EKSKLUZIVE/Moisiu sipas Zweig
Chaplin, Pirandelos e Kafkës

EKSKLUZIVE/Moisiu sipas Zweig<br />Chaplin, Pirandelos e Kafkës
Suplementi i përjavshëm kulturor i Shqiptarja.com, RILINDASI sjell ekskluzivisht letra dhe kujtimet e miqve të famshëm për aktorin e madh shqiptar Aleksander Moisiu. Në suplement do të gjeni faksimilen e përshëndetjes dhe ftesën për Aleksandër Moisiun nga Pirandelo, Çmimin MJESHTER I MADH dhënë aktorit Aleksandër Moisiu me 1917 nga udhëheqësi gjerman Princi Fridrich von Anhalt, Drama “I Burgosuri” shkruar nga Aleksandër Moisiu, Faksimile nga fjala e shkrimtarit të madh Stefan Zweig, homazh për vdekjen e Moisiut.

LEXONI SUPLEMENTIN NE VERSIONIN PRINT

Nga PJETER LOGORECI


Shumë vite më parë, si tani, në mesin e marsit të vitit 1935, në sanatoriumin Cottage të Vjenës, i sëmurë rëndë, Aleksander Moisiu luftonte me vdekjen. Lajmi i vdekjes së tij me 22 Mars, tronditi  jo vetëm familjen e miqtë, por të gjithë opinionin dhe publikun artëdashës botëror. Arti skenik humbi përfaqesuesin më në zë të kohës. Bota akademike, letrare e kulturore pat një reagim të menjëhershëm.

Shtypi i gjithë vendeve të zhvilluara të botës, ku ai me talentin e tij kishte lënë gjurmë të pashlyeshme, pasqyroi shumë lajme, komente apo intervista me personalitete të spikatura botërore që e kishin njohur apo ndjekur Moisiun. Dëshiroj të sjell këtu për lexuesin shqiptare , FJALIMIN – HOMAZH, të shkrimtarit të madh Stefan Zweig i cili ishte mik dhe bashkëpunetor i ngushtë i aktorit  Aleksander Moisi.

Këtë homazh ai e mbajti ditën e varrimit të tij dhe disa ditë më pas, në universitetin e Milanos. Duke mos qënë përkthyes nga profesioni, jam përpjekur ti jap këtij Homazhi sensin dhe kuptimin e duhur emocional, duke u munduar të mos ndikohem nga emocionet përsonale për humbjen e këtij gjigandi të skenës, të këtij bashkëatdhetari të vyer, i cili me personalitetin e tij, bëri të njohur Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

STEFAN ZWEIG: MIKU IM ALEKSANDËR MOISIU, KY SHPIRT I KOMPLIKUAR

Nё fillim të këtij qindvjeçari kumboj në skenën e teatrit gjerman për herë te parë zëri  i një aktorit të ri, krejt të panjohur. Kishe kënaqësi ta degjoje. Ishte një zë i ri, në kuptimin, ndryshe prej të tjerve, një ton me një embëlsi të panjohur deri atëherë, që sa e ndigjoje, nuk mund ta harroje më, apo  ta ngatërroje me zëra të tjerë. Ishte shumë me harmonik, me i butë, më melodioz se të gjithë zërat e aktorëve gjermanë, një zë i artë, një ton i ngrohtë e vibrues ndihej në atë zë, sikur të ishte flladi i ngrohtë i jugut që fryn mbi male, ...e ne, ne dallonim diçka italiane në të, si këngët  e mrekullueshme të tyre.

Po aq melodioz e plot harmoni si zëri, ishte  dhe trupi ti tij,  i lehtë dhe i zhdervjellët, me hirin e një fëmije, por me fuqinë e një luftëtari. Ishte një mrekulli të shikoje  këtë burrë të ri, i cili në të gjitha transformimet e rolet e shumta,  mbeti i njëjtë në magjinë e tij, në pjesën e padronit apo të shërbëtorit, të  kontit e po ashtu të një mëkatari dhe në më të bukurin e më të këndëshmin rol, atë të dashnorit.

Këtu zëri i tij shëndrrohej në muzikë, i gjithë trupi i tij përcillte një ëmbëlsi, dhe po ti hidhje një shikim dalloje menjëherë mënyrën e të folurit me plastikën e gjestikën karakteristike italiane...pasqyrë e fjalëve që do fliste më pas. E kush mund ti rezistonte kësaj? Një gjeneratë e tërë e ka dashur atë,  “dashnorin e pakrahasueshem”,  i cili nëpërmes  zërit të tij hyri thellë në zemrat e të gjithë kombit gjerman...

