EKSKLUZIVE/ Flet djali i pacientes që ndenji 4 ditë në dhomë me 73-vjeçaren me koronavirus

TIRANË - Në një komunikim ekskluziv me Repor Tv, djali i një prej zonjave që ka qenë në një dhomë me 73-vjeçaren e identifikuar me koronavirus, Shkëlqim Buziu thotë se në dhomën numër 3 në katin e katërt tek patologjiku në Spitalin e Durrësit, kanë qenë për 4 ditë edhe dy paciente të tjera, nëna e tij 84-vjeçare dhe një grua tjetër e sëmurë.

Për 73-vjeçaren ai thotë se deri në moment të fundit ajo nuk kishte treguar pranë autoriteteve shëndetësore që kishte qenë së fundi në Itali, dhe vetëm kur gjendja e saj u përkeqësua dhe u kërkua t'i bëhen analiza, nga frika se do të zbulohej ajo tha se kishte shkuar në Bolonja të Italisë për t'u vizituar për problemet e shumta shëndetësore që ajo kishte.

Shkëlqim Buziu në komunikimin ekskluziv me Report Tv shprehet se në dhomë kanë hyrë dhe kanë dalë shumë persona të tjerë, të rinj e të moshuar që vinin të takonin pacientet në dhomë, ndërsa vetë ai ka qëndruar për 4 ditë në atë dhomë pranë nënës së tij. Aktualisht ai thotë se e gjithë familja e tij është vetëkarantinuar në banesë, ndërsa mostra për të bërë analizën e koronavirusit në ISHP i është marrë vetëm nënës së tij të moshuar. Buziu tregon se fatmirësisht deri më tani asnjë nga familjarët nuk ka temperaturë apo simptoma të tjera, ndërsa po merr të gjitha masat që të ruajë pastër banesën dhe të respektojë kushtet e higjienës personale, duke mos dashur që si i dyshuar të rrezikojë persona të tjerë. 

"Ka pasur plot hyrje e dalje të familjarëve. Hynin e dilnin njerëzit, se shqiptari i shkretë shkojnë një në spital, e shkojnë të gjithë. Kontakte fizike ka pasur. Nuk kemi përdorur maska. Ka qenë moskompetenca e këtyre, gabimi fatal i mjekësisë. Kam qëndruar 4 ditë në dhomë me pacienten e sëmurë, bashkë me nënën time. I kërkova ISHP-së, erdhën kanë marrë vetëm analizat e mamit tim. I thash po ne të tjerët që kemi qenë atje. Unë po pres analizat e mamit se është moshë e vjetër, kollën e ka të vazhdueshme, temperaturë nuk kemi asnjëri shyqyr. Unë kam dhe gocën këtu që ka dy fëmijë të vegjël, 6 muajsh dhe 4 vjeç, dhe nuk vjen njeri të interesohet. Edhe kam lëvizur se njerëz jemi, kam shkuar tek puna, kam ardhur në shtëpi. Punoj në kompani private. Me sa kam mundësi çdo gjë steril fare, dhe shtëpinë time duke e larë me açe, dyshemetë, oborrin, çfarë të bëjmë ne.  Nuk mund të them gjë pa marrë një analizë.  Ne ndenjëm 4 ditë, këta po e bëjnë tragjedi për atë që e mohoi e fshehu dhe ndenji mes nesh. Jo të vinte mes njerëzish, se atje kishte të rinj, pleq, çfarë nuk kanë hyrë e nuk kanë dalë tek ata njerëz. Pa pikë turpi thonë që dhoma ka qenë vetëm. Ne kemi kaluar 3-4 ditë aty. Turp i madh është. Është frika, se e mora pa dashje, nuk e mora se erdha nga Italia dhe nuk i tregova dikujt. Unë po rri këtu se me vjen keq pse ta marrin të tjerët përmes meje", tha Buziu.

Shkëlqim Buziu thotë se ishte vetë ai dhe vajza e gruas tjetër të shtruar në dhomë që kuptuan që diçka nuk shkonte me shëndetin e 73-vjeçares, pasi siç ai thotë, sapo i hiqnin oksigjenin ajo nuk mund të qëndronte dhe shfaqte probleme.  "Unë me vajzën e konstatuam, ajo rrinte vetëm me oksigjen tek goja, sa i hiqnin oksigjenin nuk rriten dot", tha ai.

 Por Buziu thotë se edhe pse e kuptuan nuk mund të shpreheshin, dhe u detyrua të nxjerrë nënën e tij nga spitali, ditën e hënë, pra tre ditë më parë, dhe të njëjtën gjë bëri edhe vajza e pacientes tjetër.

"Ditën e hënë e nxorra nga spitali, e pashë gjurulldinë aty. Edhe ajo goca tjetër mori nënën e saj. Nuk mund të flisnim se të çonin në burg, dhe thonë  hap panik", thotë ekskluzivisht djali i pacientes që ka qenë për 4 ditë në një dhomë me të infektuarën me koronavirus.

Sipas tij, 73-vjeçarja ka shkuar në Tiranë ku ka qenë edhe e shtruar. Më tej e kanë çuar në spitalin Shefqet Ndroqi, njohur si Sanatoriumi, dhe më tej ka shkuar në Itali ku ka qëndruar 1 javë. Atje, - tregoi Buziu - i kanë thënë të presë 10 ditë sa t'i dalin analizat, por duke qenë se shteti fqinj u prek nga koronavirusi dhe u kërkua vetëkarantinim, e moshuara u kthye në Shqipëri dhe menjëherë ka ardhur në spitalin e Durrësit pasi nuk është ndjerë mirë.

Gabimi i saj që mund t'i rëndojë jo vetëm pacientëve të tjerë e familjarëve të tyre, por edhe bluzave të bardha që u kujdesën për të, është që nuk tregoi se kishte pasur historik udhëtimi me Italinë.

Pas rezultatit pozitiv të analizës së koronavirusit, të gjithë mjekët që kanë asistuar gruan 73-vjeçare kanë qenë të veshur me mjetet e mbrojtjes personale dhe se është thuajse zero mundësia që ata të jenë infektuar.

Por duke qenë se gruaja e deklaroi me vonesë që kishte qenë në Itali, mjekët e tjerë të spitalit të Durrësit që kanë pasur kontakt me pacienten e shtruar, janë vetëkarantinuar në shtëpi, dhe të gjithëve u janë marrë tamponët për të bërë analizën, përgjigjet e të cilëve ende nuk kanë dalë.

Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se ka nisur një hetim për të identifikuar të gjithë personat që kanë pasur kontakt me gruan e infektuar me koronavirus, të cilët janë duke u kontaktuar, por është një proces i gjatë derisa të zbulohen të gjithë. Atyre u këshillohet vetëkarantinimi dhe u merren mostrat për të bërë analizat. 

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja