Ekskluzive/ Ismail Kadare, 17 vjet
frikë nga Sigurimi i Shtetit

Ekskluzive/ Ismail Kadare, 17 vjet<br />frikë nga Sigurimi i Shtetit
TIRANE- Shqiptarja.com vazhdon sot publikimin e pjesës së dytë të marrë nga biografia e shkrimtarit Ismail Kadare shkruar nga Ndriçim Kulla, e cila titullohet “Ylli i Shkrimtarit-biografi e Ismail Kadaresë nga koha e tiranisë deri më sot”. Në libër rrëfehet edhe historia e marrëdhënieve të shkrimtarit me diktatorin. Djje shqiptarja.com publikoi pjesën e parë   Kadare, pakti i heshtur me Enver Hoxhën dhe urrejtja e Nexhmijes.

Sot është pjesa e dytë: "Pse Enver Hoxha ishte peng i Ismail Kadaresë" dhe "Kadare: 17 vjet frikë nga Sigurimi i Shtetit"


Kadareja ishte fajtor se kishte pranuar ta dëgjonte dy herë historinë për sjelljen seksuale të diktatorit, siç e pohon vetë. Në kohën që Kadareja u çlirua nga makthi se mos ishte marrë vesh tentativa e tij për arratisje (me kriterin e udhëtimit jashtë shtetit, që e kishte përcaktuar në mendjen e tij), i lindi një makth i ri, edhe më i rëndë, frika se mos atë e kishin denoncuar për bisedat mbi sjelljen seksuale të diktatorit. Kadareja shkruan te libri “Pesha e kryqit” për këtë makth, ndoshta më të gjatin e jetës së tij në diktaturë:

 Për shtatëmbëdhjetë vjet rresht do të torturohesha prej asaj që në mendjen time e quaja “murmurima supreme” e që për të tjerët ishte, ndoshta, “zgjidhja përfundimtare e problemit Kadare”.. Sidomos në vitet e mia më të zeza 1973, 1975, 1976, 1982, 1983, 1985, gjer në vdekjen e tiranit. E ndjeja që ishte aty pranë, rrëshqiste e padukshme nga dosja në dosje, vërshëllente si gjarpër netëve. Te “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” është dëshmuar, veç të tjerash, edhe ky ankth (Ëndrra-denoncim e shitësit të zarzavateve, që pasi kalon nga dosja në dosje kthehet më në fund në kryeëndërr, që i paraqitet sulltanit për të marrë lejen e goditjes.)

    Nuk ishte as paranojë, as pjellë e përfytyrimit. Më 1983, një miku im do ta lexonte të shkruar e zezë mbi të bardhë në njërën prej dosjeve që kishte lidhje me mua. Pak kohë më pas, me sy të shqyer nga tmerri, do të kisha rastin ta lexoja vetë denoncimin.
    Por në ato vite të hidhura 1967-1968, nuk i dija shumë gjëra.(Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 229-230)
 
Kadare, dosje për marrjen në gojë të diktatorit
 
Frika e Kadaresë nuk ishte e kotë, se siç e pohon ai Sigurimi i Shtetit kishte arritur që ta zbulonte se ai ishte përgjegjës për krimin e marrjes nëpër gojë të sjelljes seksuale të diktatorit. Gjatë këtyre viteve me siguri që konservatorët janë përpjekur ta përdorin këtë as kundër tij, por kjo gjë mund të bëhej vetëm me lejen e Enver Hoxhës. Ky i fundit sigurisht që ishte shumë i zemëruar me Kadarenë që e kishte marrë nëpër gojë për atë gjë që i dhimbte më shumë, por diktatori vazhdonte të kishte po të njëjtin një problem kur ishte fjala për të urdhëruar goditjen përfundimtare ndaj Kadaresë.

Enver Hoxha nuk mund t’ ia lejonte vetes luksin që të eliminonte shkrimtarin e parë të vendit, se ai ishte i vetmi që ishte i aftë të bënte portretin e tij letrar. Ishte e lehtë për diktatorin që ta godiste shkrimtarin. Mjafton që Enver Hoxha të lëvizte gishtin dhe shkrimtari i bezdisshëm mund të zhdukej. Mënyrat ishin disa: zhdukje e bujshme apo pa bujë. Por diktatori nuk mund të gjente një shkrimtar si Kadareja me një të lëvizur të gishtit. Kjo do të thoshte se në të vërtetë nuk ishte ai shkrimtari peng i diktatorit, por, sado e çuditshme që të dukej, ishte e kundërta, diktatori ishte peng i shkrimtarit. Kadareja e përshkruan saktë këtë situatë kur thotë te libri “Pesha e kryqit”, për raportin e tij me shtetin diktatorial:

