TIRANË- Pronari i kompanisë ‘Shpresa.al’ Lush Osmani, i shpallur në tetor 2019 në kërkim policor dhe më pas i vetëdorëzuar, për skandalin e pronave në Kepin e Rodonit, vijon të marrë para publike, përmes kontratave me institucione të pushtetit vendor. Tenderin e fundit Lush Osmani e ka marrë nga Bashkia e Kamzës, me objekt blerje karburanti. Kontrata është nënshkruar në datën 30 mars të këtij vitit. Ndërsa ishte nën hetim nga Prokuroria e Durrësit, Osmani e ka marrë një tjetër tender pa garë nga Drejtoria e Përgjithshme Nr. 1 e Punëtoreve të Qytetit Tiranë, me objekt blerje vaj, në datën 30 janar 2020. Vitet e fundit, Lush Osmani ka marrë nga shteti rreth 700 tendera me vlerë mbi 1.5 miliardë lekë.  

Po çfarë llogarie të hapur ka me drejtësinë Lush Osmani? Në 25 tetor të 2019, Policia e Durrësit shpalli në kërkim me urdhër të prokurorisë  pronarin e kompanisë ‘Shpresa.al”, Lush Osmani, i dyshuar si organizator dhe përfitues si skemës së tjetërsimit të 68 mijë metrave katror tokë shtetërore pranë Kepit të Rodonit. Osmani u shpall në kërkim policor si i dyshuar edhe për përfitimin e një godine në mënyrë korruptive si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Disa javë më pas, Osmani u vetëdorëzua në Policinë e Durrësit. Fillimisht prokuroria kërkoi izolimin e tij, por më pas, kërkoi masën “Detyrim paraqitje”. Kundrejt garancisë pasurore, Gjykata e Durrësit i ka dhënë masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”. 

Aktualisht mësohet se pronari i ‘Shpresa.al’ është nën hetim nga Prokuroria e Durrësit për falsifikim dokumentesh, për ndryshimin e statusit të një sipërfaqe toke. Sipas burimeve, Osmani dyshohet si i implikuar në kthimin e një toke nga tokë bujqësore në tokë truall, përmes falsifikimit të dokumenteve, ku janë përfshirë edhe disa zyrtarë të shtetit. Pas një viti hetime, policia me urdhër të prokurorisë arrestoi në tetor të 2019, 18 persona për skandalin e tokave, mes të cilëve edhe Ardian Iljazaj, ish-drejtor i Hipotekës së Durrësit, si dhe Sulejman Ibrahimi, ish-kryetar i Komunës Ishëm. 

Kokat e kësaj skeme u liruan më pas nga burgu, duke marrë masën detyrim paraqitje. Kjo masë u vendos edhe për Lush Osmanin, kundrejt 10 milionë lekëve të vjetra si garanci pasurore. Që të gjithë vijojnë betejën me drejtësinë, por Lush Osmani merr ndërkohë edhe para publike, përmes tenderave, me anë të kompanisë së tij ‘Shpresa.al’, ku zotëron 100 % të aksioneve.