Ekskluzive/ Ilir Meta rrëfehet
nga “Ngjalat” te ”Kokëpalarët"

Ekskluzive/ Ilir Meta rrëfehet<br />nga “Ngjalat” te ”Kokëpalarët
TIRANE -  Ai flet për herë të parë për mënyrën sesi u lidh me Edi Ramën. Ilir Meta, mund të ketë sipas socialistëve, njëmijë mëkate mbi kurriz, por në logjikën e çështjeve që shtrohen sot përpara shqiptarëve, duket sikur ka në dorë çelësin e fitores së socialistëve dhe të majtës në përgjithësi në zgjedhjet e 23 qershorit.

Për herë të parë, në intervistën për Shqiptarja.com, tv A1 REPORT! rrëfen mbi mënyrën sesi u takua me Edi Ramën; çfarë ndodhi në bisedat e para. Ai i shmanget konkretisht pyetjes se kush ishte “kumbari” i marrëveshjes së tyre pavarësisht kontradiktave të mëdha.

Por thellë thellë, mes rreshtave, kuptohet fare kollaj se kanë qenë ndërkombëtarët, socialistët evropianë, ata që kanë bërë të mundur uljen e tyre në tavolinë. Siç ka raportuar kohë më parë Shqiptarja.com, këto biseda janë nisur fillimisht në Bruksel, me ndërmjetësimin e Martin Shultz, në një hotel që ata qëndruan bashkë kur ishte kongresi i Partive Socialiste Evropiane.

Në këtë intervistë për shqiptarja.com, dhe A1Report për herë të parë, Ilir Meta rrëfen ekskluzivisht shkaqet, aktorët dhe faktorët që e shtynë drejt këtij koalicioni. Duke shmangur këdo që i del për t’u prerë udhën. Sepse kanë vendosur, që në 23 qershor, të japin një model “ndryshe”.

Falemnderit zoti Meta që pranuat të bëni këtë intervistë me Shqiptarja.com dhe A1 report. Ju e konsideroni një bashkëpunim të ri apo një aleancë të vjetër?

Eshtë një aleancë e natyrshme, që ka edhe background-in e saj historik, por që ndërtohet në fakt në disa objektiva të reja të përbashkëta për të ardhmen.

Dua të kaloj në një pyetje konkrete. Ju keni pasur shumë kontradikta me Partinë Socialiste, le ta themi, vitet e fundit, si afat kohor. Cili ishte kumbari i kësaj marrëveshje?

Produkti i cili ka të bëjë pikërisht me këtë bashkëpunim të ri PS-LSI mendoj se është një produkt i kohës. Eshtë një rrjedhim logjik dhe objektiv i zhvillimeve të kaluara, i momentit që ndodhet vendi dhe domosdoshmërisë për të çliruar më shumë energji për të përballuar sfidat e të ardhmes.

Kjo është një shprehje e përgjithshme, jo konkrete. Dua të di kush e bëri telefonatën e parë? Pra si të thuash: kishte një ndërmjetës? Apo Edi Rama telefonoi Ilir Metën? Apo ju personalisht telefonuat Ramën? Apo ky lloj bashkëpunimi u vendos nga e ashtuquajtura “darka e ngjalave”?

Ky është një bashkëpunim që ka në themel të vet domosdsohmërinë për t’i dhënë vendit një alternativë të re, përmes bashkëpunimit të forcave politike të së majtës dhe gjithë forcave të tjera progresiste. Dhe këtu nuk kanë shumë rëndësi apo nevojë për detaje të tjera si telefonatat, takimet apo menyja e drekave apo darkave të veçanta.

Ne llogjikshëm kemi ngritur tezën, apo edhe në komente e analiza është thënë shpesh se kanë qenë ndërkombëtarët, apo funksionarë të lartë të Partive Socialiste Evropiane që kanë ndërmjetësuar. Fakti që ata kanë ardhur në Shqipëri, apo kanë bërë deklarata të menjëhershme sidomos javën e kaluar, na bën të mendojmë se ata kanë qenë interlokutorët mes jush, pra Edi Ramës dhe Ilir Metës. Ju e konfirmoni? A është e vërtetë kjo?

Mendoj se domosdoshmëria e këtij koalicioni vjen nga interesi i brendshëm dhe nga një domosdoshmëri që vendi të kalojë në një fazë më të lartë, të një stabiliteti më solid, por edhe të një perspektive më të shpejtë evropiane. Vjen nga domosdoshmëria e balancimit të pushteteve në vend dhe sigurisht që vjen nga domosdoshmëria për t’i dhënë fund kësaj situate të panatyrshme brenda së majtës gjatë këtyre tetë viteve dhe për t’i dhënë mundësinë për të sjellë një qeverisje më dinamike dhe më gjithëpërfshirëse.

Pse thoni balancimi i pushteteve? Ju ishit në qeveri zoti Meta...Nuk ishin të balancuara pushtetet gjatë kohës që ju bashkëpunuat me Berishën?

Kur flasim për balancimin e pushteteve nuk kemi parasysh raportet brenda ekzekutivit, por kemi parasysh raportet mes pushteteve, legjislativ, ekzekutiv dhe të drejtësisë. Në këtë këndvështrim mendoj se pas zgjedhjes së Presidentit, natyrisht edhe me votat e tona, por si kandidaturë e Partisë Demokratike dhe sigurisht pas zgjedhjes edhe të disa drejtuesve të tjerë të disa institucioneve të rëndësishme, kryesisht me propozimet e Partisë Demokratike, mendoj se është e rëndësishme që të kemi një ribalancim të pushteteve dhe të kemi një mazhorancë të re parlamentare dhe një qeveri të re, që të përfaqësojë shumicën e elektoratit shqiptar, që edhe historikisht, pra si shumicë, është e majtë.

Duke u ndaluar në variantet tuaja të bashkëpunimit me PS, apo nga ajo që flitet deri më tani në media dhe që ne përpiqemi të zbardhim se çfarë ka në thelb të kësaj marrëveshjeje: flitet se tre funksionarë të LSI do të jenë në listat e Partisë Socialiste. Kjo konfirmohet apo jo? Flitet se ju gjithashtu keni kërkuar postin e kryetarit të Kuvendit dhe po ashtu keni kërkuar tre ministri...nëse do të fitoni zgjedhjet sigurisht...

Nuk është në thelbin e kësaj marrëveshje, nuk janë të rëndësishme detaje të tilla. Në thelb të marrëveshjes ne kemi në konsideratë çlirimin e gjithë atyre energjive, të cilat do të mund të krijojnë një qeverisje më energjike, por edhe më gjithëpërfshirëse. Që do të sjellë një frymë të re bashkëpunimi midis të gjitha pushteteve dhe besoj se një maxhorancë e re e të majtës në parlament dhe një qeveri e të majtës do të krijonte kushte më objektive për një bashkëpunim të paevitueshëm por edhe të natyrshëm me Presidentin e Republikës dhe me shumë institucione të tjera, bashkëpunim që është i domosdoshëm për mbarëvajtjen e shtetit dhe për të pasur një demokraci sa më të shëndetshme dhe sa më funksionale.

Përpara se të vija për këtë intervistë lexova më së shumti komentet në facebook dhe në përgjithësi, por edhe në vecanti për zgjedhjen e presidentit...Pjesa më e madhe e anëtarësisë së PS që kanë qenë skeptikë për këtë lloj bashkëpunimi kanë thënë se ju “ia keni futur Ramës” në zgjedhjen e Presidentit pas dy takimeve që keni bërë. Dhe kanë frikë se edhe në rastin konkret nuk do të jeni luajal. Si do t’i përgjigjeshit këtyre akuzave?


Nuk më interesojnë komentet e stisura asgjëkundi. Unë jam një politikan i terrenit, i njerëzve të gjallë, të prekshëm dhe e kam demonstruar gjithmonë këtë gjë. Dhe do të vijojë ta tregoj akoma më shumë në zgjedhjet që po vijnë. Respektoj të gjitha llojet e mediave, respektoj opinionin e cilitdo por ka një histori të padiskutueshme që nëse ka një forcë politike që është serioze në luajalitetin e saj, në respektimin e një marrëveshjeje që ajo arrin, kjo të paktën thuhet nga të gjithë që është Lëvizja Socialiste për Integrim. Nuk e ka prishur LSI marrëveshjen me PS në vitin 2006, përkundrazi; nuk ka bërë LSI ndonjë gjë konkrete kundër PS apo ndonjë partie tjetër, përkundrazi; as nuk ka përjashtuar nga e drejta për të pasur komisionerë, përkundrazi; madje ka qenë LSI që ka kërkuar dhe insistuar për bashkëpunim, me gjithë këto argumente që unë thashë, edhe para zgjedhjeve të 2009; njëkohësisht marrëveshja me Partinë Demokratike është respektuar nga ana jonë në mënyrën më luajale sepse për ne marrëveshja është ligj. Ne kemi hyrë, natyrisht me dilemat tona, por me qëllime shumë të mira në një proces të ri i cili në thelb duhet të jetë proces mirëbesimi dhe do të ecim të palëkundur në këtë drejtim, duke besuar se kontribuojmë për stabilitetin e vendit por edhe për ndryshimin e tij.

Zoti Meta po ju nuk mund të thoni se akuzat mes jush dhe zotit Rama në fakt, sidomos pas 21 janarit kanë qenë shumë të ashpra. Ju keni akuzuar socialistët në protestë “kokëpalarë”; Edi Rama ju ka akuzuar ju personalisht si “tradhëtar”...Pra, si do ta shmangni gjithë këtë përcmim, këtë fjalor që duhet ta pranojmë se ka qenë shumë i rënduar, dhe që sikurse pritet, do të shfrytëzohet nga Partia Demokratike gjatë fushatës në zgjedhje?


Jam i bindur se të gjithë socialistët e kanë mirëkuptuar dhe e kanë mirëpritur këtë bashkëpunim dhe e kanë kërkuar prej kohësh. Historitë e të kaluarës i takojnë historianëve; ata ti shikojnë dhe ti vlerësojnë. Në politikë flitet përmes akteve politike. Ky është një akt që i shërben të ardhmes. Dhe mendoj se ky është morali më i mirë dhe më i çmuar, që i duhet kohës.

E tërhiqni deklaratën tuaj për “Kokëpalarët”?


Nuk kam ndërmend t’i rikthehem të kaluarës. Në respekt të asaj që ka ndodhur, por sidomos, më shumë në respekt të së ardhmes, e cila nuk më lejon të harxhoj asnjë minutë për histori që nuk i përkasin asaj, pra të ardhmes.

Duket sikur në këtë koalicion nuk është e dëshiruar Aleanca Kuq e Zi. Protesta e fundit, e 7 prillit, ishte disi e madhe, edhe pse ishte një ditë me shi...

Për ne është e rëndësishme që të gjithë të kontribuojnë në mënyrë konstruktive, pozitive dhe bashkëpunuese dhe nuk është detyra jonë as të përjashtojmë dhe as të përzgjedhim.

E dini që zoti Berisha ka dhënë një udhëzim “nën rrogoz” për të shkarkuar njerëzit e LSI, edhe ata që kanë statusin e nënpunësit civil? Eshtë një lloj inati ky? Si e shikoni? Ju gjithmonë e keni vlerësuar Berishën...

Unë nuk do të habitesha dhe as nuk do të shokohesha sepse në Shqipëri ka njerëz që kanë tetë vite pa punë apo që janë larguar nga puna dhe mund të ketë edhe të tjerë që kanë akoma dhe më shumë. Për ne është e rëndësishme të japim një perspektivë të re për gjithë qytetarët e shqipërisë. Natyrisht që kjo zgjidhje që kemi bërë që është tërësisht politike, por edhe e moralshme ka pasojat e saj, por këto janë provizore.

Pse LSI abstenoi për ministrat e rinj, përderisa ju e shpallët që do të jeni në opozitë? Pra, pse nuk votuat kundër ministrave të rinj?

Po dita e parë ishte e të kaluarit në opozitë. Dhe mendoj se gjithmonë ka nevojë për pak tranzicion.

Por, sa mendoni se do të marrë në numër deputetësh koalicioni PS-LSI, apo edhe më i gjerë nëse do të bëhet në zgjedhjet e 23 qershorit?

Do të jetë një fitore tepër solide dhe e padiskutueshme.

Ju mendoni se do ta qeverisni vendin?

Jemi të bindur në suksesin e zgjedhjeve në 23 qershor pa asnjë hezitim.

Ju e pranoni Edi Ramën kryeministër?

Kjo nuk është një histori individësh dhe karriera individësh. Këtu kemi të bëjmë me diçka më të madhe, më parimore dhe më principale.

Si i gjykoni dhe si i shihni reagimet ironike të kryeministrit Berisha për darkën e ngjalave? Apo siç e konsideron ai vetë “Marrëveshja e Ngjalave”. Duket se e ka kryefjalën e vet këto ditët e fundit sepse edhe dy ditë më parë e përmendi...

Mendoj që përderisa atij i pëlqen që ta thotë, nuk ka pse të mos kënaqet...

Ju do t’ia vendosni kusht Partisë Socialiste votimin e tre ligjeve, sikurse përflitet? Në fakt ka qenë sfida juaj, ashtu sikurse ka qenë sfidë edhe procesi i integrimit. Me këtë argument hytë në qeveri në 2009...

Mendoj se për atë kohë që ne kemi qenë në qeverisje, për këtë proces është bërë maksimumi. Të mos harrojmë në një kohë rekord u arrit liberalizimi i vizave dhe LSI pati kontributin e vet të spikatur. Janë përmbushur shumë detyrime të tjera. Dihet që çështja e miratimit të tre ligjeve por jo vetëm kaq, çështja kryesore ka qenë ajo e mungesës së një konsensusi dhe bashkëpunimi më të gjerë dhe unë besoj se me këtë lëvizje të re ne kemi krijuar mundësitë që baza e konsensusit në Shqipëri, në mënyrë të natyrshme dhe objektive të jetë e paevitueshme pas 23 qershorit. Sepse edhe opozita e ardhshme unë jam i bindur që në mënyrë të paevitueshme do të jetë pjesë e këtij procesi dhe për arsyen se shumë prej personaliteteve më të larta të shtetit vijnë prej saj.

Nëse ju, tashmë në opozitë me zotin Rama, i humbni zgjedhjet e 23 qershorit, do të largoheni nga kreu i LSI?

Kjo nuk është e rëndësishme për mua. Më e rëndësishme është stabiliteti i vendit dhe ecuria e proceseve integruese. Por natyrisht e kam të vështirë të përgjigjem për një pyetje, e cila e ka zero mundësinë që të mund të ndodhë.

Sa deputetë pretendoni si koalicion? Mendoni se do të arrini maxhorancën e 84 votave, pra dy të tretave?

Eshtë herët për të folur për shifra konkrete, por absolutisht që do të jetë një maxhorancë më solide se ajo që ka qenë deri tani.

Ju keni raporte shumë miqësore me kryetarin e Bashkisë së Tiranës zotin Lulzim Basha, dhe duket, ashtu sikurse edhe përflitet, se shumë gjëra ç’ndodhin në opozitë sot, ia tregoni edhe atij. Në fakt nuk është hera e parë që gjendeni përballë këtyre akuzave...Ne që i kujtojmë shumë mirë, nga PS jua kanë bërë edhe në 1995-1996....


Mua më pëlqen kur dëgjoj histori të tilla mbi baza konspiracioni, sepse ato tregojnë që edhe ju si gazetarë jeni krijues dhe kjo është një fantazi që duhet përshëndetur. Por vendimet që unë marr janë në respekt të vendimeve që forumet e LSI marrin dhe janë vendime politike dhe raportet personale nuk mund të dominojnë dot mbi vendimet politike.

Kur do ta takoni publikisht Edi Ramën. Pra kur do të kemi një shtrëngim publik duarsh sepse ka kaluar tashmë një javë nga ky lançim bashkëpunimi dhe akoma nuk kemi një takim mes liderit të PS dhe liderit të LSI në opozitë...Normalisht duhet të firmosni së bashku marrëveshjen...

Ne jemi takuar...jemi takuar para zgjedhjes së Presidentit të Republikës, zyrtarisht. Do të kemi raste përsëri që të takohemi. Por kjo nuk na pengon që të jemi në komunikim të vazhdueshëm.

Pra nuk keni një datë kur do të takoheni për të diskutuar dhe firmosur këtë marrëveshje?

Kjo nuk është më e rëndësishmja. Më e rëndësishmja është se ky bashkëpunim është konfirmuar dhe ky bashkëpunim tashmë ka filluar.


Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

 Sali Berisha lirohet nga 'arresti shtëpiak!' Reagon opozita, Meta nga burgu e përshëndet: Urime! Desorosifikimi drejtësisë emergjencë kombëtare

Sali Berisha lirohet nga 'arresti shtëpiak!' Reagon opozita, Meta nga burgu e përshëndet: Urime! Desorosifikimi drejtësisë emergjencë kombëtare