Pra, shteti shqiptar me duart e tij kishte krijuar një përbindësh. Këtë përbindësh ai qe i detyruar ose ta zhdukte, ose të ndeshej me të. Të ndeshej me atë djall, shteti xhuxh diktatorial s’kishte fuqi, kurse ta zhdukte, ishte, padyshim më lehtë. Por ky përbindësh kishte në dorë një gjë magjike: portretin e tiranit. Duke u rrokullisur, ai do të merrte me vete portretin në humnerë. (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 327)
Kadare gabon vetëm në një gjë. “Përbindëshi”, siç i dukej shkrimtari shtetit diktatorial, humbiste fuqinë dhe bëhej i prekshëm në çastin që dilte një shkrimtar tjetër po aq i talentuar sa ai dhe që mund ta zëvendësonte atë në detyrën e përshkrimit të figurës së tiranit në letërsi. Por ishte e pamundur që në një letërsi të vogël, siç ishte ajo shqiptare, të dilnin në të njëjtën kohë dy shkrimtarë kaq të mëdhenj.
ndriçim kulla
 (Ne foto: Studiuesi Ndriçim Kulla dhe kopertina e librit biografik per Kadarene)

KOMPROMISI
Të gjitha këto shkrimtari nuk mund t’ i dinte në atë ditë të vitit 1968, kur atij i kishin ardhur të dërguarit e diktatorit në shtëpi. Atë ditë shkrimtari duhej të merrte një vendim. Të dërguarit nuk donin që të largoheshin pa e realizuar misionin e tyre. Me sa duket kishin frikë të ktheheshin atje ku i kishin nisur me lajmin e dështimit. Prandaj ata hodhën mbi tryezë kartën e fundit, pikërisht atë që i kishin udhëzuar që ta përdornin vetëm nëse shkrimtari do të tregohej veçanërisht kokëfortë. Kompromisin. Kadareja e tregon kështu vazhdimin e bisedës me të dërguarit e diktatorit në librin e tij “Pesha e kryqit”:

Ideja se mund të shkruaja diçka për ta shlyer atë pakujdesi, atë faj (tani isha i bindur se isha fajtor), më dukje jo aq e papranueshme. Madje po dëgjoja se si ata po kujtonin biseda ku kishim thënë se historia do ta kujtonte Enver Hoxhën, qoftë edhe për shkëputjen që i bëri Shqipërisë nga kampi socialist. Pavarësisht… nga miqësia e neveritshme më pas me kinezët… Por, me sa dukej, edhe kjo miqësi nuk do ta kishte të gjatë… Ca shenja qenë dukur ndërkaq… E në qoftë se edhe miqësia me kinezët prishej, atëherë… atëherë…, o Zot i madh…, donte apo nuk donte Shqipëria, nuk i mbetej veç nëna e vjetër… Europa.

    Kështu, me sa duket, e pati zanafillën poema e shkurtër “Vitet gjashtëdhjetë”, bërthama e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 232-233)
    Ishte e qartë se diktatori po përulej përsëri para shkrimtarit duke i ofruar një kompromis. Diktatori po i thoshte shkrimtarit të parë të vendit, me gojën e të dërguarve të tij: “Mirë se lavdërime për mua nuk dëshiron të shkruash, por së paku mund të shkruash për ato gjëra që i kam bërë mirë dhe që do të duhet të m’i njohë historia si merita, siç është p.sh. prishja me Bashkimin Sovjetik”.

Shkrimtari e kuptoi se pagimi i haraçit ishte bërë i pashmangshëm. Por edhe këtë gjë Kadareja e bëri me arrogancë, siç do ta shohim më tutje, tamam si një sojli Gjirokastre që i hedh një lëmoshë një pseftoje. Shkrimtarin më pas e ka torturuar pyetja nëse miqtë që i erdhën në shtëpi atë ditë kishin qenë vërtet të dërguar apo jo:

Më pas, kur e kam kujtuar e rikujtuar këtë ngjarje, një pyetje e vazhdueshme më ka torturuar: kishin qenë vallë krejtësisht të hapur me mua miqtë e mi? Apo kishin pranuar të futeshin në një lojë, duke më sjellë “që andej” nga majat e pushtetit një kumt që vetëm ata mund të ma sillnin? Por më pas, kur unë desha t’ua bëja këtë pyetje, vdekja, internimet dhe burgjet i kishin shpërndarë një pjesë prej tyre si zogjtë e korbit. Qenë goditur më rëndë pikërisht ata që unë mendoja se e dinin të fshehtën. (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 233)

