Romeo Kara juristi i OSHEE në një rrëfim ekskluziv per Report TV jep fakte të reja të reja rreth këtij skandali.
Ndërhyrja e Nuel Kalaj tek Sali Berisha, lidhjet me djalin e ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha e ministrat kabinetit.
Publikohet fotoja e një prej ministrave me të akuzuarin si sekser i këtij privatizimi.
Romeo Kara njeriu që hapi "Kutinë e Pandorës" për skandalin CEZ rrëfen ekskluzivisht për Report Tv detaje të reja që lidhin ish-kryeministrin Berisha, familjarë dhe ish-ministra me skandalin që i kushtoi Shqipërisë miliona euro dëm.
Janë të mëdha shumat e abuzimit dhe po aq të mëdha ndërhyrjet nga jashtë, madje dhe nga agjenci inteligjente të huaja.
Por çuditërisht Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Shërbimi Informativ u urdhëruan të mos hetonin këtë çështje që prek drejtpërsëdrejti interesin kombëtar.
"Ka ardhur dita që organet ligjzbatuese duke përfshirë edhe SHISH-in, të prononcohen për këto të vërteta dhe çfarë ato dinë dhe si ato mund të ndihmojnë në zbardhjen e të vërtetës. Nuk më vjen mirë që edhe KLSH-ja edhe SHISH-i, kanë pasur një lloj orientimi për të mos mbledhur të dhëna për privatizimin e SHISH, nga ata të cilët ata i marrin orientimet", u shpreh Karaj.
Juristi i OSHEE i cili negocioi me çekët dhe marrëveshjen e zgjidhjes së kontratës së shitjes, e lidh privatizimin dhe lëshimin që iu bë më pas, CEZ-it dhe me ndikimin e Nuel Kalajt te Sali Berisha dhe ministrat e tij, siç e faktojnë këto foto ekskluzive të Kalajt me ish-ministrin Genc Ruli.
(Në të majtë, Nuel Kalaj në shoqërinë e ish-ministrit të Energjisë, Genc Ruli)
Ndërsa lidhjet e sekserit me Shkëlzen Berishën janë të faktuara nga email-ed e drejtuesve çek të CEZ-it.
"Më intriguese është sesi Nuel Kalaj ka interferuar midis drejtuesve të CEZ-it dhe qeverisë shqiptare, direkt me zotin Berisha apo me ministra të tjerë", thotë ai.
Sipas Romeo Kara janë të shumtë ata që meritojnë burgun dhe me faktet e reja, Prokuroria duhet të rinisë hetimet.
"Palët kanë pasur të drejtë të diskutuojnë vetëm çfarë do të quhet borxh i keq, jo për të prekur borxhin e keq. Palët kanë ndërhyrë dhe kanë prekur nivelin e borxhit të keq, nga 4% e kanë çuar në 14%. 1% e këtij borxhi të keq e ka pasur koston 7 milionë dollarë. 10% janë 70 milionë dollarë të pastra dëm ekonomik të shkaktuar nga një proces i paligjshëm, i parregullt dhe i paautorizuar. Përgjegjësit janë aty, nga qeveria që ka miratuar kontratën dhe nga ata që e kanë miratuar në Parlament, edhe komisioni që është ngritur mban përgjegjësitë e veta edhe komisioni i negocimit që ka kaluar tagrin, si dhe personat e tjerë të cilët kanë ndikuar. Kam dëgjuar raste që mjaft persona kanë shkuar në burg për vjedhjen e një celulari, ata është kollaj t'i çojnë në burg. Sfida e vërtetë e zbatimit të ligjit është të çojnë në burg fajtorët e mëdhenj", thekson Karaj.
Por a ka njeriu që hodhi dritë mbi këtë skandal, frikë për jetën e tij?
"Nuk kam as frikë nga personat që kanë bërë këto shkelje, as respekt dhe as borxh ndaj tyre. Përkundrazi, rrezikun e vetëm që ndjej ndaj vetes është, të mos ia dal deri në fund kësaj çështje...", thekson më tej juristi i OSHEE, Romeo Kara.
Intervista e plotë e juristit të OSHEE, Romeo Karaj:
-Zoti Kara, ju jeni kthyer në personazhin e ditës në skenën politike për sa i përket privatizimit të CEZ-it dhe ishit i pari që zbuluat emrin e Nuel Kalaj, personi i pretenduar si sekser për këtë privatizim. Si ndjeheni tashmë që jeni kthyer në qendër të vëmendjes dhe a ndjeheni i rrezikuar për jetën tuaj?
Me veten time e kam kapërcyer këtë pikë. Nuk kam as frikë nga personat që kanë bërë këto shkelje dhe për të cilat jam i bindur. Nuk kam as respekt dhe as borxh karshi tyre. Përkundrazi, rreziku i vetëm që ndiej karshi vetes është që të mos ia dal deri në fund kësaj çështjeje. Jam i vendosur t’i shkoj deri në fund kësaj çështjeje dhe të gjitha çështjeve që lidhen me këtë pikë dhe zbardhjen e kësaj të vërtete, e cila do të ketë vlerë jo vetëm për vendosjen e drejtësisë, por edhe për kompensimin e çdo dëmi që është bërë nga këta keqbërës.
-Jeni kontaktuar nga ndonjëri prej emrave që keni përmendur, siç është z. Kalaj, z. Berisha, i biri?
Absolutisht jo.
-Për sa i përket këtij të fundit, ishit njeriu që nxori gjithashtu në skenë një lidhje të presupozuar të Shkëlzen Berishës në tërë privatizimin e CEZ-it. Përveç dokumentit që u publikua nga komisioni hetimor, a ekzistojnë të tjera dokumente që faktojnë ndikimin e tij të drejtpërdrejtë në këtë proces?
Patjetër që ekzistojnë dokumente të tjera. Janë disa e-maile në të cilat përfshihet personi Nuel Kalaj apo Nue Kalaj. E-maili i parë i cili më ka bërë përshtypje ka qenë ai i shtatorit të vitit 2009, ku ai i drejtohet Drejtorit të CEZ Group Martin Roman dhe nga vetë përmbajtja e e-mailit shprehet se “përpjekjet e mia 4-vjeçare, negocime pas negocimesh për t’u futur në sektorin energjitik shqiptar mund të shkojnë dëm për arsye të një aktiviteti jo të kënaqshëm”, sipas tij, “nga drejtuesit prezentë të CEZ Shpërndarje në Shqipëri”. Dhe kjo më intrigoi. Një prononcim konfidencial i një shqiptari direkt me Drejtorin e CEZ Group Martin Roman, nuk është normale, pra tregon për një konfidencë, për një afrimitet për një person që kishte një lloj pushteti në rrethin e CEZ-it, në qarqet e CEZ-it. Dhe verifikimi i mëtejshëm tregoi që periudha 4-vjeçare paska qenë më reale se sa periudha në të cilën pretendohet se ky tender ka filluar vetëm në vitin 2008. Kjo ishte intriguese dhe unë e pashë me seriozitet.
-Për sa i përket emrit të Shkëlzen Berishës, ishte pyetja konkrete, a ka dokumente të tjera që faktojnë rolin e tij në privatizim?
Mendova që pyetja ishte për Nuel Kalajn. Për Shkëlzen Berishën është ai e-maili i cili ka dalë nga Parlamenti, me nr. 6, aty është sigla ime. Është pjesë e dokumenteve të dosjes që unë kam dorëzuar në Parlament, në komisionin hetimor. Është i mjaftueshëm. Nuk mendoj se opinioni do të përqendrohet në lidhjen e tij me Shkëlzen Berishën, por me të gjithë aktorët që kanë qenë ligjërisht persona të ngarkuar për t’u marrë me këtë privatizim dhe të cilët janë ndikuar apo kanë përdorur në mënyrë jo të ligjshme Nuel Kalajn. Më intriguese është mënyra se si Nuel Kalaj ka interferuar midis qarqeve drejtuesve të CEZ-it dhe qeverisë shqiptare direkt me z. Berisha apo me ministra të tjerë. Kjo është më intriguese dhe më e saktë mbase. Nuk është fare në interesin tim që të zbuloj një lidhje të Nuel Kalajt me fëmijët e ish-kryeministrit.
-Përveç emrit të Shkëlzen Berishës a ka dokumente ligjore që faktojnë edhe përfshirjen e vajzës së ish-kryeministrit? Është lakuar shpeshherë si e përfshirë në biznese që lidhen me vendime të qeverisë.
Nuk dua të paragjykoj për bizneset e tjera. Në lidhje me këtë proces për privatizimin, dokumente të shkruara, për aq sa kam parë unë, nuk ka.
-Mund të na thoni se si u përfshitë në gjithë këtë zbulim, për sa u përket shkeljeve që janë bërë në kontratat e privatizimit të CEZ-it?
Siç duket kishte ardhur dita, por e deshi fati të merresha unë me këtë punë. I ngarkuar me procesin e arbitrazhit, kam qenë i interesuar së bashku me avokatët gjermanë të KIFERSHENC-it, për të parë momentet se si janë sjellë palët para lidhjes së kontratës DIA-CEZ. Dhe duke parë të gjitha materialet që na kanë ardhur në mënyrë eksplicite nga CEZ Group kanë ardhur në mënyrë ligjore, në vjeshtën e vitit 2014, e konsideruam që të shohim edhe pjesën që ka të bëjë me procesin e privatizimit. Ne ishim të interesuar të shihnim nëse ishte e ligjshme lidhja e kontratës DIA-CEZ apo jo? A kishim ndikime të sjelljes së palëve më përpara apo jo? Duke parë këto zbuluam diçka tjetër, që ishte procesi i parregullt i privatizimit të OSSH-së. Edhe si detyrim ligjor, por mbi të gjitha, si qytetar, si njeri, dhe karshi Zotit, e ndjeva për detyrë që t’i shkoj deri në fund. I kam referuar konkluzionet e mia në një dosje të plotë ministrit Gjiknuri, në vjeshtë të vitit 2015, i cili ia ka nisur Prokurorisë. Prokuroria ka bërë një mbyllje të çështjes. Kemi fakte të reja për në komision që mendoj se do të çojnë në një rihapje të çështjes dhe në një trajtim më serioz dhe më dinjitoz të saj.
-Cilat janë, në qoftë se mundeni?
Siç thashë, fakti për Nuel Kalajn, që ky proces nuk ka nisur në vitin 2008 siç pretendohet nga drejtuesit e asaj kohe, por paska nisur më përpara. Pra, ka qenë i ndikuar. Kemi një përgatitje nga vitet 2005-2006 të qeverisë së asaj kohe deri në vitet 2008-2009 për të shkuar në një shitje të përcaktuar të OSSH-së drejt CEZ Group.
-Ndërkohë në një seancë parlamentare ka qenë ish-kryeministri Berisha që ka përmendur për herë të parë emrin e Nuel Kalajt dhe akuzonte ministrin Gjiknuri se po i bënte shantazh me një dokument që, sipas tij, nuk ekzistonte por ku pretendohej se ishte firma e të birit Shkëlzenit, e Nuel Kalajt dhe e z. Merxhani. A keni dijeni për një dokument të tillë?
Unë nuk kam ndonjë dokument të tillë. Mund të ekzistojë një dokument i tillë, por jo tek unë. Dhe nuk e kam parë dhe nuk i jam referuar ndonjë dokumenti të tillë, që të jetë i firmosur bashkërisht nga Shkëlzen Berisha dhe Nuel Kalaj.
-Si nisi e gjithë historia, në qoftë se mundeni, zbulimet tuaja dhe ku janë bërë shkeljet më të mëdha?
