Kur Ernest Koliqi shkroi novelën e famshme « Tregtarë flamujsh », ishte viti 1935 dhe Shqipëria kishte njohur një farë zhvillimi. Megjithatë, ashtu si sot, ishin shfaqur edhe atëherë demonët e pasurimit me çdo kusht. Në qendër të novelës është Hilush Vilza, një student që ka ardhur me pushime dhe Gaspër Tragaçi, tregtar. Përmes këtyre dy personazheve, ai ndërton narrativën e asaj kohe që mbështillej rreth virtytit idealist të dijes dhe patriotizmit, të jetës ideale që ka si frymëzim pasurimin e shpirtit, të asaj që njihet si modeli i Apolonit dhe që këtu tregohet përmes Hilush Vilzës dhe, nga ana tjetër, është bota materiale, interesi, cinizmi dhe asgjëja, ajo që asgjëson frymëzimin ideal dhe jetën që ndërtohet mbi dijen dhe pasurimin e botës shpirtërore. Hilush Vilza nuk ka dëshirë ta vizitojë mikun e t’et, por, kur kalon para dugajës së tij, ai, Gaspri, e thërret dhe Hilush Vilza hyn brenda.

Tregtari i stërvitur në oratorinë e shitjes së mallit, nis tani dhe i jep këshilla studentit që shkruan vjersha. Aty, ai i shfaqet edhe si profet kur i thotë se si duhet ta menaxhojë jetën, pastaj i shfaqet edhe si kritik i atdhetarizmës që po shuhet. « Të gjithë në botë e duan vendin e vet, veç nesh. S’ndiejnë këtu gjindja. Por duhet me i ba me ndie përdhuni. Dikur te na kishte njerëz ma të nxehtë, për këso punësh. Atëherë, pra s’kishte Shqypni e sot ka. Tash qi ka s’duen me dijt për te. A po kujtohe ? Unë për vedi, nuk shof përparim në ket pikë… » (E. Koliqi, « Tregtarë flamujsh », novela, botimet, Camaj-Pipa, 2004, Shkodër, f. 12).

Për një moment, Hilush Vilza nis ta shohë me admirim tregtarin që kishte namin e atij që jetën e mendonte vetëm si një mall që duhet shitur a blerë. Gaspër Tragaçi nuk ndalet po e shtyn më tej retorikën e tij dhe, me një patetizëm që e befason djaloshin, shton se të rinjtë duhet me e ngjallë « kët Shqypni ». Por Hilush Vilza i përgjigjet me sinqeritet se një popull i ri « vonon me hy në rrugën e qytetnimit ». Kjo ishte pjesa e parë e kësaj drame, e këtij dialogu se pas kësaj veprimi hyn në një rrjedhë tjetër. Gaspër Tragaçi i thotë djaloshit se don me i tregu diçka. E merr me vete dhe hyjnë në një dhomë të errët që ndriçohej vetëm nga një dritare e vogël që binte nga kopshti, Aty në atë dhomë, Gaspër Tragaçi kishte hedhun qindra flamuj kuq e zi, të të gjitha përmasave, me të gjitha copërat dhe qëndisur e qepur me mjeshtëri. Ja, i thotë ai, - atëherë kur mendova se shqiptarët do të ndizeshin nga liria që fituan, unë bleva këta flamuj, se mendova që të gjithë do të vinin të më blinin nga një të tillë mua e ta vendosnin në shtëpi.

Por ata hiç. Askush nuk erdhi dhe unë humba. « A e shef si kam ra mbrenda. Më kan mbetë pa u shitë. Mjaft , pra, ia kam ulë çmimet » (F. 14). Janë të njohura pastaj reagimet dhe dialogu mes tregtarit materialist dhe poetit idealist. Por bukuria dhe magjia e kësaj novele është ndërtimi i imazhit se atdhedashuria nuk është një gjë që i përket shpirtit, por është një mall që mund të shitet. Në atë çast kur ky mall nuk shitet, edhe flamuri është një leckë që nuk vlen… M’u kujtua kjo novelë e Ernest Koliqit kur pashë deputetin e PD-së, Xhelal Mziu, që shkeli flamurin kombëtar dhe një polic aty pranë e mori dhe ia hoqi nga këmbët. Këtu, të gjithë mund të bëhemi patetikë dhe të nisim e të recitojmë për flamurin. Por nuk do të zgjidhim gjë. Sepse, pikërisht për shkak të patetizmit folklorik, me të cilin kemi mbushur narrativën tonë për atdheun, ne, sot, bëjmë gjeste që, në një vend të qytetëruar, do të kishin provokuar skandale dhe reagime të fuqishme.

Flamuri është shenja e një kombi që na dallon nga të tjerët. Është, po ashtu, edhe romani apo teksti ynë historik, identifikimi ynë që përmban gjithë narrativën historike tonën. Mirëpo, nëse sot ne kemi arritur në atë pikë që në një protestë të një force politike njëherë përdorim flamuj amerikanë për t’u identifikuar me një shtet të fuqishëm, të cilit në një farë mënyre i kërkojmë aleancë që të na shpëtojë nga qeveria e Edi Ramës, pastaj herën tjetër marrim flamujt gjermanë dhe, në mënyrë metaforike, u kërkojmë gjermanëve që të vijnë të bëjnë aleancë me ne për kauzën tonë, atëherë është normale që Xhelal Mziu ta shkelë me këmbë flamurin shqiptar, sepse për të dhe për forcën politike që ai përfaqëson, historia e Shqipërisë që përmblidhet në atë flamur, nuk mund ta shpëtojë nga gropa e thellë ku ka rënë ai dhe forca politike që ai përfaqëson. Por kjo nuk është vetëm historia e Xhelal Mziut. E keqja e këtij vendi është se ata që betohen për flamur, janë ata që e kanë përdhosur dhe shkelur me këmbë atë.

Ernest Koliqi e kishte vënë re sëmundjen e lindur të shqiptarëve që është edhe sot një shenjë e tyre- pra pasurimi me çdo kusht- ndaj edhe parodizonte dhe përtallte me cinizëm idenë e mbrapshtë që, për të fituar, shqiptari është gati të shesë edhe flamurin e tij dhe, nëse nuk e shet, apo nëse nuk fiton nga kjo tregti, atëherë ai mallkon shqiptarët dhe Shqipërinë. Po sot, nëse do të shihte një deputet të Shqipërisë që mban shenjën e forcës politike të djathtë, pra që mburret se ka si frymëzim atdheun, fenë dhe familjen, por që në protestë del me flamuj gjermanë dhe shkel flamurin shqiptar, çfarë do të thoshte Ernest Koliqi? Ai polici i thjeshtë që ia hoqi nga këmbët flamurin, sipas Xhelal Mziut dhe forcës së tij politike, është përfaqësues i « racës së komunistëve », ata « bij komunistësh » që, sipas asaj narrative që hedhin në treg talebanët e antikomunizmit shqiptar, kanë pushtetin sot, por e duan dhe e mbrojnë flamurin.

Në fakt, Gaspër Tragaçi i Koliqit, që ishte mërzitur pse nuk i ishin shitur flamujt, është një engjëll përballë Xhelal Mziut e talebanëve të PD-së dhe atyre që qurraviten pas asaj force politike.