Ai e njofton Hoxhën se në Tiranë kanë ardhur familjarët e Ramizesë dhe kërkojnë llogari për çfarë ka ndodhur. “Jan të dëshpruar. Jo vetëm për vdekjen, por edhe për mënyrën. Kërkojn shpjegime, thojn se nuk duhet të bëhesh nji gja e till: na e morrët të vogël; punoj sa u lodh, u këput; nuk dishim se ku ishte, nuk mendonte për ne fare, vetëm për juve (Partin); tani t’a vritni kështu – duhet t’a falshit...”, shkruan Nako Spiro në këtë letër, duke i rrëfyer Hoxhës se atje ku kanë pyetur ata (familjarët e Ramizesë) nuk u janë dhënë shpjegime, duke u thënë se nuk kanë hollësi dhe se për këtë çështje duhet të interesohen në ushtri, pasi ajo ka bërë një gabim e ushtria është e rreptë në vendimet e saj.
Në fund të letrës Nako Spiro shfaq frikën e një përballjeje me ta. Ai thotë se pret që nga çasti në çast të kërkojnë atë, dhe se gjendet në një pozitë mjaft të vështirë. Duke analizuar këtë situatë dhe mënyrën si ia përcjell Hoxhës këtë ngjarje Nako Spiro me këtë letër, duket se ai nuk mendon më humbjen e Ramizesë, aq sa e vret ndërgjegja dhe ndihet përgjegjës përballë botës dhe veçanërisht të afërmve të ish të fejuarës së tij.
Letra e plotë...
21-4-44
I dashur Taras,
Kurierin për të dërgue letrën e 15ës qi po të mbyll, e patëm gati vetëm më 18. Më 18 rruga u mbyll. Akoma nuk âsht hap. Letrën e juej të datës 10 e morrëm më 17. Kto 4-5 ditë nisemi për aty bashk me Shulen.
Nesti akoma nuk ka ardhë. Hamdiu âsht këtu. Përgjigje nga Shkodra dhe nga Kosova presim me sot e me nesër.
Formojm qarkorin e ri. Ndryshim edhe në kshillin. Nuk po të shkruej pse kujtoj qi të vij vet aty para letrës.
Kto dit do takohem me ata qi më thua ti. Suadi nuk e di si qëndron. Un nuk kam fort besim ke ai njeri. Janë këlysh të Mehdi Beut ata.
Ti më pyet se ç’mendoj un për parlamentin. E par’ e punës duhesh bër nji punë ma e gjanë preliminare për këte qi kështu të kishte nji përfaqsim ma të gjanë populli. E dyta duhet të kemi kujdes qi të mos ket elemente qi kthejn pllakën pse cenohet serjoziteti i punës dhe i lejohet kundërshtarit të manovroj nga mbrenda – sidomos përsa i përket qeveris provizore.
Por un nuk kuptoj pse nuk na keni shkruejt ma parë për këte gja. Flet gjith bota se do bahet nji qeveri provizore, bile se âsht bâ. Si ka dal kjo fjalë? Sigurisht qi ka dal nga bise- dimet e jueja. Neve nuk dim se ç’të themi. Pak ma kujdes pse kto janë punë me shumë randësi. Pse mandej na marrin ndër kambë, thojn se ju nuk dini kurgja dhe se duem me taku filanin e filanin pa na përfill hiç neve. Un për vete i kam .......... nji qind herë, por âsht halli i punës.
un mendoj se do jet shumë zor, në konditat qi kemi, qi të ket shumë përfaqsues nga Shqipnija e Mesme dhe e Veriut.
Tani ju duhet të dini se më 26-27 neve nisemi; letra qi andej deri këtu bën minimumi 7 ditë; prandaj mos na shkrueni ma letër. Shkruajini k.q.P. të Tiranës. Drejtojani Shkrimtarit. Por sidomos mbi këte pikë t’i jipni shpjegime të gjata.
Për kongresin e rinis un i shkruej Shkodrës dhe Elbasanit. Jugut duhet t’i shkrueni juve. Qi ktej nuk ka mundësi.
Në letrën e datës 4-4-44 më thoje se do më jepje shpjegime ma vonë mbi këte pikë. Në letrën e datës 10-4-44, po ashtu. Kështu s’e kemi mirë. un e di qi ju keni punë, por edhe neve nuk karxejm.
Kan ardh njerzit e Interesantit. Shum më thojn. Jan të dëshpruar. Jo vetëm për vdekjen, por edhe për mënyrën. Kërkojn shpjegime, thojn se nuk duhet të bëhesh nji gja e till: na e morrët të vogël; punoj sa u lodh, u këput; nuk dishim se ku ishte, nuk mendonte për ne fare, vetëm për juve (Partin); tani t’a vritni kështu – duhet t’a falshit. E ktu fillojn lotët e vajtimet. Atje ku kan pyet na i jemi përgjigj se nuk kemi hollsina, porse kjo ka ndodh në brigadën e V, prandaj të drejtohen n’ushtri; dhe se ajo ka bâ nji gabim dhe se ushtrija natyrisht âsht e rrept në vendimet e saja. Tani prite kur të më kërkojn mua. Lere mos e nga. Jamë në një pozitë aq të bukur sa s’bëhet. S’kujtoj të më ken zili shumë vet. Nejse ma.
Shumë të fala
Deti
Shkrimi u publikua sot (10.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)