Ekskluzive/Gjyqtarët që morën
para dhuratë nga gjyshja e babai

Ekskluzive/Gjyqtarët që morën<br />para dhuratë nga gjyshja e babai
Gjyqtarët e shkallës së parë dhe apelit deklarojnë para dhuratë nga gjyshja, motra, babai, kunata etj., për të justifikuar transaksionet bankare dhe blerjen e pasurive të paluajtshme, brenda apo jashtë vendit. Disa gjyqtarë shkojnë më tej me guximin e tyre, duke deklaruar apartament apo vilë dhuratë.

Neritan Cena, gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, njëherësh edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjatë vitit 2016, rezulton se ka blerë dy pasuri të paluajtshme në Gjermani, me vlerë 48 mijë euro dhe 25 mijë euro. Cena ka blerë gjithashtu, së bashku me bashkëshorten, edhe një apartament me sipërfaqen 101 m2, në Selitë të Tiranës, me vlerë 5 400 000 lekë.

Për të justifikuar blerjet e pasurive të lartpërmendura, gjyqtari Cena thotë se motra e tij i ka bërë dhuratë 16 mijë euro. Ai deklaron gjithashtu se babai i tij, Bajram Cena, i ka dhënë dhuratë 22 mijë euro. Cena shton se ka përfituar nga babai edhe një shumë tjetër 550 000 lekë. Anëtari i KLD vijon më tej, duke deklaruar si kunatës i ka marrë hua 9 mijë euro, ndërsa djalit të xhaxhait i ka marrë 2 mijë euro.

Gjithashtu, duke iu referuar gjithnjë deklaratës së pasurisë të siguruar nga Shqiptarja.com, gjyqtari Cena, për blerjen e apartamentit në Selitë të Tiranës, deklaron se i ka marrë kunatës së tij një hua në shumën 5 400 000 lekë. Ai thotë se për të siguruar paratë ka shitur edhe makinën me vlerë 20 mijë euro.

Anëtari i KLD i ka marrë hua kunatës edhe 3 988 lekë për blerje makine, ndërsa vijon të shlyejë një kredi për mobilimin e shtëpisë ku jeton aktualisht. Ndërkaq, gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Rezarta Mataj, deklaron 35 mijë euro dhuratë nga gjyshja e bashkëshortit. Me këtë shumë, gjyqtarja ka mbyllur në 5 janar 2016 një kredi afatgjatë me vlerë 30 mijë euro për blerjen e një shtëpie.

Nga kredia në fjalë, zonjës i kishin mbetur për të shlyer 27 mijë euro. Bashkëshorti i saj, Blendi Breshanaj, deklaron gjithashtu 2 mijë euro dhuratë nga gjyshja. Me këto para ai ka blerë një makinë tip Benz. Gjyqtarja Mataj deklaron edhe 200 000 lekë dhuratë nga njerëz të ndryshëm pas lindjes së vajzës. Edhe gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Yrfet Shkreli, deklaron një llogari bankare me vlerë 14 mijë euro, ku si burim referon një shumë të dhënë dhuratë nga prindërit, kthim i huasë së dhënë një shtetaseje dhe kursime nga paga. Por, gjyqtarja nuk referon vlerën konkrete të dhuratës.

Gjyqtari i pezulluar blen makinë 60 mijë USD
Gjyqtari i gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxha, i pezulluar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me dy vite burg për korrupsion, deklaron se gjatë vitit 2016 ka blerë një makinë me vlerë 7 milionë lekë ose rreth 60 mijë USD.

Hoxha thotë se makinën e ka blerë me të ardhurat nga paga si gjyqtar si dhe nga gjendja cash. Gjyqtari Ibrahim Hoxha u prangos pasditen e 2 Majit të vitit 2016 në Tiranë. Sipas dosjes së Prokurorisë, djali i Ibrahim Hoxhës, Ledjan Hoxha, në datën 2 maj 2016, po merrte 600 mijë lekë të reja ose rreth 50 mijë USD ryshfet nga një familje, për të ndryshuar vendimin që kishte të bënte me një konflikt për trashgiminë.

Po atë natë është arrestuar edhe Ibrahim Hoxha, i cili po e priste djalin e tij te dera e një lokali. Ai u dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me dy vite burg. Por, Gjykata e Apelit vendosi që ta zbusë akuzën për korrupsion, duke e nxjerrë nga burgu gjyqtarin Hoxha dhe duke vendosur në shërbim prove.

Të tjera çudi
Gjyqtarja e gjykatës së Tiranës, Marinela Osmani, gjatë vitit 2016, ka blerë një apartament 1+1, me sipërfaqe 72 m2, tek Komuna e Parisit, me vlerë 67 mijë euro. Por vlera e këtij apartamenti është rritur menjëherë me 13 mijë euro sapo është blerë nga zonja. Ajo thotë se me aplikimin në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është bërë rivlerësimi i pasurisë në shumën 80 mijë euro.

Në këto kushte, apartamentin që ka blerë 63 mijë euro, zonja e ka shitur në datën 19.12.2016 në vlerën 80 mijë euro, duke fituar kësisoj 13 mijë euro. Shumën prej 80 mijë eurosh zonja e ka depozituar menjëherë në bankë.
 
 Pasuria e disa gjyqtarëve dhe justifikimi i transaksioneve
 Neritan Cena, Gjykata e Tiranës (2016)

Pasuri e paluajtshme në Gjermani, 25 mijë euro.

Blerë pasuri e paluajtshme në Gjermeni, 48 mijë euro.

-Burimi i krijimit të pasurisë:
Babai im Bajram Cena më ka bërë dhuratë shumën prej 22 mijë euro. Kjo shumë është përfituar nga shitja e shtëpisë në Kukës.  

Nga babai im Bajram Cena kam përfituar shumën 550 000 lekë.

Motra më ka bërë dhuratë 16 mijë euro.

Shitja e makinës, 20 mijë euro.

Djali i xhaxhait, transfertë 2 mijë euro.

Kunatës time i kam marrë hua 9 mijë euro.

Kam kursyer nga paga si gjyqtar shumën 1 108 euro.

Kam blerë së bashku me bashkëshorten një apartament me sipërfaqen 101 m2, në Selitë të Tiranës, me vlerë 5 400 000 lekë.

-Burimi i krijimit:
I kam marrë hua kunatës sime shumën 5 400 000 lekë. Një shumë të tillë kunata ime e ka përfituar nga shitja e një prone në Austri dhe nga kursimet nga paga e saj dhe nga paga e bashkëshortit të saj.

Hua 5 mijë euro, për blerje makine.

Hua marrë kunatës për blerje makine, 3 988 lekë.

Kredi për mobilimin e shtëpisë ku jetoj, 700 000 lekë, shlyer 123 296 lekë, detyrimi i mbetur 509 622 lekë.

Gjendja në llogarinë time, burimi nga paga si gjyqtar në Tiranë, 350 euro.

Gjendja në llogarinë time, burimi nga paga si gjyqtar në Tiranë, 14 844 lekë.

Gjendje e llogarisë rrjedhëse së pagës në Rsiffeisen Bank, si gjyqtar në Tiranë, 17 125 lekë.

Paga si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, 1 105 293 lekë.

Honorare të përfituara nga pjesëmarrja në mbledhjet e KLD, 123 255 lekë.

Paga e bashkëshortes si punonjëse pran QSUT, 660 860 lekë.


 
Rezarta Mataj, Gjykata e Tiranës (2016)
Kredi afatgjatë për shtëpi, 30 mijë euro, detyrimi i mbetur, 27 mijë euro.

Më 5 janar 2016 mbyllet kredia, burimi dhurimi i gjyshes së Blendi Breshanaj, i shumës 35 mijë euro.

Blendi Breshanaj, bashkëshorti, makinë Benz, 2 mijë euro, dhuratë nga gjyshja pas shitjes së tokës në Tiranë.

Dhurata nga lindja e vajzës, 200 000 lekë.

Llogari debiti tek Credins Bank, 902 lekë.
 
Llogari krediti tek Credins Bank, 3 975 lekë.  

Gjendje cash në shtëpi, 500 000 lekë dhe 3 875 lekë.

Paga si gjyqtare, 1 078 499 lekë.

Shpërblime nga Shkolla e Magjistraturës, 23 592 lekë.

Dieta dhe mbulim shpenzimesh European Paten Organization, Mynih Gjermani, 725 lekë.

Likuidim i pjesshëm i vendit gjyqësor, 150 000 lekë.

Shpërblim për botimin e revistës shkencore Avokatia, 6 800 lekë.

Gjendja e llogarisë, 9 171 lekë.

Gjendja e llogarisë, 807 lekë.

Paga nga puna si inspektor pranë AKU, Drejtoria Rajonale Tiranë, 628 388 lekë.

Bonuse nga Federata Shqiptare e Futbollit si arbitër i kategorisë së parë, 299 700 lekë.

Dietë nga pjesëmarrja në trajnim, në Podgoricë Mal i Zi, 180 euro.
 
Ibrahim Hoxha, Gjykata e Tiranës (2016)
Blerje makine, 7 000 000 lekë, me të ardhura nga paga dhe gjendje cash.

Paga si gjyqtar, 462 726 lekë.

Bashkëshortja Brunilda Hoxha, depozitë në Union Bank, 2 146 100 lekë.

Depozitë në BKT, 711 893 lekë.

Depozitë në BKT, 932 730 lekë.

Llogari page në BKT, 137 021 lekë.

Paga në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Tiranë, 966 330 lekë.

Vajza Ejona Hoxha, depozitë në BKT, 1 756 lekë.

Depozitë në BKT, 700 euro.

Llogari page në BKT, 42 416 lekë.

Paga si specialiste në Drejtorinë e Shërbimit të Provës në Tiranë, 510 209 lekë.

Djali Lejdon Hoxha, paga në shoqërinë e sigurimeve ALBSING, 102 360 lekë.

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Atentati ndaj kushëririt të Inez Hajrullës, i riu dërgohet te Trauma! U qëlluan 30 plumba ndaj tij, kontrolle në disa banesa në Vlorë (VIDEO)

Atentati ndaj kushëririt të Inez Hajrullës, i riu dërgohet te Trauma! U qëlluan 30 plumba ndaj tij, kontrolle në disa banesa në Vlorë (VIDEO)