Ekskluzive/ Dosja e plotë e basteve, si ra në grackë vëllai i shefes së KPA-së së vettingut dhe Gramoz Murataj (Përgjimet)

TIRANE-Një hetim i nisur në 17 korrik të 2019 nga policia dhe prokuroria e Tiranës është konkretizuar në arrestimin e 115 personave në disa qytete të cilët ishin përfshirë në skemën e organizimit të basteve sportive. Kjo dosje penale që çoi në pranga dy emra të njohur si Gramoz Murataj, vëllain e Besnik Murataj njëherësh dhe pronarin e “Eco Bet” si dhe Ervis Mulaj, vëllain e kryetares së KPA-së Natasha Mulaj, lindi si rezultat i bashkimit të tre çështjeve penale të regjistruara në kohë të ndryshme në prokurorinë e Tiranës. Në dosjen e prokurorisë që ka mundur të sigurojë “Shqiptarja.com” rezulton se katër agjentë të skuadrës operacionale kanë kryer veprime stimuluese, duke u prezantuar si qytetarë të thjeshtë dhe që kërkonin të vendosnin lloto. Veç veprimeve të kryera nga agjentët policorë, veprime këto që janë autorizuar me vendim të prokurorit të çështjes, janë qindra biseda telefonike që janë përgjuar dhe që nxjerrin zbuluar të gjithë veprimtarinë kriminale të Gramoz Murataj, Elvis Mulaj dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Nga përgjimet e kryera rezultojnë biseda që tregojnë se lojtarët e llotove hapnin dy llogari online në euro dhe në lek, me të cilat vendosnin baste sportive. Në një nga bisedat e përgjuara i arrestuari, Sution Buneci, i cili ushtronte veprimtarinë kriminale në zonën e kompleksit “Halili” në Tiranë, i thotë një personi tjetër me mbiemër Tabaku:”…hape një llogari 5 milionë lekë dhe 5 mijë euro dhe ma nis në Whats app…”. Ndërsa biseda tjetër mes këtyre dy personave është “…www.teb999.com…ma ço kodin… Tabaku33 123456 ok….”. Ndërkohë në një përgjim tjetër të arrestuarit Reland Nurçelari, i zbulohet një sms nga një person “Koli Kom…”, ku ky i fundit i thotë se:“…bëj kujdes pasi nga nesër do të ketë lëvizje…”. Nga verifikimet në kompjuter që bëri policia rezultoi se historiku i basteve nga ky person ishte fshirë. 

Gramoz Murataj dhe Elvis Mulaj

Implikimi i vëllait të Natashës së “Vettingut”
Mes personave që kanë rënë në grackën e agjentëve të policisë është dhe Elvis Mulaj, vëllai i Kryetares së Komisionit të Posaçëm të Apelimit, (Vetting),e cila gjykon çdo ditë gjyqtarët dhe prokurorët për kriterin moral, profesional dhe pasuror. Por në fakt vëllai i saj, Elvis Mulaj, arrestohet për veprimtari kriminale, pasi siç rezulton në dosjen e prokurorisë së Tiranës në zonën e “Rrugës së Elbasanit” në një ndërtesë dy katëshe, mbrapa Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Mulaj është arrestuar në 21 shkurt 2020 në orën 05:00 të mëngjesit. Rezulton se gjatë veprimeve stimuluese ndaj këtij personi agjentët kanë bërë blerje stimuluese. Ndërkohë në total Mulaj ju sekuestruar plot 14 kompjutera.

Ky nuk është vëllai i vetëm me probleme me ligjin i zonjës Natasha Mulaj, pasi njëri nga vëllezërit e tjerë të saj, Admir Mulaj, është paditur në gjykatën e Tiranës për një kontratë mashtrimi prej 241 mijë e 600 euro,para këto që janë paguar nga biznesmeni Eduart Dauti, për blerjen e një apartamenti në pallatin e ndërtuar nga kompania “Construction Management Allience-Albania” që administrohet nga Admir Mulaj. Ndërkohë vëllai tjetër i Natashës, Ilir Mulaj, rezulton i dënuar në Maj të 2004 me 16 vite burgim për akuzën e “Vrasjes me dashje” në dëm të viktimës Zeqë Nezaj. Por pas rikthimit të këtij dënimi për rigjykim në Gjykatën e Apelit Shkodër, çuditërisht Ilir Mulaj, është dënuar përfundimisht për akuzën e “Vrasjes së kapërcimit të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, dënim ky që është amnistuar së bashku me akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”.

Natasha Mulaj

Brenda një ditë 3 agjentë vendosën tre skedina në një pikë llotoje
Për hetimin, dokumentimin dhe individualizmin e personave të implikuar në këtë veprimtari kriminale të jashtëligjshme , janë realizuar një tërësi veprimesh hetimore dhe përdorur metoda speciale, ku përmes vëzhgimeve, fotografimeve, deklarimeve, përgjimeve dhe kontrolleve të ambienteve është arritur të provohet veprimtaria e kundraligjshme e personave të dyshuar si kryerës e veprave të “Organizimit të llotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion të lokaleve për lojra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i Produkteve të veprës Penale”. Sipas dosjes së prokurorisë në 23 dhjetor 2019 dy agjentë të policisë kriminale me emrin e koduar “Denis” dhe tjetri me numerin e koduar “328”, paraqiten në vendin e quajtur “Nishrak”, pasi kanë konstatuar se në një nga lokalet me shumë televizorë jepeshin ndeshje sportive. Pikërisht në këtë lokal agjentët e mësipërm kanë pyetur kamarierin, duke i kërkuar nëse mund të vendosnin baste sportive ose jo. Kamrieri i është përgjigjur se duhet të prisni një çast. Pasi është kthyer nga banaku, ku pyeti dikë tjetër, kamarieri është kthyer dhe i ka pyetur dy agjentët e infiltruar se si e kishin emrin dhe sa lekë kërkonin të vinin lloto, në mënyrë që ti hapte llogarinë online.

Dy agjentët i kanë pohuar kamarierit se si fillim donin të vinin secili 20 mijë lekë të vjetra. Kamarieri njërit prej agjentëve me emrin të koduar “Denis” i thotë të vendoste lloton në www.linkundata1111.com, ku kërkohej Username. Dhe nëse ishte fitues lekët ai do ti merrte te banaku më pas. Në fund të shërbimit kamarieri për konsumim të pjesës së barit, ju ka ofruar dy agjentëve një faturë tatimore, ku pas verifikimit të niptit ka rezultuar se ky biznes i përket shtetas Rovena Dedej. Në të njëjtin lokal dhe në të njëjtën ditë dy agjentët kanë vendosur dhe dy herë të tjera lloto sportive, duke përdorur një Username me “Denis” dhe Pasword “12345”. Ndërkohë në datën 27 dhjetor 2019 nga agjenti i infiltruar me kodin “Toni” në rrugën e Qelqit në Kominat,një lokal i cili smhërbente si për pije dhe qebaptore është bërë një blerje skedine me një vlerë prej 5.150 lekë. Ashtu si rastet e mësipërm, është vepruar edhe në rastin me agjentin e policisë me emër të koduar “Toni”. Të gjitha rastet e monitoruara nga policia dhe prokuroria e Tiranës janë vetëm disa nga episode e hetimit përmes simulimit, ndërkohë që këto veprime policore janë kryer në dhjetëra ambjente e biznese në kryeqytet.

Si u kap Gramoz Murataj, njeriu që rrëzoi ekstradimin në Itali
Mes njerëzve që kanë rënë në grackën e policisë dhe prokurorisë së Tiranës është dhe Gramoz Murataj nga Vlora, i dënuar në Itali për trafik droge dhe që pak vite më parë me anën e një vendimi të Gjykatës së Lartë mundi të rrëzojë ekstradimin e tij në drejtim të Italisë. Murataj është vëllai i Besnik Murataj, edhe ky i dënuar në Itali për trafik droge dhe njëherësh të dy pronarë të kompanisë së basteve “Eco Bet”. Gjatë aksionit policor Murataj është prangosur në orën 05:00 të mëngjesit të datës 21 shkurt 2020.

Në dosjen e prokurorisë së Tiranës thuhet se gjatë kontrollit të ushtruar në kompleksin “Kika” në Tiranë, Murataj së bashku me 7 persona të tjerë në ambjentet e kompanisë “B-Servis”, kanë qënë duke monitoruar bastet online dhe se ky ambjent ishte përshtatur enkas për të ushtruar këtë aktivitet. Këtij personi i janë konstatuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasia prej 69 milion lekë të vjetra, 16 mijë e 480 euro dhe 15 mijë dollar. Gramoz Murataj, sipas dosjes së prokurorisë dyshohet se është drejtuesi kryesor i këtij aktivite kriminal dhe ka qënë ortak i kompanisë së basteve sportive “ISTGA”.Bashkë me Gramoz Murataj, policia narrestoi në të njëjtin ambjent dhe Fjorald Bega, Ermir Dimashi, Klaudio Xhufi, Ervin Hakanin, Barjon Xhani, Dritan Forssen dhe Ervis Kalemaj.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Po po: 25/02/2020 13:16

    Mir ua ben plerave kan ndar familje bastardet me keto gjera su ngopen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja