Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot vizionin dhe hapat konkretë të transformimit të sektorit bujqësor dhe rural në kuadër të procesit të integrimit europian. Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e përmbushjes së standardeve të cilësisë dhe tregtimit, duke paralajmëruar një paketë ligjore, proces komunikimi dhe trajnime për prodhuesit dhe operatorët e tregut.

Sipas tij, organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish mbetet elementi kyç për të kapërcyer ekonominë e shkallës dhe për të përthithur në mënyrë efektive fondet europiane.

Salla lançoi platformën EuroAgro Albania 2025–2030, si një mekanizëm praktik për përgatitjen graduale të fermerëve dhe operatorëve drejt standardeve të Bashkimit Europian. Platforma parashikon një linjë të dedikuar asistence “Numri Blu”, një platformë digjitale informative me asistent virtual në Portalin e Fermerit, si dhe pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime në terren, në bashkëpunim me bashkitë, shërbimet e ekstensionit dhe shoqatat profesionale.

Sot jemi këtu për të nisur një dialog mbi rrugëtimin e sektorit bujqësor dhe rural drejt destinacionit tonë të përbashkët në familjen e madhe evropiane. Në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, më 17 Nëntor, u çel zyrtarisht Grupi i Kapitullit 5 ku përfshihen edhe tre kapitujt që mbulon MBZHR.  Kapitujt 11, 12, 13, janë dinamikë që kërkojnë angazhim si në përafrimin e legjislacionit dhe zbatimin e standarteve, por kërkojnë edhe një transformim dhe modernizim të sektorit.  Kjo arrihet me punën që do të bëjë Qeveria por kërkon pjesëmarrjen dhe angazhimin e gjithësecilit prej jush.  Anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian sjell përfitime për fermerët, operatorët e biznesit, konsumatorët dhe ekonominë e vendit.

Nga ana tjetër sjell, gjithashtu, detyrime… Pra, përfitimi nuk vjen automatikisht, vjen kur të gjithë aktorët janë të përgatitur me investim, dokumentim dhe cilësi në çdo hallkë të zinxhirit. Në Kapitullin 11, përmes Politikës së Përbashkët Bujqësore, fermeri vendoset në qendër. Qëllimi është i qartë: një bujqësi më konkurruese, më e qëndrueshme, me më shumë siguri ushqimore, më shumë kujdes për mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Për t’i arritur këto, BE parashikon mbështetje financiare konkrete: pagesa direkte, grante për investime dhe masa për të forcuar tregun. Por kjo mbështetje ka kushtëzime… Për të përfituar, duhet të zbatohen praktikat e mira bujqësore dhe mjedisore dhe të respektohen kërkesat për menaxhimin e fermës dhe të aktivitetit të saj. Ne synojmë që nga fondet europiane të përfitojnë rreth 150 mijë fermerë. Pikërisht për këtë, në dy vitet e ardhshme:

- Do të përditësojmë regjistrin e fermës dhe regjistrin e blegtorisë;

-Dhe do të ngremë sistemin e identifikimit të parcelave të tokës, pilotimi i të cilit ka nisur.

Gjithashtu, duke nisur që nga viti i ardhshëm, ne do të përshtasim në mënyrë graduale skemën kombëtare me skemat që aplikohen në vendet e BE-së.

Një sfidë tjetër e rëndësishme për prodhuesit tanë është edhe përmbushja e standardeve të cilësisë dhe të tregtimit të produkteve. Për këtë arsye, MBZHR po përgatit paketën ligjore dhe do të nisë një proces komunikimi dhe trajnimi me prodhuesit dhe operatorët e tregut. Dhe në fund, një element që bën diferencën: organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish. Kjo na ndihmon të kapërcejmë problemin e ekonomisë së shkallës dhe, njëkohësisht, është mënyra më efektive për të përthithur fondet europiane në masa të caktuara mbështetjeje.

Në Kapitullin 12, siguria ushqimore bëhet standard pune në të gjithë zinxhirin. Ne jemi të angazhuar për të arritur zbatim të plotë të legjislacionit të BE-së. Përtej përafrimit ligjor, detyrimi është zbatimi real i këtyre akteve në terren për të arritur standardet nga fermerët tek stabilimentet dhe operatorët e biznesit ushqimor. Të gjithë bizneset duhet të arrijnë të njëjtat standarde me ato të BE-së. Kjo shoqërohet me kosto por njëkohësisht dhe mundësinë për të tregtuar në tregun e përbashkët. Ndërveprimi i ngushtë mes institucioneve publike dhe operatorëve është elementi kyç, për efekt të kontrollit zyrtar, por sidomos për ndërtimin e standardeve dhe zbatimin në praktikë.

Në Kapitullin 13, kërkesat janë shumë konkrete: digjitalizim, monitorim, raportim dhe kontroll. Nga ana jonë, angazhimi është të forcojmë mbledhjen e të dhënave dhe raportimin elektronik me strukturat e BE-së. Ne e dimë mirë që këto transformime nuk i përballon dot askush vetëm.

Kjo është arsyeja pse sot ne lancojmë “EuroAgro Albania 2025-2030”, si një mekanizëm praktik që t’ju ndihmojë të përgatiteni hap pas hapi. Platforma konkretisht do të sjellë:

  • Një linjë të dedikuar asistence e quajtur “Numri Blu”
  • Platformë digjitale informative dhe asistent virtual në Portalin e Fermerit
  • Pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime

Në të njëjtën kohë, platforma do të shtrihet përmes bashkive, shërbimeve të ekstensionit, dhomave të tregtisë dhe shoqatave profesionale, që informacioni të mbërrijë shpejt dhe i plotë tek të gjithë. Në mbyllje, ju ftojmë të bëheni pjesë aktive e këtij procesi, të kërkoni orientim, të përdorni mjetet që po vendosim në dispozicion dhe të nisim përgatitjen që sot. Nga ana jonë, ne do të sigurojmë kushtet dhe mbështetjen e nevojshme për pjesëmarrje. Nëse bëhemi bashkë në këtë rrugëtim, Bujqësia 2030 do të kthehet në një standard pune dhe treg i ri mundësish.

 


Lajmi kryesor:

‘Me fermerët në BE’, Rama: Tregu evropian sfidë e pamundur nëse nuk jeni gati! Mbi 67 mijë fermerë sot marrin mbështetje, kemi ulur deficitin e eksporteve