 Thellë-thellë në vetvete Kadareja duhet të ketë pasur bindjen se ata ishin të dërguar, gjë të cilën ai e thotë edhe më lart, kur i quan “lajmës”, siç e kam cituar. Por duket se është trishtimi për miqtë e tij ai që nuk e le ta besojë këtë gjë. Aq më tepër që një pjesë e tyre më pas u bënë viktima të diktaturës. Kur Kadareja thotë më lart se qenë goditur më rëndë nga diktatura pikërisht ata për të cilët ai mendonte se e dinin të fshehtën e vizitës së asaj ditë në shtëpinë e tij, pra nëse ishin me mision nga lart apo jo, me këtë ai na ka thënë indirekt atë që beson se është e vërteta. Pra, goditja e tyre e ashpër nga diktatura ishte një provë indirekte se ata ishin të dërguarit e Enver Hoxhës, të cilët ai më pas i kishte goditur që të merrnin me vete në varr të fshehtën e përuljes së diktatorit ndaj shkrimtarit. Por pakti faustiano-mefistofelik i Kadaresë me Enver Hoxhën dhe përulja e diktatorit në këtë marrëdhënie, nuk mund të shpëtonte pa u marrë vesh nga disa njerëz të mençur.
 
PSE KADAREJA SHKOI NE POGRADEC TE LASGUSHI
 
Një nga njerëzit që kishte kuptuar diçka ishte Lasgush Poradeci, i cili ia tha Kadaresë në mënyrën e vet përshtypjet e tij për këtë ngjarje. Kadare rrëfen për këtë bisedë mes tij dhe Lasgushit, ku Lasgushi i thotë:
-Te Homeri është një vend ku dielli zemërohet me Zeusin, nuk e di a të kujtohet, - tha pas pak. - Kështu pra, dielli zemë­rohet me tiranin dhe e di si e kërcënon? Në Ferr do të zbres, do të shndritë veç për të vdekurit! - Ai buzëqeshi më ftohtë se më parë. - Ja pra, ç’kërcënim të gjëmshëm i bëri tiranit dielli. Të lerë vendin e vet në mes të qiellit, me fjalë të tjera të braktisë të gjallët dhe të zbresë atje ku s’ka nevojë për të, tek të vdekurit. Shkurt çdo gjë të bëhet së prapthi, me fjalë të tjera, të vijë fundi i botës, apo­kalipsi... Të tillë kërcënim të tmerrshëm dhe jo naze zonjushash duhet të bëjë poeti.

Ai nuk m’i hiqte sytë e tij të akullt, me plasaritjet e pamë­shirshme midis, kërcënues dhe i pashmangshëm si një ajsberg. Një copë herë të gjatë qëndruam kështu në heshtje, pastaj shtoi: - Me sa kam lexuar prej teje, ti gjithashtu ke filluar të zbresësh tek të vdekurit...
Mora frymë i lehtësuar, si të kisha dëgjuar një dekret fal­jeje. (Ismail Kadare, “Ikja e shtërgut”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2003, fq. 75-76.)

 Lasgush Poradeci me mënyrën e tij po i thoshte Kadaresë: “E kam marrë vesh miku im atë që ke bërë me Enver Hoxhën, dhe po të them se është e mrekullueshme, njëlloj si ajo që i bëri Dielli Zeusit. Lasgushi nuk kishte nevojë të thoshte më tepër. Të dy e kuptonin mirë njëri-tjetrin, edhe me pak fjalë. Të thoshin më tepër do të ishte një gjë e rrezikshme për të dy.

Madje edhe kaq sa u tha midis tyre do të mjaftonte për ta xhindosur diktatorin. Vetë fakti që shkrimtari i parë i vendit, Kadareja, dhe poeti më i madh i Shqipërisë së kohës para ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet (ndonëse Kadare e quan me bujari poeti më i madh i gjallë duke e vënë edhe mbi vetveten), takoheshin dhe bisedonin ishte një gjë e papëlqyer për diktatorin. Se Lasgushi ishte ura lidhëse mes Kadaresë, që kishte jetuar në diktaturën komuniste që në moshën tetëvjeçare, dhe jetës kulturore të Shqipërisë së mëparshme të cilën Kadareja nuk e kishte njohur por që e tërhiqte jashtëzakonisht. Enver Hoxha donte që shkrimtari i parë i Shqipërisë komuniste të mos kishte asnjë lidhje me jetën kulturore të periudhës para ardhjes së tij në pushtet. Kështu, shpresonte diktatori, shkrimtari i parë i vendit do të mësohet vetëm me diellin e kultit tim.