Kam kërkuar dokumentacion pranë OSHE-së, ku unë punoj, pranë Ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë, pranë Kryeministrisë dhe kam parë që dokumentacioni është shumë i mangët. Pra, është një nga shkeljet ligjore që protokolli dhe dosja totale e këtij dokumentacioni nuk është e plotë dhe e keqmenaxhuar. Me qëllim apo jo, këtë nuk mund ta them, por ishte e vështirë të krijoje fillimisht një dokumentacion të plotë. Kam krijuar një dokumentacion të plotë, rreth 30-40 mijë faqe, i kam kaluar të gjitha në sitë duke i lexuar, duke i trajtuar dhe kam krijuar një dosje me rreth 500-600 faqe, kam bërë një opinion ligjor të mbështetur në rreth 50 prova dhe bazë ligjore se çfarë ka ndodhur dhe çfarë duhet të ndodhë, duke konstatuar të gjitha shkeljet e mundshme si edhe dëmin ekonomik, përveçse edhe shkeljet në procedurë. Në vitin 2008 ne kemi qenë të papërgatitur nga ana e legjislacionit për të bërë këtë lloj privatizimi. Ky privatizim është mbështetur në atë kohë nga Banka Botërore. Por vetë Banka Botërore duke parë krizën e palëve, pak para heqjes së dy licencave nga ERE të CEZ-it, licencave të operimit të tij në tregun shqiptar, është shprehur nëpërmjet drejtuesve të saj në Tiranë, në dhjetor të vitit 2012, që ky proces ka qenë i nxituar pavarësisht se Banka Botërore e ka mbështetur atë. Kemi hyrë në këtë proces me një legjislacion totalisht të pamjaftueshëm, për këtë lloj privatizimi që është i veçantë. Megjithëse është miratuar ligji për ankandin publik pak muaj para privatizimit, ne kemi hyrë në këtë privatizim me një ligj, i cili parashikonte privatizimin me tender të hapur, në një kohë që shitja është bërë pa çmim dysheme. Për shitje procedohet me anë të ankandit. Është hyrë në këtë procedurë privatizimi pa u zgjidhur problematika e titullit të pronësisë për asetet e OSSH-së, të cilat edhe sot i përkasin akoma KESH-it, në një pjesë të tyre. Pra, kërkon të shesësh një aset, i cili nuk i ka të zgjidhura problemet e pronësisë. Përgjatë kësaj kohe që kemi zhvillime të tenderit zyrtarisht të hapur, kemi letra të bëra nga ministri i linjës Ruli, i cili interesohet pranë Zyrës së Pasurisë për të shpejtuar procesin e regjistrimit të aseteve të CEZ-it, të OSSH-së. Pra si është e mundur që ti ke hyrë në këtë proces dhe akoma nuk ke zgjidhur problemin e pronësisë. OSSH-ja sapo ishte ndarë nga KESH-i dhe nuk kishin zgjidhur ende me njëri-tjetrin problemin e të drejtave dhe të detyrimeve. Dhe OSSH-ja në atë kohë nuk kishte akoma e adaptuar mirë dhe akoma e paprovuar mirë me modelin e ri të tregut të energjisë, i cili sapo ishte miratuar dhe ne nuk e dinim akoma kapacitetin real të kësaj ndërmarrjeje. Nuk është zbatuar porosia ligjore për ruajtjen e aksionit të artë. Nuk kishte aryse që neve të ruanim vetëm 24% të aksioneve duke dhënë 76% të aksioneve palës çeke dhe me 76% të aksioneve të dhëna me VKM, edhe me anë të procesit të privatizimit, të shoqëruara me ligjin për tregtarët, aksionerit mazhoritar që ka 76% të aksioneve dhe më tepër i jepet e drejta e pakufizuar mbi ndërmarrjen deri në prishjen e saj pa marrë parasysh aksionerin