Ekskluzive/ Kryegjyqtari i Tiranës përçan Vetingun, ONM: Të rihetohet

Fati i kryetarit të Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë, Kastriot Selita, ka përçarë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, organin bazë të Vetingut, ndërsa ka përfshirë edhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe Komisionerin Publik. KPK, me trupë gjykuese të përbërë nga Olsi Komici (kryesues) Brunilda Bekteshi (relatore) dhe Lulzim Hamitaj (anëtar), në 18 qershor të këtij viti, ka vendosur me shumicë votash të konfirmojë në detyrë kryegjyqtarin Kastriot Selita. Sipas vendimit, Lulzim Hamitaj dhe Brunilda Bekteshi kanë votuar për konfirmimin e gjyqtarit në detyrë, me arsyetimin se justifikon pasuritë, ka arritur një nivel të besueshëm në kontrollin e figurës dhe se është i aftë profesionalisht.

Ndërkaq, kryesuesi Olsi Komici rezulton se ka votuar për shkarkimin nga detyra kryegjyqtarit, me argumentin se ka mungesë burimesh financiare të ligjshme dhe se ka cenuar besimin e publikut tek drejtësia, pasi ka gjykuar çështje në kushtet e konfliktit të interesit. Pas zbardhjes së vendimit, në ‘lojë’ ka hyrë Operacioni i Ndërkombëtar i Monitorimit, i përbërë nga përfaqësues të Komisionit Evropian dhe përfaqësues të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tre vëzhgues pjesë të ONM i kërkuan Komisionerit Publik të ankimojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK për konfirmimin në detyrë të Kastriot Selitës, duke ngritur dyshime të forta mbi ligjshmërinë e pasurisë së kryegjyqtarit.

Në 8 gusht të këtij vitit, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Apelimit që të shqyrtojë ligjshmërinë e vendimit të KPK, për konfirmimin në detyrë të Selitës. Komisioneri Publik pretendon se përfundimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për pasurinë dhe aftësitë profesionale të kryegjyqtarit Kastriot Selita janë të gabuara. Tashmë do të të jetë Kolegji i Posaçëm i Apelimit, institucioni që do të thotë fjalën e fundit për kreun e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë.

Kastriot Selita

4 qëndrimet për fatin e kryegjyqtarit Kastriot Selita
1. Konfuzionet e hetimit të ONM për Kastriot Selitën
-Për secilën nga shumat monetare, 30.000 euro, 61.758 euro dhe shuma 20.000 euro, përfituar nga personi i lidhur (bashkëshortja e subjektit) nga babai i saj, mbetet i paqartë nëse këto do të kualifikohen si dhurim nga babai dhe nëse kualifikohen si të tilla,

-Për shumën 2.9 milionë lekë, përfituar nga subjekti në vitin 2006, pas divorcit, bazuar në vendimin e gjykatës për pjesëtimin e pasurisë bashkëshortore, nuk është hetuar plotësisht burimi i krijimit të kësaj shume.

-Pagesa e detyrimeve tatimore, shumë vite më vonë se afati i përcaktuar. Mbetet e paqartë nëse tatimet e paguara më vonë se data e përcaktuar në ligj duhet të konsiderohen si shkak që legjitimojnë të ardhurat për të cilat ato paguhen.

-Mosdeklarimi i huas në shumën 23.000 euro, marrë nga shtetasi... në D-Vett. Duke qenë se kjo shumë është burim financiar fillestar për apartamentin e bashkëshortes me sip. 102 m, 2 ndodhur në Tiranë, të hetohet mundësia financiare e huadhënësit për të dhënë hua këtë shumë.

-Hetimi lidhur me rivlerësimin e pasurive të paluajtshme në pronësinë individuale të bashkëshortes së subjektit, në vitin 2012, bazuar në ligjin nr. 10418, datë 21.4.2011, “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor” ( të ndryshuar).

-Mospërputhje e vlerave të kostove të ndërtimit (3 të tilla) për objektin, shtëpi banimi 2 kt+ papafingo 268.2 m2 në Tiranë, në pronësi të prindërve të bashkëshortes.

-Mospërputhje e çmimit të blerjes së apartamentit 94.4 m2.