Lasgushi ishte i izoluar dhe i përkiste më tepër botës së të vdekurve se asaj të të gjallëve. Kadare kishte pasur një lidhje të fortë me Lasgush Poradecin, ndonëse kjo nuk ishte bërë e njohur në atë kohë, se Lasgushi ishte dënuar me heshtje dhe mosbotim nga regjimi komunist. Kadare shkruan në librin e tij për Lasgushin, me titull “Ikja e shtërgut”, të cilin e kishte shkruar që në 1986:

E kisha dashur përherë Lasgush Poradecin, me një dashuri të veçantë, që kishte gjithmonë brenda saj një brengë, një qor­tim. Por, edhe dashuria për të, edhe brenga edhe qortimi ishin të një përmase të veçantë, përtej të zakonshmes, gati-gati miste­rioze.
Po aq sa për vjershat e tij të bukura, ndoshta më shumë se për ato, kisha mall për kohën që kishte vdekur bashkë me të. Një kohë gjithashtu e papërcaktueshme lehtë (as kohë e mbretë­risë, as e republikës, as e paraçlirimit), jo, një kohë tjetër, që mund të ishte brenda të triave, e mund të mos ishte askund. Më shumë se atë vetë, doja tek ai ëndrrën mallëngjyese për diçka të tretur. Të pakthyeshmen. Të pamundurën. Prej vitesh ishte dhe s’ishte. E kishin mënjanuar, mungonte në të gjitha ceremonitë. Dhe ndoshta pikërisht midis ceremonisë, pranimit të festës, niste qortimi për të. Por, edhe ai vetë, si çdo gjë tjetër që lidhej me të, ishte e tjetërfartë, e përgjithshme, flu, më tepër qortim ikonash...

Ishte braktisur diçka që s’duhej braktisur. Ishte shkelur me këmbë ëndrra. Nga sallat tona të mbledhjeve, të ndriçuara bruta­lisht, dukej sikur ai, munguesi i madh, kishte marrë pranimin e përkorë të llambadarëve të vjetër, për të stolisur me të sarko­fagun e vet. (Ismail Kadare: “Ikja e shtërgut”, “Onufri”, Tiranë, 2003, f. 46)

Arsyeja kryesore për të cilën Kadareja nisi të shkonte në pushimet verore në Pogradec, që në fillim të viteve gjashtëdhjetë, ka qenë se në atë qytet jetonte një pjesë të madhe të vitit Lasgushi. Vetë takimet e shpeshta të Kadaresë me Lasgushin nuk mund të shiheshin me sy të mirë nga regjimi komunist, se Lasgushi ishte një poet faktikisht i ndaluar nga regjimi. Të dy të mëdhenjtë, Kadareja dhe Poradeci e kuptonin shumë mirë njëri tjetrin. Pasi kishte bërë një vepër të madhe letrare para vitit 1944, Lasgushi mund t’ ia lejonte vetes luksin që të mos shkruante më në kohën e regjimit komunist.

Por Kadareja, që ishte vetëm tetë vjeç kur u vendos regjimi komunist, nuk mund t’ ia lejonte vetes këtë luks. Për të, që të mos pranonte të ishte shkrimtar në kohën e komunizmit, do të thoshte që të mos ishte fare shkrimtar. Lasgushi e kuptonte këtë gjë, prandaj e respektonte mikun e tij, të vetmin nga shkrimtarët që botonin në kohën e komunizmit me të cilin ai pranonte të bisedonte si me një të barabartë.

Miqësia me Lasgushin ka pasur një rëndësi të madhe psikologjike për Kadarenë, se Lasgushi ishte ndoshta i vetmi njeri që mund të ishte i pranishëm në kohën e dytë të shkrimtarit Kadare, në kalendarin e tij të dytë. Prandaj Kadareja shkruan për Lasgush Poradecin, duke iu referuar një vargu të tij:
Në vjeshtë shtërgjet duhet të dukeshin që këtu, tek niseshin për larg. “Fluturoi dhe shtërg i fundit madhështor me shpirt të gjorë”. Më erdhi të thosha: ku do të nisesh, shtërg i madh, dhe ku do të na lesh ne të gjorëve? (Ismail Kadare: “Ikja e shtërgut”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë, 2003, f. 80)

Këto fjalë të Kadaresë mund të interpretohen kështu: Si do të vdesësh dhe do të më lesh të vetëm në kohën time të dytë, o shtërg legjendar?

 
 Shkrimi u publikua sot (18.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë