DURRËS- Partia Demokratike ka nisur spastrimet e mbështetësve të Ervin Salianjit. Dy largimet e para janë të dy anëtarëve të Këshillit Bashkiak të PD në Durrës të cilët përjashtohen nga grupi i këshilltarëve për shkak të mbështetjes që i kanë dhënë ish-deputetit Salianji, i cili i doli kundër Sali Berishës dhe zhvilloi disa takime me demokratët, mes tyre edhe në qytetin bregdetar të Durrësit.

Në vendimin që mban datën 23 mars dhe që është firmosur nga sekretari i Përgjithshëm i partisë, Flamur Noka, thuhet se përjashtohen nga grupi i Këshilltarëve, Dritan Burgija i cili ishte edhe kreu i grupit të këshilltarëve në Durrës, si edhe anëtari Arlind Boshku, i cili mban edhe postin e sekretarit të degës së PD në Durrës. Të dy do të jenë anëtarë të Këshillit në Durrës, por jo më nën siglën e PD. 

Përmes këtij vendimi, të siguruar ekskluzivisht nga Report Tv, këshilltarëve në Durrës, u propozohet si kandidat për kreun e grupit të Këshillit Bashkiak, Ardian Muka, i cili ka qenë edhe drejtues i degës së PD në Durrës.

1774370552_takimimesalianjin.jpg

Me rreth të kuq, majtas Dritan Burgija dhe djathtas Arlind Boshku, në foltoren e Salianjit në Durrës

I menjëhershëm ishte reagimi i tyre duke thënë se nuk do të heshtin përballë dështimit të një grupi që kërkon të mbajë të uzurpuar Partinë Demokratike e për më tepër duke shigjetuar nominalisht Nokën se u ka kërkuar kontribute financiare pa dokumentacion.

"Partia nuk mund të trajtohet si biznes privat dhe as si mjet për luksin e disa individëve. Ne nuk do paguajmë dhe veshjet miliona lek apo luksin e shfrenuar te drejtuesve te opozitës qe duhet te kishin kulmin e modestisë për shkak te varfërisë qe kane demokratet te cilët për shkak te gabimeve te këtyre kane 13 vjet ne Opozite! Partia Demokratike është e demokratëve, jo e një grupi që kërkon ta mbajë të uzurpuar. Investim tim në PD nuk e heq dot askush as ti o Nul Lepurush", shkroi Arlind Boshku.

"Ndërkohë që ne kërkojmë fitore, ata ofrojnë pazare, kulisa dhe lista të bunkerizuara me akrobaci ligjore. Ndërkohë që ne kërkojmë hapje, gjithëpërfshirje të kontributeve ndër vite, garë reale, standarde politike, konkurrim të ndershëm, analizë të sinqertë dhe program veprimi; përgjigjja që vjen është shpifja, denigrimi, arroganca dhe në fund përjashtimi. Ky nuk është reagim force, por akt frike. Nuk është vendim politik, por shenjë paniku nga e vërteta",- shkruan Burgija.

Por, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Noka mohoi që dy këshilltarët të jenë përjashtuar për shkak të mbështetjes ndaj Salianjit. Sipas tij, ky vendim u mor pasi Boshku dhe Burgija i kanë shërbyer PS.

“Dy këshilltarët e grupit të PD në Bashkinë Durrës janë larguar nga grupi i këshilltarëve dhe strukturat e PD lokale me kërkesë të Degës së PD Durrës, cila ka depozituar këtë kërkesë kohë më parë. 

Arlind Boshku është vërtetuar se ka punuar për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit 2025, kurse Dritan Burgija ka shfrytëzuar pozicionin e këshilltarit të PD për përfitime personale nga Bashkia dhe po sipas relacionit të Degës së PD Durrës, ai ka punuar për PS. 

Çdo interpretim tjetër është trillim”, thuhet në reagimin e Nokës.

Ervin Salianji ka nisur prej disa kohësh turin e tij të foltoreve dhe ka shprehur ambicien për të kandiduar përballë Sali Berishës në garën e 23 majit për kryetar. Por deri në këtë pikë, kandidimi i tij duket i pamundur, pasi PD thotë se nuk është më anëtar i saj.

Vendimi i plotë

PËR NDRYSHIMET NË GRUPIN E KËSHILLTARËVE TË PDSH NË KËSHILLIN BASHKIAK DURRËS"

Në mbështetje të nenit 24, 40 dhe 48 të statutit të PDSH dhe Rregullores së Brendshme, Kodit të Sjelljes së mirë, Etikës dhe Integritetit të PDSH, dhe nenit 33 të Ligjit nr. 139/2015 "Për vetëqeverisjen vendore",

VENDOSI:

Z. Dritan Burgija dhe Z. Arlind Boshku përjashtohen nga Gupi i Këshilltarëve Bashkiak të PDSH në Bashkinë Durrës në mbështetje të Statutit të PDSH neni 24 pika 1 dhe 2 dhe në shkelje të nenit IV pika 2 të Rregullores së Brendshme;

I propozojmë grupit të Këshilltarëve Bashkiak Z. Ardian Muka si kandidat për Kryetar të Grupit të Këshilltarëve Bashkiak të Partisë Demokratike të Shqipërisë në Këshillin Bashkiak Durrës

Vendimi i firmosur nga Flamur Noka

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:06
U përjashtua nga grupi demokrat i Këshillit Bashkiak Durrës pasi mbështeti Salianjin, reagon Dritan Burgija: Vendim absurd, arrogant dhe i paburrë

1774379264_tsxyippp.jpg

Dritan Burgija, i cili u përjashtua bashkë me Arlind Boshkun nga grupi i anëtarëve demokratë të Këshillit Bashkiak Durrës pasi dolën në mbështetje të Ervin Salianjit, ka reaguar pas vendimit të shkarkimit të firmosur nga Sekretari i Përgjitshëm i PD-së, Flamur Noka.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Burgija ka shkruar se si pasardhës i shtresës së të përndjekurve politikë, kontributi i tij në PD ka nisur herët dhe nuk ka pasur në asnjë moment si qëllim interesat personale.

Lidhur me vendimin e firmosur nga Flamur Noka për përjashtimin e tij, Burgija e ka cilësuar si një veprim absurd, të paburrë dhe arrogant, që sipas tij ka si qëllim të shtypë zërat kundër lidershipit të PD.

Ai shtoi se sot PD dhe kryedemokrati Sali Berisha bëjnë pazare me qeverinë dhe bunkerizojnë listat përmes ‘akrobacive’ ligjore.

Reagimi i Dritan Burgija:

Të nderuar demokratë, miq, shokë, bashkëpunëtorë dhe kolegë, që na ka bashkuar ideali demokratik, mendimi i lirë dhe revolta ndaj padrejtësisë.

Kontributi im personal dhe familjar në Partinë Demokratike, si pasardhës i një shtrese të përndjekur, nuk është çështje fjalësh, por qëndrimi. Ky kontribut nuk matet me deklarata, por me praninë në përballje, me rezistencën ndaj padrejtësisë, me sakrificën dhe me besnikërinë ndaj një kauze që nuk është tradhtuar as në ditët më të vështira.

Ky rrugëtim ka nisur herët, që në rini, kur ishim në vijën e parë përballë diktaturës në grahmat e saj të fundit, dhe ka vijuar pa ndërprerje ndër vite: si anëtar, komisioner, numërues, anëtar kryesie, koordinator në zona të caktuara, nënkryetar, kryetar i PD Durrës, anëtar i Këshillit Kombëtar dhe i Këshillit Bashkiak. Kam qenë dhe kam qëndruar aty ku duhej të isha, jo në ditët e lehta, por në momentet e vështira, kur Partia Demokratike kishte nevojë për qëndresë; jo për heshtje, për karakter; jo për servilizëm.

Miq demokratë,

Ne jemi njerëzit e lirisë, të së vërtetës dhe të drejtësisë. Për këto vlera kemi punuar pa kushte dhe për këto vlera u ngritëm në rithemelim. Rithemelimi nuk ishte luks politik, por domosdoshmëri morale dhe historike për të shpëtuar Partinë Demokratike nga zhbërja, kapja dhe deformimi.

Unë jam pjesë e kësaj qëndrese. Kam ngritur zërin, kam folur hapur dhe kam qëndruar krah çdo demokrati të ndershëm për të thënë të vërtetat tona mes nesh, jo për të dëmtuar Partinë Demokratike, por për ta ndrequr atë; jo për ta dobësuar, por për ta kthyer te vlerat, te parimet dhe te dinjiteti i saj. Dhe nuk jam i vetëm në këtë rrugëtim, sepse kjo nuk është beteja e një individi, por e çdo demokrati që refuzon heshtjen, nënshtrimin dhe mashtrimin.

Por pikërisht këtu qëndron edhe problemi! Kjo është vija e kuqe që kanë ngritur kundër nesh çdo kryetar i mbyllur në vetvete dhe çdo servil i pushtetit: të mos flasim, të mos kërkojmë llogari, të mos kërkojmë standarde, të mos kërkojmë garë.

Ndërkohë që ne kërkojmë fitore, ata ofrojnë pazare, kulisa dhe lista të bunkerizuara me akrobaci ligjore.

Ndërkohë që ne kërkojmë hapje, gjithëpërfshirje të kontributeve ndër vite, garë reale, standarde politike, konkurrim të ndershëm, analizë të sinqertë dhe program veprimi; përgjigjja që vjen është shpifja, denigrimi, arroganca dhe në fund përjashtimi. Ky nuk është reagim force, por akt frike. Nuk është vendim politik, por shenjë paniku nga e vërteta.

Kemi të bëjmë me një vendim absurd, arrogant, të pabazë dhe të paburrë, që nuk turpëron ata që u përjashtuan, por ata që e hartuan dhe e firmosën, e që flasin në emër të besës e që vetëm besë nuk kanë. Është një akt jashtë çdo parashikimi statutor, jashtë çdo procedure, pa legjitimitet, pa standard dhe pa dinjitet politik. Një akt qesharak në formë dhe i mjerë në përmbajtje, që zbulon fytyrën e vërtetë të atyre që nuk durojnë mendimin ndryshe, nuk pranojnë garën dhe nuk i besojnë demokratëve.

Ju garantoj se mbetem besnik i demokracisë, qëndrimeve dhe bindjeve të mia, me të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi, sepse askush nuk ka as tagrin dhe as të drejtën morale e politike, të fshijë me firmë, kontributin, sakrificën dhe historinë e askujt në Partinë Demokratike.

Dritani

Ora 18:12
PD përjashtoi 2 mbështetësit e tij nga grupi i Këshillit Bashkiak Durrës, reagon Salianji: Humbësat duan të zgjedhin votuesit e tyre

1772991840_ervinsalianji.jpg

Humbësat përjashtojnë fituesit.

Kështu shprehet Ervin Salianji për përjashtimin e Dritan Burgijas dhe Arlind Boshkut, nga grupi i anëtarëve demokratë të Këshillit Bashkiak Durrës, pasi mbështetën ish-deputetin në Foltoren e tij me strukturat e Partisë Demokratike në Durrës.

Salianji e cilëson të "paimagjinueshme që në vitin 2026 ekziston lidership me këtë mëndesi, përjashtimi i kryetarit të grupit të këshilltarëve dhe sekretarit të degës Durrës, dy kontributorë dhe sakrifikues prej vitesh në parti, tregon depresionin dhe frikën".

Reagimi i plotë i Ervin Salianjit: 

Humbësat përjashtojnë fituesit.

Humbësat duan të zgjedhin votuesit e tyre. Ky është deformimi i madh i sjelljes politike që ka sjell humbjet e njëpasnjëshme të opozitës.

Në vend të kthehen tek themeli, tek vota për të nisur rrugën e fitores, përjashtojnë demokratët.

