Abdullahu i vogël po mësohet dita-ditës me njerëzit e gjakut të nënës së tij. U kthye më 26 gusht nga Siria dhe tashmë po jeton një realitet tjetër, në Luz të Madh, mes gjelbërimit dhe qetësisë, vetëm pak kilometra larg bregdetit të Spillesë.
“Nuk ka qejf t’ia përmendësh kohën që ka qëndruar atje. S’ka dëshirë të flasë fare për jetën e kaluar në Siri dhe nuk do të flasë as gjuhën siriane”, tregon Ismet Leçini, xhaxhai i nënës së Abdullahut.
Ismet Leçini është xhaxhai i nënës së Abdullahut. Ai tregon për Report Tv se ditët e para të nipit në familje kanë qenë emocionale. Pas një fëmijërie të kaluar mes luftës dhe kampeve, sot i mituri po njeh për herë të parë familjarët. Ai po jeton me gjyshen, ndërsa pjesë e kujdesit është dhe tezja.
“Djali kupton shumë mirë shqip, por për të folur disi me vështirësi. Ne luajmë çdo ditë me të. Më shumë po rri me djalin e tezes së vet, se janë moshatarë”, shprehet ai.
I mbetur jetim, Abdullahu ka një tjetër figurë kyçe në jetën e tij. Është 79-vjeçarja Hajrije Taushani, të cilën ai e quan “gjyshja”. Ajo është kujdesur për jetimët në kampin Al Hol, mes tyre edhe Abdullahun. Ndaj sot ne nuk e gjetëm në shtëpi të voglin, pasi ka shkuar në Elbasan të takojë gjyshe Hajrijen.
“Gjyshja që e ka rritur ka vlera të mëdha. Ajo e ka mbajtur, e ka marrë që në moshën 2-vjeçare. Ajo ka rritur dy jetimë të vetët dhe këtë tonin.”

9-vjeçari në Rinas i shoqëruar nga Hajrije Taushani
Historia e Abdullahut është një prej më të dhimbshmeve mes fëmijëve shqiptarë të kthyer nga kampet në Siri. Babai i tij, Bledar Hamza, i njohur edhe si Ebu Samed, u vra në luftime krah ISIS-it. Nuk dihet fati i nënës së tij, Resmijes, dhe të paktën njërës prej dy motrave, ndërsa për tjetrën, familjarët kanë shpresa se është gjallë dhe mund të riatdhesohet.
“Po, e sigurt është se motra e Abdullahut është gjallë. Shteti po interesohet shumë për ta kthyer”, thotë Ismet Leçini, xhaxhai i nënës së Abdullahut.
Abdullahu, ndërkohë, po përpiqet të ndërtojë jetën e tij të re. Ka nisur të ambientohet dhe në shtator do të nisë për herë të parë shkollën në gjuhën amtare.

I mituri i kthyer në banesë vizitohet nga Taulant Balla










Komente
Komento