Belinda Balluku paracaktoi fatin e të të gjithë tenderave të Unazës së Madhe në Tiranë. Ky është verdikti i Prokurorisë së Posaçme, e cila i ka komunikuar zyrtarisht këtë të premte statusin e të pandehurës ish zv. Kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës për tenderat e 6 loteve të mbetura, pasi më herët ishte marrë nën akuzë për lotin nr. 4 të Unazës dhe Tunelin e Llogarasë.

Me këtë vendim të SPAK, ndaj Ballukut tashmë rëndojnë akuzat e shkeljes së barazisë në 8 procedura tenderimi gjithsej, që arrijnë një vlerë totale mbi 600 milionë euro.

Balluku ishte njoftuar të paraqitej në SPAK rreth orës 10:00 aty ku e prisnin një grup të rinjsh protestues. Por vetë Balluku u paraqit me avokatin e saj rreth orës 14:00 të së premtes në SPAK. 

Përveç akuzave të reja, Ballukut iu komunikua edhe zgjatja me 3 muaj e hetimeve, njëjtë si dy ish-vartësve të saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.

Fillimisht Belinda Balluku u mor e pandehur 31 tetorin e vitit 2025 vetëm për tunelin e Llogarisë, tender me vlerë 190 milionë euro. Më pas SPAK njoftoi se e akuzonte zyrtarisht ministren e asaj kohe edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe, ndërkohë që vijonte hetimet për të gjithë këtë projekt madhor.

Për të shtata procedurat tenderuese të Unazës së Madhe SPAK ka biseda të Belinda Ballukut me vartësit e saj, të gjetura kryesisht nga telefoni i kreut të ARRSH Ervis Berberi.

SPAK thotë në dosje se nga provat ka rezultuar se Belinda Balluku, duke qenë në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, edhe pse formalisht kompetencat ia delegonte vartësve të saj, i ndiqte personalisht procedurat e tenderave, nga faza përgatitore, dorëzimin dhe vlerësimin e ofertave, e deri në momentin e lidhjes se kontratës me operatorët ekonomik fitues.

Ndërkohë vijon hetimi për korrupsion e pastrim parash, lidhur me dy tenderë me vlerë mbi 1 mln euro në kohën kur Balluku ishte drejtoreshë e Përgjithshme e “Albcontrol”. SPAK thotë se tenderat iu dhanë në shkelje një kompanie ndërtimi, dhe Balluku mori ryshfet një vilë në Dhërmi me vlerë 145 mijë euro, e cila është sekuestruar me vendim të GJKKO.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:38
SPAK merr të pandehur Ballukun edhe për 6 lotet e Unazës së Madhe, Bardhi: Sot duhet të ishte me pranga në duar, por shëtit e lirë falë mbrojtjes nga Edi Rama

1784563221_gazmentbardhi.png

Pasi SPAK i komunikoi Belinda Ballukut akuzën për shkelje të barazisë edhe në tenderët e 6 loteve të Unazës së Madhe - pasi më herët ishte marrë nën akuzë për lotin nr. 4 të Unazës dhe Tunelin e Llogarasë - kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, shkroi në rrjetet e tij sociale se sot ish-zëvendësryeministrja duhej të ishte me "me pranga në duar, por vazhdon të shëtisë e lirë, falë mbrojtjes politike të Edi Ramës dhe mosveprimit".

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

Duhet të ishte me pranga në duar, por vazhdon të shëtisë e lirë, falë mbrojtjes politike të Edi Ramës dhe mosveprimit, sipas nesh të pajustifikueshëm, të SPAK-ut. Belinda Balluku është marrë sot e pandehur për akuza të tjera që lidhen me abuzimet në ushtrimin e detyrës.

Shtimi i akuzave zyrtare nga SPAK ndaj krahut të djathtë të Edi Ramës rikonfirmon edhe një herë se qëndrimi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit të saj parlamentar ka qenë i drejtë dhe i domosdoshëm. Një person që përballet me disa akuza për abuzim me miliona euro të Buxhetit të Shtetit dhe që po hetohet gjithashtu për korrupsion dhe pastrim parash nuk duhet të lejohet, të qëndrojë në liri sepse ekziston rreziku që të ndikojë mbi provat, të cenojë hetimet ose të intimidojë dëshmitarët.

Ruajtja e standardeve të njëjta nga SPAK-u është një domosdoshmëri për të mos cenuar besimin e qytetarëve te drejtësia. Një drejtësi që nuk respekton parimin kushtetues të “barazisë së qytetarëve përpara ligjit” rrezikon të shndërrohet në një instrument selektiv, në vend që të garantojë drejtësi të barabartë për të gjithë.

Një drejtësi që perceptohet se ndikohet nga vendimmarrja politike e mazhorancës nuk mund të konsiderohet as plotësisht e pavarur dhe as plotësisht e paanshme. Prandaj, SPAK-u duhet të zbatojë të njëjtat standarde për çdo zyrtar, pa përjashtim dhe pa privilegje politike.

Ora 13:53
Belinda Balluku mbërrin në SPAK! GJKKO zgjati hetimet, Prokuroria i komunikon akuzën e shkeljes me tenderët për 6 raste të tjera (VIDEO)

 

Ish-zv. kryeministrja Belinda Balluku sapo ka mbërritur në SPAK ku i është komunikuar akuza për shkeljen në 6 tenderë të tjerë vecc lotit 4 dhe Tunelin e Llogarasë, si dhe zgjatjen me 3 muaj të hetimeve.

Përpara SPAK pati masa të shtuara sigurie, ndërsa deputetja refuzoi të bënte deklarata për mediat.

Ora 11:34
‘Bela-ja e pushtetit’, Ballukut pritet t’i komunikohet akuza për shkeljen në 6 tendera të tjerë, protestuesit grumbullohen para SPAK (VIDEO)

Një grup protestuesish janë grumbulluar para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme pasi sot është thirrur ish-zv. kryeministrja Belinda Balluku, së cilës pritet t’i komunikohet akuza për shkelje në 6 tendera të tjerë veç lotit 4 të Unazës dhe Tunelit të Llogarasë.

Ata mbajnë në duar pankarta kundër qeverisë, si edhe ndaj deputetes.

“Bela-ja e pushtetit”, thuhet në një pankartë, kurse në një tjetër “Bela, vasalja e mretit, tregoji SPAK-ut, vjedhjen e buxhetit.”

Policia po ndërhyn për largimin e protestuesve, por ata ua kthejnë se nuk po bëjnë asgjë të ndaluar.

Kujtojmë se gjatë dy muajve protestë, një prej thirrjeve të vazhdueshme ka qenë “Arrestoni Ballukun.”