E paimagjinueshme që në vitin 2026 ekziston lidership me këtë mëndesi, përjashtimi i kryetarit të grupit të këshilltarëve dhe sekretarit të degës Durrës, dy kontributorë dhe sakrifikues prej vitesh në parti, tregon depresionin dhe frikën!

Frika nga gara nuk është lidership!

Dy këshilltarët në Durrës u përjashtuan sepse mbështesin një ide: garën. Kjo nuk është forcë. Kjo është frikë. Partia Demokratike nuk është pronë private. Është e demokratëve dhe  demokratët nuk përjashtohen! Ata votojnë, ata zgjedhin!

Ora 17:27
PD e përjashtoi nga grupi demokrat i Këshillit Bashkiak Durrës se mbështeti Salianjin, reagon Arlind Boshku: Kontributet e mia nuk i heq dot Mul Lepurushi

Arlind Boshku është një nga dy mbështetësit e Ervin Salianjit që u përjashtuan nga grupi i anëtarëve demokratë të Këshillit Bashkiak Durrës, me anë të një vendimi të firmosur nga Sekretari i Përgjitshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Boshku shfrytëzon situatën për të thënë se "ndërkohë që ne mbulonim fushatat me kontributet tona, drejtues dhe kandidatë i kanë trajtuar këto sakrifica si pronë private pa transparencë, pa përgjegjësi dhe pa asnjë mbështetje reale për strukturat në terren".

Boshku, ka një përgjigje edhe për Nokën, të cilin e quan lepurush. Demokrati shprehet se "është e papranueshme që para edhe pas zgjedhjeve të kërkohen “kontribute” financiare pa asnjë transparencë apo dokumentacion sic Nul Moka kërkon".

Postimi i plotë i Arlind Boshkut:

Prej 35 vitesh familjarisht kemi kontribuar për Partinë Demokratike.

Kemi qenë aty në çdo betejë: anëtarë komisionesh, pjesë e çdo fushate, drejtues seksionesh e grupseksionesh, nën kryetar dege dhe sot sekretar dege.

Gjithmonë me një parim: pa kërkuar asgjë në këmbim dhe luftë me shpenzimet tona.

Por e vërteta duhet thënë.

Ndërkohë që ne mbulonim fushatat me kontributet tona, drejtues dhe kandidatë i kanë trajtuar këto sakrifica si pronë private pa transparencë, pa përgjegjësi dhe pa asnjë mbështetje reale për strukturat në terren.

Dje morëm një vendim absurd: përjashtimin tonë nga Këshilli i PD-së.

Arsyeja? Një drekë me Ervin Salianjin.

E vërteta është tjetër.

Prej muajsh kemi kërkuar reflektim për humbjet e njëpasnjëshme dhe vendosjen e rregullave të qarta për meritokracinë dhe promovimin brenda partisë.

Kemi kërkuar diçka elementare: që anëtarët të vendosin për lidershipin, jo lidershipi të përzgjedhë anëtarët sipas interesit për të mbajtur peng partinë.

Shpifjet se ne nuk jemi më me PD janë qesharake.

Ne kemi qenë dhe jemi në terren, në fushatë, dhe në çdo përballje politike.

Ajo që nuk pranojmë është heshtja përballë dështimit dhe abuzimit.

Për më tepër, është e papranueshme që para edhe pas zgjedhjeve të kërkohen “kontribute” financiare pa asnjë transparencë apo dokumentacion sic Nul Moka kërkon.

Partia nuk mund të trajtohet si biznes privat dhe as si mjet për luksin e disa individëve. Ne nuk do paguajme dhe veshjet miliona lek apo luksin e shfrenuar te drejtuesve te opozites qe duhet te kishin kulmin e modestise per shkak te varferise qe kane demokratet te cilet per shkak te gabimeve te ketyre kane 13 vjet ne Opozite!

Partia Demokratike është e demokratëve, jo e një grupi që kërkon ta mbajë të uzurpuar.

Investim tim në PD nuk e heq dot askush as ti o Nul Lepurush.