TIRANË - "Asnjëherë s'kam bërë asnjë parashikim specifik për tërmete,  E gjitha kjo është fake dhe qesharake". Ky është reagimi ekskluziv që jep për Shqiptarja.com, sizmiologu grek, Akis Tselentis, drejtor i Institutit Gjeodinamik Observatori Kombëtar të Athinës.

Emri i tij u përdor nga Presidenti Ilir Meta, ku teksa e citonte për paralajmërimin e një tërmeti apokaliptik që do godiste Ballkanin, i dërgonte një letër kryeministrit Rama, zv.kryeministrit Braçe dhe ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, që ta informojnë kreun e shtetit a kanë marrë masa dhe a mund ta përballojë Shqipëria një tërmet të përmasave të tilla.

"Sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës", shkruhej në letrën e presidentit Meta të cilën Shqiptarja.com e disponon. 

Por sizmiologu grek në përgjigje të një email-i që Shqiptarja.com i dërgoi duke e pyetur a e ka bërë ai një parashikim të tillë së fundmi? Cili është opinioni i tij lidhur me këtë lajm dhe a ka pasur ndonjë kontakt me kreun e shtetit shqiptar, ai përgjigjet:

"Asnjëherë nuk kam bërë asnjë parashikim specifik për tërmete.  E gjitha kjo është fake (e rreme) dhe qesharake. 

Asnjëherë nuk kam qenë në kontakt me presidentin tuaj"

Akis Tselentis


Më pas në një përgjigje të tretë për Shqiptarja.com, sizmiologu grek kërkon që presidenti Meta të informohet pasi ajo që shkruhet në letër është një FAKE NEWS.

 

"Duhet ta informoni atë për këtë FAKE NEWS",

përgjigjet për Shqiptarja.com, sizmiologu grek.



Përgjigja me email e Prof. Akis Tselentis për gazetarët e Shqiptarja.com, Antonio Çakshiri, Greta Malaj.

 

Ndërkohë nga kërkimet në mediat e huaja nuk figuron që një lajm i tillë të jetë publikuar së fundmi dhe që të citoj sizmiologun Tselentis, ndryshe nga sa pretendohet në letrën e Presidentit.