Nga e mërkura, ish-deputeti Ervin Salianji do të zbresë në terren për takime me demokratët. Burime për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku bëjnë me dije ekskluzivisht se Salianji do të nisë foltoret nga qyteti i Durrësit. Siç sqarojnë burimet, Salianji do të zhvillojë takime me demokratët për situatën në PD, pas disfatës në zgjedhjet e 11 majit.

Krahas takimeve të Salianjit, Report Tv ka mësuar se Berisha do të zhvillojë takime me strukturat duke nisur nga dita e nesërme, në një kohë zërat që kërkojnë analizë të plotë në PD, shoqëruar me reflektim të lidershipit blu, po shtohen.

Ish-deputeti Salianji i nis takimet në bazë me demokratët pas kafes me Ilir Alimehmetin dhe figurat më të votuara në PD të cilët nuk fituan dot mandat deputeti. Kreu i PD është për ta sfumojë këtë takim, që ka trazuar jo pak ujërat brenda PD-së.

“Normale në një parti kudo është që mendimet e propozimet, kritikat të shprehen brenda forumeve të partisë”, tha Berisha sot në konferencë nga selia blu kur u pyet për takimin e Salianjit.

Vetë Salianji ka preferuar të mos flasë ende në publik për takimet që do të zhvillojë me demokratët, por Ilir Alimehmeti në një intervistë për Report Tv sqaroi se kafja me figurat më të votuara erdhi për shkak të mungesë së hapësirave në parti për të shprehur alternativën e rimëkëmbjes së PD-së.