Shembulli më flagrant është ai i tre tenderave të kryer së fundmi nga Ministria e Shëndetësisë, ku për 132 lloje barnash, kompanitë kanë shprehur interes vetëm për 65 prej tyre. Të dhënat e këtyre tre tenderave të shpallur tregojnë se nga 132 barna që u kërkuan të blihen, 114 prej tyre ishin të regjistruara dhe 18 të paregjistruara. Pavarësisht këtyre fakteve, ku pjesa me e madhe e barnave ishin të regjistruara në vendin tonë ashtu sikundër e parashikonte edhe procedura e mëparshme, sërisht kompanitë farmaceutike nuk kanë pranuar të hyjnë në tender, duke mos pranuar kushtet e këtyre të fundit. “Nga 132 barna, vetëm për 65 prej tyre pati interes nga kompanitë e sotme.
Fondi limit ka qenë 529,854,466 lekë, ofertat më të ulëta kanë ardhur 478,398,943 lekë, pra vetëm nga këto tre lote, ne kemi një përfitim ekonomik nga kursimi i fondeve publike 51,544,523 lekë ose 10% e fondit limit” tregojnë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo tregon se pavarësisht se procedurat kanë qenë të njëjta ashtu sikundër edhe një vit më parë, apo ashtu sikundër firmat farmaceutike i kërkonin gjatë debateve të hapura publike, ato sërish nuk kanë marrë pjesë në tender. Por, dështimi i tenderave nuk është bërë vetëm në këto 3 raste kur grosistët kanë shprehur interes për vetëm 50 % të barnave.
Përsëritja ka ndodhur tek të gjitha procedurat tenderiale, që për këtë vit parashikohen të kryhen 12 procedura prokurimi, dhe një procedurë e tillë të ketë deri në 40 lote (nënlloje) barnash. Përballë kësaj situate Ministria përcaktoi edhe ndryshimin e procedurave gjë që u pa që në tenderin “herceptinës” një medikament për të sëmurët me kancer. Procedura e tenderit ofronte 145 milionë lekë për 1881 njësi ilaçi.
Firma farmaceutike e regjistruar në Shqipëri ofroi një çmim vetëm 18 lekë më pak se oferta, kurse kompania e paregjistruar ofronte 123 milionë lekë nga 145 që ishte fondi limit, ndërkohë që bari që ofrohej nga kompania e dyte ishte i njëjti që është regjistruar në Shqipëri, dhe jo bar alternativ. Sa i përket 67 barnave të tjera, tashmë Ministria e Shëndetësisë do të hapë të tjera procedurash tenderi në mënyrë që të zbatojë ligjin, por edhe të realizojë furnizimin e spitaleve me ilaçe.
ÇFARË PARASHIKON LIGJI
Kur dështojnë dy tenderat, shkohet në negocimin e drejtpërdrejt
Ligji i Prokurimeve Publike në Shqipëri është i njëjtë si për tenderin e një rruge ashtu edhe për tenderin e ilaçeve, pavarësisht se këto të fundit janë më emergjente. Sipas ligjit, institucioni përkatës shpall tenderin, në këtë rat MSH tenderin e ilaçeve. Në rastin kur nuk ka asnjë konkurrent kjo procedurë digjet dhe APP kryhen një tjetër rishpallje të tenderit por duke kaluar një afat kohor prej 2 apo 3 javësh. Po kështu me shpalljen e dytë respektohen afatet e caktuara dhe në rastet kur nuk ka asnjë konkurrent, ky tender kryhet me negocim nga Ministria e Shëndetësisë. Por e gjithë kjo procedurë zgjat 2-3 muaj. Ndërkohë nga momenti i negocimit kompanisë farmaceutike i vendoset njën afat që të bëjë furnizimin me ilaçe në një afat nga 15 deri në 45 ditë.
Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)