minoritar, ne ia hoqëm të drejtën shtetit shqiptar ta ruante aksionin e artë dhe të ruante si duhet interesat publike dhe interesat shtetërore. Përkundrazi, shkelja e kësaj provoi që të gjitha shkeljet e mundshme janë bërë nga aksioneri mazhoritar. Nuk e mbrojmë aksionerin mazhoritar, por ligjërisht ne ishim të pamundur më pas për t’i mbrojtur ato. Parashikohej se pjesa e mbetur e aksioneve prej 24% do t’u ofrohej ish-subjekteve të shpronësuara të truallit dhe ndërtesave, punonjësve të OSSH-së në këmbim të aksioneve me bono të privatizimit apo letra me vlerë dhe të persekutuarve. Kjo gjë nuk ka ndodhur. Nuk e di për pagesën e tarifës për shoqërinë konsulente që mund të jetë bërë, për komisionin e vlerësimit mund të jetë bërë, por jam i sigurt që punonjësit e OSSH-së që dolën të papunë dhe janë rreth 1 400, nuk e morën kurrë këtë trajtim në bazë të ligjit të këtij privatizimi. Kurse në lidhje me shoqërinë konsulente, kjo parashikohet në ligj për t’u paguar nga ana jonë OSSH si shtet shqiptar, nga paratë e marra nga privatizimi, ndërsa me VKM parashikohet të paguhet nga subjekti fitues siç është CEZ-i. Pra të paguhet dy herë. Kemi hyrë pa vlerësuar asetet e OSSH-së, që pranohet. Në tender i është lënë një mundësi dhe vetë CEZ-it apo subjektit fitues, nëpërmjet klauzolës rregullimi i çmimit të blerjes. Duke shfrytëzuar këtë iu la dera e hapur subjektit fitues që ishte CEZ-i për ta riparë çmimin e blerjes, pra në favor të tij. Megjithëse ne kishim investuar para të tjera përgjatë vitit 2008, pra edhe 10 milionë euro të tjera, çmimi i blerjes kur është riparë është riparë në dëm të shtetit shqiptar dhe në favor të CEZ-it. Kur kanë dorëzuar ofertat të gjithë pjesëmarrësit, në 27 shtator të vitit 2009, janë hapur ofertat dhe pas tyre ishte parashikuar një procedurë negocimi jo për të diskutuar specifikimet teknike në tender, por për të diskutuar mënyrën e transferimit dhe mënyrën e marrjes në dorëzim. Pra nuk kishte lidhje për të diskutuar ata parametra kryesorë të cilët ishin miratuar nga qeveria, një pjesë me miratim të ERE-s etj., sipas kompetencave për të hyrë në tender. Kemi një rënie poshtë të të gjithë procedurës së tenderit, sepse palët kalojnë në një proces negocimi kur i kanë prekur të gjitha. Edhe vetë persona të ndryshëm nga ERE apo të tjerë nga stafi shqiptar e kanë vënë në dukje këtë gjë nëpër procesverbalet e negocimit, që ne po prekim ato që nuk duhen prekur. Po të marr një shembull: është parashikuar që në tender të hyhet me nivelin e borxhit të keq 4%. Pra, ajo pjesë e arkëtimeve që ishte e pamundur për t’u mbledhur do të kompensohej nga shteti shqiptar. Palët kanë pasur të drejtë të diskutojnë vetëm se çfarë do të quhet borxh i keq, jo të prekin nivelin e borxhit të keq. Palët kanë hyrë dhe kanë prekur nivelin e borxhit të keq, nga 4% e kanë çuar në 14%. 1% e këtij borxhi të keq e ka pasur koston 7 milionë dollarë, 10% janë 70 milionë dollarë, janë të pastra dëm ekonomik të shkaktuar nga një proces i paligjshëm, i parregullt dhe i paautorizuar.
-Duhet të shkojë dikush në burg për këtë? Ka përgjegjës, emra konkretë? Ju jeni jurist.
Përgjegjësit janë aty, që nga qeveria që ka miratuar këtë kontratë, unë jam më gjithëpërfshirës në idetë e mia, edhe ata që e kanë miratuar në Parlament. Sepse këta e kanë çuar në Parlament për të shmangur përgjegjësinë e tyre, për t’i bërë të gjithë bashkautorët bashkëfajtorë. Por këtu ka një kokë. Ky tender është bazuar mbi dy VKM, që i ka bërë qeveria. Edhe komisioni që është ngritur ka përgjegjësitë e veta, si komisioni i parë edhe i dyti; edhe komisioni i negocimit që ka kaluar tagrin, ka diskutuar ato që nuk duhej të diskutoheshin; si edhe persona të tjerë që kanë ndikuar. Asnjëherë në negocime nuk kemi pasur pretendime për rënien e vlerës së aseteve të OSSH-së gjatë vitit 2008. Pretendohet që palët pjesëmarrëse kanë hyrë në tender duke u bazuar në vlerësimin e aseteve për vitin 2007 dhe në një takim të bërë në fund të shkurtit të vitit 2009, me pjesëmarrjen e Genc Rulit dhe Suzana Guxhollit, ngrihet nga Genc Ruli pretendimi, i pangritur kurrë më parë nga komisioni i negocimit, se kemi të bëjmë me një rënie të vlerës së aseteve dhe meqë çmimi 102 milionë euro përfaqëson një simbolikë politike do të investojmë që vlerën e aseteve ta çojmë në këtë çmim se me këtë çmim nuk e ulim dot vlerën e aseteve. Dhe më 6 mars del një VKM e famshme, e cila të gjitha aktivet i kalon tek OSSH-ja dhe pasivet te KESH-i, kreditë e marra për investime në OSSH paguheshin nga KESH-i, lirohej OSSH-ja nga këto pagesa, dhe favorizimi që i është bërë në atë kohë CEZ-it ishte rreth 55 milionë euro. Më pyetët se fajtorët duhet të shkojnë në burg apo jo? Kam dëgjuar raste kur mjaft persona kanë vajtur në burg vetëm për një celular të vjedhur. Ata është kollaj t’i çojnë në burg. Sfida e vërtetë e atyre që merren me drejtësinë dhe zbatimin e ligjit është që të çojnë fajtorë të mëdhenj, që janë edhe shkaktarë edhe për këta që vjedhin celularët pastaj.
-Ju pyeta dhe më herët, ndjeheni i rrezikuar për jetën tuaj apo jo? Ndërkohë keni statusin e të mbrojturit nga drejtësia. Pse? Mund të na jepni ndonjë detaj?
Nuk është ndonjë pikë për të cilën kam qejf të përgjigjem. Kam një bashkëpunim shumë të mirë me disa organe ligjzbatuese. Do të doja ta kisha me të gjitha organet ligjzbatuese. Meqë më dhatë rastin, po e devijoj me qëllim përgjigjen karshi pyetjes suaj, mendoj që ka ardhur dita që këto organe ligjzbatuese, duke përfshirë edhe SHISH-in, të prononcohen për këto të vërteta dhe çfarë ato dinë dhe si ato mund të ndihmojnë në zbardhjen e të vërtetës.
-Mund të ketë pasur një hetim nga SHISH për këtë ngjarje?
Unë mendoj që duhet të ketë pasur. Në qoftë se nuk ka pasur është gabim. Dhe nuk më vjen mirë që edhe Kontrolli i Shtetit, edhe SHISH, kanë pasur një lloj orientimi për të mos mbledhur të dhëna për privatizimin e OSSH-së.
-Nga kush?
Nga ata, nga të cilët ata i marrin orientimet. Pse nuk kemi deri tani qoftë edhe një investigim lidhur me privatizimin e OSSH-së? Është bërë një investigim joreal, qesharak, së fundmi nga Kontrolli i Shtetit, i nisur për një çështje tjetër dhe mbaruar për çështje tjetër. Nuk i ka parë këto dokumente me syrin e të vërtetës, nuk i ka ballafaquar faktet dhe është me shumë vonesë. Për mendimin tim, ka qenë detyra e Kontrollit të Shtetit që brenda vitit ta investigonte apo ta asistonte madje këtë privatizim kaq të rëndësishëm. Nuk është bërë.
-Folët për rihapjen e hetimit në kuadër të gjetjes së provave të reja, siç është rasti i ndërhyrjes së Kalajt. Kush duhet ta rihapë, kryesisht Prokuroria apo komisioni hetimor ta vërë në lëvizje?
Komisioni hetimor duhet të dalë me disa vendime, por vendime gjyqi ai nuk mund të japë. Do të ketë vendimet e tij. Nuk është një çështje që mund të zgjidhet në një kohë kaq të shkurtër disajavore apo disamujore, të ketë një mandat më të gjatë. Por, përfundimisht duhet të shkojë para organeve që njeh Kushtetuta në lidhje me zbatimin dhe vënien e drejtësisë, që janë Prokuroria dhe gjykatat.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com