-Mospërputhje në analizën financiare.

-Subjekti ka kryer dy transaksione shitblerje me palët në gjykim.

-Subjekti nuk ka paraqitur dorëheqje nga proceset gjyqësore, ku një nga palët janë organet tatimore, konsideruar faktin që personi i lidhur, bashkëshortja e tij, ka një pozitë të rëndësishme dhe me influencë.

2. Qëndrimi i Komisionerit Publik
Nisur nga parashikimi i nenit 179/b/5 të Kushtetutës, aneksit të Kushtetutës, konsiderojmë se, ndryshe nga sa ka disponuar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, referuar gjendjes së fakteve dhe provave në rastin konkret, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë;

3. Qëndrimi i kryetarit të trupit gjykues Olsi Komici
Në lidhje me këtë konkluzion dhe me vendimmarrjen e shumicës së trupit gjykues, duke marrë në konsideratë edhe arsyetimin dhe konkluzionet e mia në lidhje me kriterin e pasurisë dhe atë profesional, konkretisht: për mungesë burimesh financiare të ligjshme dhe balancë financiare negative në vitet kur janë krijuar këto burime, si dhe kur janë kryer investimet me këto burime financiare, si dhe për cenimin e besimit të publikut për shkak të gjykimit në kushtet e konfliktit faktik dhe atij në dukje të interesit, jap votën time kundër, duke votuar për shkarkimin e subjektit të rivlerësimit, z. Kastriot Selita, me detyrë gjyqtar/kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, në bazë të pikave 3 dhe 5, të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016.

4. Qëndrimi i shumicës së anëtarëve, Brunilda Bekteshi dhe Lulzim Hamitaj
Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi u njoh me rrethanat e çështjes, bazuar në provat e administruara, në raportin dhe në rekomandimet e relatorit të çështjes, dëgjoi subjektin e rivlerësimit në seancë dëgjimore publike, si dhe mori në shqyrtim të gjitha pretendimet dhe provat e parashtruara nga subjekti, çmon se:

-Për kriterin e pasurisë nën hetimin e thelluar e të gjithanshëm subjekti i rivlerësimit, ka plotësuar me vërtetësi dhe saktësi deklaratën “Vetting” dhe ka pasur burime të ligjshme për të justifikuar pasuritë, në përputhshmëri të plotë me deklarimet periodike, si dhe të mbështetur në dokumentacion ligjor që në momentin e dorëzimit të deklaratës “Vetting” në ILDKPKI, sipas nenit D, të Aneksit të Kushtetutës, si dhe ligjit nr. 84/2016. Hetimi i thelluar administrativ i Komisionit për burimet e bashkëshortes para martese apo konstatimi i pasaktësisë së saj, në një nga pasuritë e deklaruara dhe që nuk cenonte burimin e ligjshëm, nuk passjell pasojë ligjore për subjektin e rivlerësimit e, për rrjedhojë, subjekti ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë.

-Për kriterin e kontrollit të figurës, trupi gjykues në konsideratë të verifikimit dhe të konfirmimit nga institucioneve përgjegjëse për përshtatshmëri në detyrë, edhe pas hetimit të thelluar, vlerëson se subjekti i rivlerësimit, z. Kastriot Selita, ka arritur një nivel të besueshëm në kontrollin e figurës;

-Për kriterin profesional, nisur nga vlerësimi pozitiv i organit vlerësues se subjekti ka aftësi ligjore për të gjykuar, bazuar në standardet e jurisprudencën unifikuese të Gjykatës së Lartë, të Kushtetutës, dhe KEDNJ-it, të konstatuara edhe gjatë hetimit të Komisionit për këtë kriter, por edhe nga denoncimet, të cilat ishin të lidhura kryesisht me themelin e çështjes (jo pak herë u konstatua se ato kishin përmbajtjen e rekurseve që kishin paraqitur në Kolegjin e Lartë Administrativ), çmon se subjekti i ka përmbushur kushtet ligjore të pikës “c”, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016.

/G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Dibrës, PS përmbys rezultatin merr 3 mandate deputetësh kundër 2-ve të PD-së

Sondazhi i Dibrës, PS përmbys rezultatin merr 3 mandate deputetësh kundër 2-ve të PD-së