Por në këtë trup të brishtë fëmijnor, përpëlitej një shpirt i trazuar e rebel, në këtë kokë të bukur si ajo e grekërve të lashtë, digjej një shpirt i zgjuar dhe lakmues...Bota e madhe dhe e ëmbël e ndjenjave brenda këtij artisti, duke luajtur gjithmonë vetëm dashnorin apo të riun e dëshiruar, ndihej shumë e ndrydhur e kerkonte hapsirë; një etje e madhe që kërkonte të zbulonte të fshehtat e thella  të jetës, e pushtonte atë. Ishte deshira e tij të shndërrohej në heronj që vuajnë e që kuriozohen me pyetje  të ethshme, në guximtar fuqiplotë.

Nuk donte të mbetej vetëm Romeo edhe pse e luajti atë në njëmijë forma, i riu i përjetshëm, por donte të ishte edhe Fausti- i sëmuri ëndërrues, edhe Mephistopheli - mohuesi i përjetshëm, dhe Edipi- luftëtari kundër fatkeqësive të mbinatyrshme, dhe  Hamleti- i papërgjegjshëm, peng  i mendimeve të tija , ....një shpirt që digjet e që askush tjetër si ai nuk mund të jetë, shpirt  që nuk mund ta mbyllesh në hapsirën e ngushtë të një “sirtari” (si thuhet në zhargonin e teatrit), ai donte të depërtonte tek  njerzit me të gjitha mënyrat e shpirtit krijues, për tu ndjerë gjithmonë në naltësitë e ndjenjave.

Çdo formë krijese tokësore, në të cilën ai gjente hapsirë, e zhvillonte në mënyrë njerëzore deri në atë kufi, sa arrinte të prekte diçka hyjnore, ...e kjo e tërhiqte atë, jo heronjtë klasikë të ngrirë në armaturat e luftës, por heronjtë e vuajtjes ishin qëllimi i tij .

Si të gjithë ne artistët, ashtu edhe ju (artdashësit), nuk do të arrini të harroni se si e luajti ai personazhin e  Fedjas tek “Kufoma e Gjallë”, rolin e tij më të dashur, të një njeriut të rrënuar e të mbytur nga pesha  e fajit të tij, por edhe të vetëdiejshëm ndaj tij, që e bënte ta pohonte atë, që ajo me e kushtueshmja,  pastërtia tek një njeri, është qëndresa e tij, që fatkeqësia që bie,  në vend që ta zhdukë njeriun, e pastron atë nga të këqijat tokësore, që të mbijetojë pastaj i pastër e i lirë nga mëkati .

Thellësia e karakterit njerzor e tërhiqte atë përherë e më shumë në brendësitë e enigmës së saj,  në labirinthet e çmendura të shpirtrave mëkatar,  që ai kishte kënaqësi ti nxirrte në pah, të tregonte se si një njeri ringjallej përsëri nga rrënojat e jetës së tij. Dëshira për të zbuluar fshehtësitë e shpirtrave të hutuar ishte pikësynimi i Moisiut, sepse edhe ai vetë ishte një shpirt i tillë i komplikuar.

Ky problem e trazonte atë përmbrenda, e kush pat fatin ta njohë atë nga afër, e din mirë që kjo temë shpirtërore ishte kënaqësia më e madhe për të, e ku ai përfshihej në diskutime të  zjarrta. ....Oh, netë të gjata  pa gjumë:..... ku shkoj kujtimi  juaj...., kur uleshim me të, e përjetonim kënaqësi të papërshkruara, kur ai shpërthente në diskutime shpirtërore e morale?

Si digjej ai  nga pasioni i këtyre bisedave, si arrinte të përmbahej nga shpërthimet e tij, sa me elegancë dhe e zhdërvjelltësi,  si vringëllimat e shpatave në një ndeshje floreti kryqëzoheshin argumentet, mënyra harmonike  se si ai futej  në diskutim, forca e shpirtit të tij, gjithçka.... e tija..., ishin kënaqësia më e madhe e thellësive shpirtërore e njerzore të këtij gjeniu të teatrit.

Ai ishte gjithnjë i angazhuar në punë dhe asnjëherë nuk u mburr për  famën e tij, ai “jetonte pa pasqyrë”, ai nuk futej pompoz dhe “i ndritshëm” në shoqëri, dhe sallonet më në zë të qyteteve të famëshme europiane, kureshtarët e thashethemexhinjtë e tyre, nuk arritën kurrë “ta shohin”. Kontaktet me poetë, muzikantë, e kolegë artistë, ishin nxitje që ai  të realizonte nevojat e tija shpirtërore duke mbledhur eksperianca të reja nga realiteti e duke i vënë më vonë në jetën e tij private e profesionale.

Drama e tij për Napoleonin ishte një sprovë e kësaj eksperience, dhe kush, ...kush tjetër (kam të drejtën të pyes) nga aktrorët e njohur të ditëve tona, ka arritur ti afrohet botës krijuese të shkrimtarit, sa ai me këtë vepër? Ai kishte arritur të njohë mirë të fshehtën e teatrit, duke mos lakmuar botët e tjera, atë të së qenit “ e verteta”, jo vetëm për rolin që vjen pas, por të vërtetën dramatike e të përbindshme të jetës në kohën e sotme, e kjo e ngacmonte pasionin e tij.

Sa më shumë që ai ishte pjesë e kësaj, aq më i ndjeshëm bëhej, asgjë nuk ishte më e panjohur apo e vështirë për te, e kjo ishte rruga e drejtë për atë që u bë aktori më universal e më i besueshëm i kohës tonë, i varun prej askujt, por i lidhur me të gjithë – Proteus, zoti i ndryshimit të përjetshëm e që gjithmonë mbeti me pamjen e Zotave.

Por kjo tashmë është e kaluar. E kaluar ...., një fjalë e pakuptueshme,  thuhet diku tek Fausti. E me të vërtetë, nuk mund të besohet që diçka që ishte pjesë e botës sonë të brendshme, në njëmijë forma, çka ishte figura artistike kryesore në sytë tonë, muzika e veshëve tanë, që na emocionon akoma e që ishte ushqim i ndjenjave tona, duhet ta pranojmë si e “ kaluar”, ...që “çfarë nuk është e pranishme” nuk përjetohet më.

Si mund ta pranojmë që ne  thërrasim Moissi - duke menduar të gjallin,  e nuk marrim më përgjigje, nuk dëgjojmë më frymëmarrjen e tij, nuk shohim më shkëlqimin e tij. ....Jo, mos ta mendojmë më atë që nuk mundemi ta pranojmë, që ai nuk është më në mesin tonë, por të mendojmë që nuk harrohet, që vetëm prezenca e tij nuk është, ...të kthehemi  në mbrëmjet e kohës së rinisë, të mbyllim sytë që të kërkojmë në brendësinë e qenies tonë muzikën e zërit të tij, të shikojmë me syrin e mendjes lëvizjet dhe gjestikën e tij të paharrushme, të ngjitemi me hov pas skene ta perqafojmë apo ti shtërngojmë dorën, që të ndjejmë ngrohtesinë e dorës së tij që ai nuk e kurseu për njerzit, sepse ishte njeri me zemër të madhe, që arriti të dëpertojë në shpirtrat e miliona njerzve.

Të kujtojmë atë që s’mund të përgjigjet më..., talentin e tij, njeriun e mirë e  shpirtin e paepur  që u bë mësim për ne, e unë mendoj se nuk ka tjetër dëshirë te njerëzit, veçse të mësojnë nga ai,  atë çka tek ai ishte njerëzore. Ai që na e solli këtë Art të shenjtë qoftë i bekuar, e kush mundohet për ta mësuar atë qoftë i mirëpritur. Në personin e tij, ne artistët  dhe ju që e doni teatrin, kemi humbur një artist të pashoq e të mrekullueshëm.

Kujtdo i  lind vetëvetiu pyetja, ç’ka ishte Aleksandër Moisiu në taban? Ç’ka ndjehej ai, një gjerman apo një italian? ....JO, të dyja këto nacionalitete bashkë nuk mjaftojnë ta përcaktosh madhështinë e tij. Në SHPIRTIN e një artistit të madh si ai,  jetonin shumë shpirtëra, në shkallën më të përsosur e që përshtateshin me të gjithë. Kush ka arritur këtë naltësi shpirtërore nuk i përket më një kombi, por gjithë botës. Një shpirt i tillë është Aleksandri jonë. Ai perjetonte në mijëra jetë njerzore jetën e tij.

Ai ishte një grek si Sofokliu, një anglez si Shekspeare, një gjerman si Goethe, një Hauptaman e Hofmansthal, një rus si Tolstoi dhe Dostojeëskij, një italian si D´Annunzio e Pirandelo, ai ishte interpretuesi i “JEDERMANN-it” (çdo njeriut), i   “Everyman-it”, i  “Ognuno-os”, artisti me kombësi botërore, një qënie tokësore që ka kapur qiellin (perënditë), ai që personifikoi jo thjeshtë artistin e skenës, por artistin shumëngjyrash (në kuptimin social). Ai erdhi nga një botë hyjnore dhe u kthye në botën e heronjve.

Ishte fat i përbashkët që jetoi në mesin tonë sikurse është e perbashkët dhimbja që nuk është më mes nesh. Me ndjenjë vëllazërore përjeton çdo njëri nga ne këtë orë të vështirë. Ti drejtojmë në heshtje atij nga shpirti jonë falenderime, të përjetojmë në heshtje kujtimin e zërit të tij, të mundohemi me një përpjekje shpirtërore të  ndjejmë figurën e tij të dashur, seicili nga ne në ndërgjegjen e tij.

E kështu  nuk është i vetmuar në vdekjen e tij, nuk është i zhdukur, por si një mik i dashur është kurdo në mesin tonë, artisti i madh që dheu i tokës  italiane i dhuroi botës, ai Aleksandër Moisiu, ylli që ndriçoji rininë tonë, personifikimi i bukurisë njerzore, asaj fizike dhe shpirtërore, miku i mirë, bashkëshorti model, që u nda prej nesh, por që ne nuk dëshirojmë ta humbim. E ne do ti qendrojmë besnik shembullit të forcës së tij shpirtërore, ndershmërisë dhe mirësisë së mendimeve të tij.

MOISIU -PIRANDELO
Komedia e nobelistit që theu miqësinë mes tyre

Aktori ishte shumë kritik ndaj veprës dhe e detyroi nobelistin të rishihte tabllo të tëra. “Akti i parë u pëlqye, i dyti asht i papranueshëm, krejt i bardhë pa emocione pa dramacitet, pa jetë. Kurse akti i tretë na bindi të gjithëve që kjo komedi, këtu  në Vjenë, është e destinuar të dështojë…

Në muajin mars 1935 kur aktori vdiq, miku i tij i ngushtë shkrimtari Stefan Zweig, po përkthente aktin e katërt të një komedie të cilën mbajtësi i çmimit Nobel Luigji Pirandelo po e shkruante posaçërisht  për Aleksandër Moisiun.

Pirandelo e kishte parë disa herë Moisiun në skenë dhe ishte apasionuar pas tij. Nga një leter që mban datën 22 korrik 1934, i biri i Pirandelos, Stefano, e informonte  avokatin Mauri që ishte sekretari i babait të tij, se Luigji Pirandelo po krijonte për Aleksandër Moisiun një punë të re (nuk dihet akoma çfarë) dhe që ai mund ta informonte aktorin për këtë....

Moisiu këshillohet me  mikun e tij Pio Campa (1): ....Luigji Pirandelo më ka shkruar që është gati të më ofrojë komedinë e tij të fundit që po shkruan e dëshiron të takohet me mua perpara se ta mbarojë veprën, sepse protagonisti do të ketë fisionominë time. Pirandelo gjindet pranë Livornos e dëshiron të më ketë për disa ditë pranë tij..... Me 31 Korrik  Campa i pergjigjet: ..ti je me fat, kjo do të ishte një njohje nderkombëtare, një kënaqësi e nder i veçantë....

Një muaj më vonë në gushtin e po këtij viti,  Aleksandri takon Pirandelon në Castiglioncello pranë Viareggio-s dhe në praninë e mikut  të tij Pio Campa e të aktores Ëanda Capodaglio, njihet  me dy aktet e para të punës së re teatrale nga vetë autori. Moisiu i propozon Pirandelos që komedinë ta perkthejnë në gjermanisht dhe ta luajnë premierë në muajin tetor në Volkstheatrin e Vjenës, duke marrë përsipër rolin e ndërmjetësit në mes dy kulturave (siç do ta thotë më vonë në një intervistë në gazetën Neue Freie Presse të 23 dhetorit 1934).

