TIRANË- Në një reagim ekskluzive për Report Tv, Presidenca komenton për herë të parë, nismën e socialistëve për të ndaluar gjykatën të pezullojë një anëtar të qeverisë, apo disa funksione të tjera kushtetuese, përfshirë dhe vetë presidentin. Kreu i shtetit thotë se për nismën do të shprehet me dekret, pasi ajo të ketë kaluar në rrugë parlamentare e të jetë shndërruar në ligj.
***
Presidenti është në mesin e funksioneve të larta kushtetuese, të cilat me firmë të tij si deputet propozues, kreu i qeverisë Edi Rama, kërkon t’i shtojë në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, për të ndaluar kështu gjykatën, që njëjtë si deputetët apo kryebashkiakët, të mos pezullojë dot as anëtarët e Këshillit të Ministrave, kryeministrin vetë, Avokatit të Popullit dhe Kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit
Në një koment ekskluziv për Report Tv, kreu i shtetit Bajram Begaj, përmes një përgjigjeje zyrtare, lë të kuptuar se qëndrimin për këtë propozim, do ta shfaqë vetëm përmes forcës së dekretit, kur nisma të jetë miratuar në Kuvend.
“Presidenti i Republikës nuk mund të prononcohet për nisma ligjore. Shqyrtimi i tyre është kompetencë ekskluzive e Kuvendit. Presidenti e shpreh qëndrimin e tij vetëm pasi nismat shndërrohen në ligj dhe vetëm në përputhje me kompetencën që ka për shpalljen e ligjeve”, thuhet në reagimin Presidencës për Report Tv.
Ndryshimet ligjore në kodin e procedurës penale të depozituara në Kuvend nga socialistët, dhe që për tu miratuar nga parlamenti, kërkojnë 84 vota, nuk e cënojnë hetimin e prokurorisë ndaj këtyre funksioneve, dhe prekin masat e tjera si marrja e pasaportës apo detyrim paraqitje, për të cilat SPAK nuk ka nevojë për asnjë autorizim nga parlamenti. Ndërsa për arrestin, qoftë me burg apo në shtëpi, do të duhet si gjithnjë autorizimi i Kuvendit.
Miratimi i këtyre ndryshimeve ligjore nuk ka fuqi prapavepruese dhe nuk çliron nga masa e pezullimit, Belinda Ballukun.
Komente











Ish-mjeku B.B. po ia nxin faqen vetes duke ushtruar zanatin e gabuar te Noterit te Kryeministrit.
Përgjigju