën e përshtatjes me kërkesat e shefit të vet. Hoxha e shfrytëzoi zellin e tij “në shërbim të partisë” dhe e mbajti gjithnjë nën trysni, e vlerësonte sa herë ia donte puna, po ruajti me të gjithë kohës një lloj distance.
A mund të shkojmë më tej në ato që ju i quajtët cilësi vetjake të personit historik dhe pikërisht në pjesën e errët të Shehut, veprimet e tij ekstreme?
Veprimet ekstreme të Shehut nuk mund të kuptohen jashtë ekstremizmit si filozofi dhe praktikë, mjet të cilin e përdorën kudo qeverisjet komuniste, po kështu edhe në Shqipëri. Të gjitha përvojat tregojnë se ky sistem as vendosej e as mbahej pa dhunë ekstreme. Bashkë me institucionet përkatëse, me ushtrimin e dhunës, në një mënyrë ose një tjetër, janë të lidhur sidomos gjithë funksionarët partiakë e shtetërorë të kohës. Sot ngjan ironike, por vetë Mehmet Shehu e përdor si kartë besnikërie asgjësimin e kundërshtarëve në parti, kur thotë se “karshi fraksionit të Xhepit unë i kam duart me gjak”. Është fjala për grupin e Sadik Premtes në komitetin qarkor të Vlorës, verë 1943, për të cilin KQ i Partisë kishte udhëzuar se “...duhet t’i urrejmë këta njerëz dhe t’i godasim kudo që i gjejmë”. Pra, kjo ishte direktivë partie dhe Shehu një zbatues i zellshëm i saj. Është përmendur shpesh se në tetor 1943 M. Shehu ka pushkatuar në Dumre 67 fshatarë, shumica të pafajshëm, thjesht për terror, pasi ata u ishin bashkuar çetave të Ballit Kombëtar. Kjo ka ndodhur pikërisht atëherë, kur kreu i partisë udhëzonte se “tani nuk bëhet fjalë për bashkim me Ballin, po për shpartallimin e tij”. Enver Hoxha dërgoi i një letër qortuese, jo për të goditur masakrën kriminale në Dumre, po për të thënë se ai ishte gabim taktik, “një veprim i tepruar që, në vend të na sjellë fitime, na dëmton”. Pas vetëvrasjes së Shehut, kjo ngjarje është përdorur si akuzë kundër tij, por në fund të luftës dhe pas saj Hoxhës i duhej më shumë se asnjëherë një njeri si Shehu për të nënshtruar me gjak veriun e vendit.
Me fjalë të tjera, këto nuk janë vetëm rekorde individuale, janë pjesë e një praktike kolektive dhune, e cila i kapërceu kufijtë edhe në kushtet e luftës.
Mendoj gjithashtu se në jetën e Mehmet Shehut ka dhe një predispozitë vetjake sektare, sipas vështrimit të kohës, kriminale në vështrimin e sotëm. Dhe kjo është pjesa më e errët e tij. Mënyra si u trajtua hedhja e një pakete me dinamit në oborrin e ambasadës sovjetike, më 19 shkurt 1951, nuk është rasti i vetëm, por më tipiku. Të nesërmen e atij incidenti, ministri i brendshëm Shehu vajti në Byronë Politike me një listë të gjatë emrash për t’u arrestuar dhe kërkoi të merren “masa represive të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh ligjet ne fuqi”, me argumentin se “një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, dmth kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi...” [nënvizimet janë të dokumentit]. Merret me mend se gjithçka është këshilluar me Hoxhën, por iniciativa e ministrit të brendshëm është po aq kriminale, kur kërkoi mbështetje jashtëligjore për t’u vënë në plumb 22 vetë, asnjëri prej të cilëve nuk kishte lidhje me incidentin në ambasadën sovjetike. Për t’u shpejtuar masakra, me atë rast u përgatit shpejt e shpejt edhe një dekret për ato që quheshin akte terroriste, të cilat, sipas dekretit, duhej të hetoheshin brenda dhjetë ditëve, aktakuza t’i jepej të pandehurit një ditë përpara procesit gjyqësor, gjyqet të ishin pa pjesëmarrjen e palëve (dmth pa të drejtë mbrojtjeje), vendimet pa të drejtë apelimi dhe të ekzekutoheshin menjëherë. [Dekret i Presidiumit të Kuvendit Popullor, 26 shkurt 1951, nr. i regjistrit 1223. Zëri i popullit, 27 shkurt 1951] Atë dekret e kundërshtoi si jo oportun ministri i atëhershëm i drejtësisë, Manol Konomi dhe për këtë arsye ai u largua nga detyra dhe u përjashtua nga Komiteti Qendror. Dy vjet më parë, maj 1949, diçka të ngjashme kishte tentuar edhe Bilbil Klosi, kryetar i Gjykatës së Lartë, kur i bëri një promemorie Enver Hoxhës, me të cilën kundërshtonte gjyqet e mbyllura pa avokat, në kundërshtim me nenin 19 të kushtetutës së atëhershme, si dhe kërkonte të aplikohej rregullisht e drejta e apelimit ose e rekursit, duke përmendur edhe procesin e famshëm të deputetëve, më 1947. Atë kohë edhe Klosi ishte shkarkuar nga detyra. Dy tentativa të teknicienëve partiakë (juristë) për të pajtuar interesat e partisë me atë që quhet pavarësi e gjykatave, nuk mund të përfundonin ndryshe, përveçse me dështim. Në një rast Bilbil Klosi kishte pohuar me guxim në Byronë Politike se “partia i jepte më tepër rëndësi goditjes se ligjshmërisë”. ... (Vijon numrin e ardhshëm…)
Shënim: Titujt janë të redaksisë
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)