Autori Pirandelo dëshironte që premiera të luhej në Milano në gjuhën italiane dhe kjo ngjalli shumë diskutime mes tij dhe Moisiut. Me mirëkuptimin e autorit, Stefan Zweig merr përsipër perkthimin e komedisë në gjermanisht duke bërë që teatri i Vjenës të ishte skena ku do të luhej premiera.

Aleksandër Moisiu ishte shumë kritik ndaj punës së Pirandelos dhe e detyroi autorin të rishikonte tabllo të tëra. Me 15 shtator ai i shkruan Campa-s: ...i kam shkur persëri Pirandelos duke i bërë disa kritika dhe sugjerime e sidomos për aktin e tretë. Pirandelo na ka dërguar deri tani shumë pak pjesë dhe kjo do të na kushtojë shumë punë kur ta vëmë në skenë, e kjo gjë më bën të trembem ....

Ndërkohë Pirandelo arriti të sigurojë bashkëpunimin e aktorve që ai vetë deshironte, e për të cilët kishte krijuar figurat e komedisë: Romeo Daddi - Aleksandër Moisiu, Bice Daddi -  Ëanda Capodoglio, Giorgio Vanzi - Carlo Ninchi, në rolin e Ginevres gruas së tij Marta Abba, Markezi - Nikola Respi, Enzo Biliotti.

Me 6 tetor Moisiu i shkruan Campa-s: ....nuk e di pse, por kjo asht një fatkeqësi, jo puna jonë. Përshtypja që komedia bëri tek drejtori i teatrit dhe dramaturgët këtu: akti i parë u pëlqye, i dyti asht i papranueshëm, krejt i bardhë pa emocione pa dramacitet, pa jetë. Kurse akti i tretë na bindi të gjithëve që kjo komedi, këtu  në Vjenë, është e destinuar të deshtojë.

Është i rëndë fakti që në tre aktet nuk mundesh as për të qarë e as për të qeshur. Pas aktit të parë shumë interesant: mërzi, mërzi, mërzi. Mendo shqetësimin tim, nuk më mbetet tjetër vetëm se ti shkruaj Pirandelos të vertetën e papëlqyeshme. Për sa i perket përkthimit në gjermanisht, ai është mjeshtëror dhe origjinal....

Kjo letër e fundit ku Moisiu tregohet sekptik për tekstin e shkruar nga Pirandelo mund të kenë qënë shkaku i një efekti negativ që solli një ftohje të mardhenieve mes  tyre.

SHËNIM:
1. Pio Campa aktor nga Firenze (1881 – 1964) i cili së bashku me gruan e tij Ëanda Capodaglio dhe aktorin Uberto Palmarini themeluan një shoqëri teatrale private.


MUSOLINI: MOISIU ËSHTË AKTOR I MADH


E vërteta e shtetësisë italiane. Iu dha kur aktori ishte i sëmurë. “Është vonë, tepër vonë” u shpreh ai… e nuk pranoi ta shohë dokumentin...

Me 18 tetor 1934 Campa informon Moisiun (2) se gjatë mbledhjes së komitetit organizator të festivalit Fiorentin: Mussolini kishte deklaruar që Moisiu  “është një aktor i madh”. Ajo çka thuhet për të (se është çifut), nuk është e saktë. Jam marrë personalisht me rastin e tij. Do ti jap shtetësinë italiane. Kam dëgjuar se tek KUFOMA E GJALLE, asnjë aktor tjetër nuk arrin një forcë të tillë interpretimi.

Nga kujtimjet e Johanna Terwin mësohet që ditën e fundit të jetës së tij, Moisiut ju bë e ditur nga e shoqja që i ishte dërguar  shtetësia italiane nga Mussolini: Tardi, troppo tardi, troppo tardi..... (vonë ...tepër vonë..) përshpëriti me fuqitë e fundit aktori i madh...e nuk pranoi ta shohë dokumentin....

Humbja e papritur e Moisiut me 22 mars 1935 ishte një goditje e rëndë për Pio Campa-n e Ëanda Capodaglio-n. Edhe më pas Pio Campa mban korespondencë të regullt me bashkëshorten e Aleksandrit aktoren Johanna Terwin, për vendosjen në skenë të pjesës të shkruar nga Moisiu “I Burgosuri” (3).

SHËNIM:
2. Fragmenti është marrë nga shkrimi “Aleksandër Moissi, një shok që kemi humbur, por që nuk duam ta humbim”, i  autorit Adriano Dugulin.

3. Drama “I Burgosuri” e shkruar nga Moisiu pershkruan historinë e ditëve të fundit të Napoleonit. Kjo dramë u shfaq premiere në teatrin e Hamburgut me 31 tetor 1931.


MIQËSIA ME SHKRIMTARIN
Aleksandër Moisiu në ditarin e Franc Kafkës

Gjatë karrieres së tij, Moisiu provoi të sillte te spektatori në  shumë mënyra të reja e shumë krijuese, veprat artistike të autorëve më në zë të kohës e po ashtu edhe të poetëve e shkrimtarëve klasikë. Qysh në skenën e teatrit gjerman të Pragës, ai organizonte mbrëmje letrare artistike ku merrnin pjesë qindra admirues të tij, e ku ai  recitonte apo lexonte pjesë monumentale nga letërsia botërore.

Në një nga këto mbrëmje, atë të 28 shkurtit 1912, mbas 10 vjetësh që ishte larguar nga Praga, ai do të rikthehej prapë me recitimet e tija aty në skenën e dikurshme (Rudolfinum), por tashmë si aktor i famshëm, si aktori kryesor i ansamblit të Max Rainhardit.

Atë natë në mes të publikut ishte i ulur një i ri (nënpunës sigurimesh) i quajtur Franz Kafka, i cili sapo kishte filluar të bëhej i njohur me artikujt e tij të parë e shumë “provokues” ndër gazeta, e që më pas do të botojë dhe librin (e mirëfilltë) e tij të parë “Betrachtung” – SODITJA.

Kafka nuk ishte fans i madh teatri (me kënaqësi shihte filmat), por atë natë vendosi të shkojë me një grup shokësh, të shohë aktorin Moisi i cili ishte bërë heroi kryesor i kritikave në shtypin e ditës. Kjo mbrëmje i la atij mbresa të pashlyeshme, të cilat i hodhi në ditarin e tij: ...shkarkim i menjëhershëm emocionesh, ....mund ti dallosh vetëm majen e gjuhës që fshihet në mes të fjalëve që ai thotë.... mënyra se si ai e nxjerr të ndarë fjalën: no...vem..ber...ëind (Novemberëind - era e nëntorit) dhe krijon një erë të vertetë me këtë fjalë që fluturon lart me fishkëllimë.... të bën të shikosh tavanin e sallës, e të duket sikur po ngjitesh i rrëmbyer nga fjalët e tij..

Por ai shikon me syrin kritik Moisiun e ulur në skenë, ....i cili  i kushton shumë rëndësi efektit zanor të fjalës deri në melodi, gjë që pengon të ndigjohen qartë vargjet...Ai (Moisiu) rri  i ulur natyrshëm, i qetë, para nesh me një shikim që perfshinë të gjithë sallën, me duart e bashkuara dhe të vendosura në mes të dy gjunjëve... një libër është i vendosur para syve të tij...dhe lëshon mbi ne zërin e tij, me një frymëmarrje të crregullt ...sikur po vrapon...

Djaloshi Kafka e vrojton me mosbesim në fillim recituesin: ...salla ka një akustike të mirë e kjo gjë bën që të mos humbasë asnjë fjalë të cilat kthehen tek ti si një vegim, ato zmadhohen në hapsirë dhe mbajnë pezull zërin që vjen e lartësohet, bëhet më i kumbueshëm e na përfshin ne të gjithëve si në një vorbull....të duket sikur shikon zërin tënd të fluturojë në sallë..kështu e bën akustika e sallës zërin e Moisiut.

Kafka e pershkruan këtë si ....”një magji e cila të prek në mënyrë të pavullnetëshme, pa të lejuar që të përpunosh në kokë ato që dëgjon”...ose e quan këtë atmosferë artistikisht: një lloj “sulmi i paturpshëm i ndjenjave” ....të papriturat që ndodhin të bëjnë ti largosh sytë ....të shikosh poshtë tokën...shkruan ai. Që në fillim ai filloj ti kendojë vargjet.....”Flej...flej, Mirjam, bija ime..... ishte  një zë që bridhte brenda një melodie....

Atë natë Moisiu interpreton “Novemberëind” (Era e nëntorit) një poezi të Emile Verhaerens dhe “Schlaflied für Mirjam” (ninulle për Mirjam) nga Richard Beer Hofmann, që ishin pjesët e zgjedhura të tij. Sipas përshkrimeve  në ditarin e tij , duket që Kafka e perjeton Moisiun me mish e me shpirt,  sepse emrin e tij e shenon në rreth kudo në kujtimet e tij.

Ai perpiqet që mbrenda botës së tij intelektuale ti rrezistojë forcës interpretuese të Moisiut, duke u munduar të mos ndikohet, duke forcuar qëndrimin e tij.  Kafka ishte vetë lektor, ai e dinte se çka do të thotë të luash para publikut, e njihte këtë magji. Ai e kuptonte më mirë se kushdo ndryshimin në mes të “atij që lexon” dhe atij që “dëgjon leximin”.

Analiza e Kafkës për interpretimin e fuqishëm të Moisiut përblidhet në fjalët Idilike: ... “si një varkë e lehtë që përkundet në ujë... Moisiu arrin që të joshë njerzit me tingujt e zërit të tij...”.

ÇARLI ÇAPLIN TAKIMET ME MOISIUN NË VJENË

Moisiu ishte ndër ato pak njerëz që bëri një bisedë personale me mbretin e kinemasë. Chaplini dhe Moisiu biseduan për udhëtimet ne Rusi dhe Amerike Latine, ku Moisiu kishte luajtur disa herë

Titani Aleksandër Moisi, pati shumë kontakte me njerëz të mëdhej të kohës, në mes tyre edhe me yllin e kinemasë moderne Charlie Chaplin, me të cilin ishte njohur gjatë turneut të tij në Amerikë .(6)

Gjatë vizitës së dytë të Chapli-it në Europë (e para ne 1921), në marsin e vitit 1931, kur ai gjindej në majat e suksesit të filmi pa zë, e fillimeve të filmit  të folur, turmat e simpatizuesve të tij vërshonin nëpër stacionet e trenave apo hotelet europiane ku ai flinte. Një pritje e tillë ju bë edhe me 17 mars 1931 në Vjenë, kur ai erdhi nga Berlini për të promovuar filmin City Lights (të parin film me zë), kur zbriti në stacionin hekurudhor Franc Josef.

Turma të ekzaltuara duke brohoritur emrin e tij, e mbajtën atë në krahë. Njerzit si edhe vetë Chaplin-i ishin mësuar tashmë me filmin pa të folur dhe ishin skeptike për zhvillimin e filmit me zë. Figura e endacakut e interpretuar nga Chaplin ishte bërë shumë e dashur për masat e njerëzve pasi ishte sinteza e gjendjes aktuale ekonomike dhe financiare të kohës.
 
Në Vjenë ai u shoqërua nga Curtis Melnitz, perfaqësues i United Artists në Austri i cili ishte një njeri shumë i besueshëm i Chaplin-it dhe që e shoqëroj në të gjithë udhëtimin europian. Në darkë ai kerkoi të takohej me “të njohurin e vjeter” aktorin Aleksandër Moisiu dhe aktoren Irene Palsthy.

Moisiu ishte ndër ato pak njerëz që bëri një bisedë personale me mbretin e kinemasë. Chaplini dhe Moisiu biseduan për udhëtimet ne Rusi dhe Amerike Latine, ku Moisiu kishte luajtur disa herë. Më vonë Aleksandri do ti thotë një gazetari: Unë e kam shetitur botën, në disa vende, diçka më tepër se Chaplin, prandaj duhej që ti tregoja eksperiencën time për vendet që ai akoma nuk i ka njohur.

Moisiu ishte 10 vjet më i vjetër se Chaplini e megjithatë ai e respektonte artin e tij, sepse edhe ai vetë ishte internacional si Chaplini. Aktori i teatrit duhet që të udhëtojë shumë – thoshte ai, që të arrijë publikun me artin e aftësitë e tij, kurse filmi perhapet vetë, aktori i filmit nuk ka nevojë të jetë personalisht aty ku filmi shfaqet.

Në kohën që Moisiu shoqëroi Chaplin-in në Vjenë, kishte  pas vehtes një karrierë të njohur në kinematografi të cilën do ta trajtoj me hollesi në shkrimet e tjera.

SHËNIM
4. Përshkrimet mbi Franz Kafkën dhe Charlie Chaplin janë marrë nga pjesët e gazetave ditore të kohës.


Shkrimi u botua sot në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print) 24.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës